Futboll Seria A Sport

INTER-MILAN/ Dy trajnerë me dy botë të ndryshme, në derbi Conte i jep leksion Piolit

Sot në mbrëmje në “San Siro” do të jetë sfidë totale. Jo vetëm në fushë, por edhe në stol, ku do të maten dy stile dhe dy filozofi të ndryshme. Inter-Milan do të jetë edhe Konte kundër Piolit, dy trajnerë të ndryshëm edhe nga pikëpamja e karakterit, që do të përballen për herë të dytë pas fitores 4-2 të zikaltërve 9 shkurtin e kaluar. Atë mbrëmje rezultoi superior Konte falë një pjese të dytë befasuese, por Pioli megjithatë ndërtoi një Milan thuajse perfekt që dominoi në 45 minutat e para duke vendosur bazat për rilindjen e muajve të kaluar. Tani trajneri kuqezi kërkon hakmarrjen, ndërsa Konte synon të konsolidojë famën e tij prej “specialisti” në derbet italiane.

STIL DHE MENTALITET – Mentaliteti dhe ambicia janë ndoshta të vetmet pika kontakti mes trajnerëve aktualë të Interit dhe Milanit. Për pjesën e mbetur, Konte dhe Pioli përfaqësojnë dy universe paralele. Jashtë fushe karakterit “vullkanik” të Kontes, i mësuar me debate dhe tone të hapura, i bën kundërpeshë qetësia e një Pioli pak të mësuar me polemikat dhe që nuk preferon aspak reflektorët. Në krah të kuadratit të gjelbër, megjithatë, jetojnë të dy si luanë në kafaz.

Diferencat e ndryshme në karakter reflektohen pa dyshim edhe në filozofinë dhe stilin e lojës: Konte predikon intensitet dhe sforco kolektive, vlera mbi të cilat ka themeluar gjithmonë skuadra me muskuj; Pioli, në krahun e kundërt, pëlqen dinamizmin dhe harmoninë. Të dy kanë arritur të imponojnë markën e pangatërrueshme në çdo skuadër të stërvitur, nga fillimet e karrierave të tyre deri më sot, por nuk ekziston detyrimisht një formulë e vetme fituese. Pjesa e parë e derbit e luajtur 9 shkurtin e kaluar, për shembull, i kishte dhënë të drejtë trajnerit kuqezi. Ndërsa pjesa e dytë përmbysi perspektivën, duke i dorëzuar Kontes njërin nga sukseset më ekzaltuese të vitit të tij të parë zikaltër.

TENDENCA DHE PRECEDENTË — Sot do të jetë rasti i kundërprovës. Në rastin specifik të Kontes dhe Piolit, është momenti për të përsëritur apo hedhur poshtë tradita të përcaktuara mirë në sfida që, si në të gjitha derbet, u shpëtojnë parashikimeve. Duke analizuar precedentët përkatës në sfidat brenda qytetit, në fakt, dy trajnerët tregojnë tendenca të kundërta. Që në kohët kur stërviste Lacion, Pioli ka koleksionuar vetëm hidhërime në të gjitha derbet e zhvilluar: mes humbjeve dhe një barazimi në kryeqytet, dy barazimesh në Milano si trajner zikaltër dhe një disfatë në stolin kuqezi, atë të shkurtit.

Konte, në krahun e kundërt, krenohet me një bilanc perfekt, së paku në Itali: si trajner i Juventusit dhe Interit, në fakt, trajneri leçez deri tani ka koleksionuar vetëm fitore në derbi, katër në Torino dhe dy në Milano; ndërkohë që në dyvjeçarin në Angli në stolin e Çelsit ka vuajtur sfidat e ndjera me Arsenalin (vetëm një fitore dhe katër humbje), ndërkohë që është në ekuilibër bilanci me rivalet e tjera londineze (tri të fituara dhe dy të humbura me Totenhemin, dy të fituara dhe dy të humbura me Uest Hemin dhe Kristal Palasin). Përballjet direkte mes të dyve, përfshi trevjeçarin 2011-2014 kur Konte drejtonte Juven dhe Pioli Bolonjën, shikojnë në krye të parin me katër fitore dhe një barazim. Sfida e sotme do të shkruajë një kapitull të ri për të dy.

Related posts

LIVE/ Luftëtari-Teuta: Ka startuar takimi në Gjirokastër, durrsakët në kërkim të golit

Delo.autor

“DARDANËT” I KTHEJNË RESTON ANGLISË/ E bën të luajë në transfertë pa tifozë, ja shkaku

Delo.autor

DËSHTUAN ME HUDSON-ODOI/ “Gjigandët” e Bundesligës synon një tjetër sulmues të Chelsea

Delo.autor

Leave a Comment