Futboll Kategoria Superiore Sport

“KEMI BËRË AFRIME TË ZGJUARA, KY ËSHTË VITI IM DHE I TEUTËS”/ Hebaj: Nuk i trembemi askujt

Rubin Hebaj është më në formë se kurrë. Pasi shkëlqeu me golat e tij në Europë dhe Superkupë, po vazhdon “avazin” edhe në miqësore. Kundër Besëlidhjes e gjeti ai dy herë rrugën e rrjetës (nga 5 gola në total që shënoi ekipi), duke dëshmuar se është përfundimisht momenti i tij. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani mendon se ky do të jetë viti i tij dhe i Teutës. Nuk i trembet asnjë kundërshtari dhe mendon se me merkaton e bërë, skuadra do të jetë e pandalshme.

Si ndihet Hebaj pas këtij momenti të mirë që po kalon?
Ndihem shumë i lumtur dhe mendoj se kam ardhur në formën e duhur. Do të jap maksimumin nga vetja për të arritur objektivat e klubit.

Keni luajtur disa miqësore, ndërkohë që të fundit e fituat me goleadë ndaj Besëlidhjes. Jeni në rrugën e duhur?
Rezultati ka pak rëndësi. Këto janë vetëm takime miqësore dhe na mundësojnë të përmirësojmë gjendjen tonë fizike, por njëkohësisht na shërbejnë për të punuar më fort në aspektin tekniko-taktik dhe sidomos për harmonizimin e grupit.
Teuta
Pas një faze përgatitore të stërgjatë, a është gati Teuta për të zbritur në fushë?
Unë shpresoj të fillojnë sa më shpejt ndeshjet zyrtare dhe ky moment është shumë me rëndësi në drejtim të normalizimit të situatës. Kjo pauzë është e gjatë, pasi kemi pesë javë pa ndeshje zyrtare. Nuk ka skuadër që nuk i ndien pasojat. Por së fundmi, kemi mundur përmes ndeshjeve kontrolluese të kompensojmë sadopak atë që kemi humbur dhe të hyjmë në ritëm. Kushtet janë të njëjta për gjithë skuadrat. Bazuar në punën e bërë, besoj se Teuta është e gatshme dhe po pret startin e sezonit të ri.

Cili është objektivi që ju ka vendosur klubi për këtë edicion?
Teuta çdo vit futet me pretendime të mëdha në garë. Kështu do të ndodhë edhe këtë sezon. Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, pasi diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Unë besoj se kemi bërë përforcimet e duhura në repartet ku kishte nevojë. Nuk kemi fryrje, janë përforcime të mirëmenduara. Kështu do e kemi rrugën e hapur drejt sukseseve të mëdha.
Skenderbeu56
Kampionati është gjithnjë e më pranë startit dhe gara për ju nis me Skënderbeun. Duel i kalueshëm?
Për Teutën fitorja është detyrim. Do të jetë një sfidë e bukur dhe e dyluftuar. Teuta në këtë takim do të hyjë në fushë me një qëllim të qartë, marrjen e trepikëshit edhe për ta nisur sezonin mbarë. Duke ditur se këtë sezon kemi objektiv kreun, ndaj nesh çdo ekip do të angazhohet për të marrë pikët. Por ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Si e komentoni merkaton e rivalëve, a e shihni si një ekip të frikshëm për shkak të afrimeve që ka bërë?
Ç’është e vërteta, nuk më tremb asnjë skuadër. Të gjitha ekipet në Kategorinë Superiore janë aty-aty. Nuk kemi diferenca të mëdha.

Related posts

Spalletti ‘thumbon’ Juven për VAR-in dhe kërkon fitoren ndaj Atalantës

Sadik.Autor

Pësoi dëmtim të frikshëm, Sane i rikthen buzëqeshjen Pep Guardiola-s

Q.Autor

LAÇI-LUFTËTARI/ Përmbyset gjithçka, Gjoni kalon në avantazh vendasit

Isa.Autor

Leave a Comment