Futboll La Liga Sport

NDIZEN POLEMIKAT/ I qeshur te Franca, i zhgënjyer tek Barcelona. Griezmann bëhet çështje e madhe tek “Katalanasit”

Nëse Ronald Kuman mendonte se do t’i zgjidhte problemet e Barcelonës me ndryshimin e skemës, gabohej. Është e qartë se ndryshimi i modulit të lojës ka ndihmuar disa futbollistë dhe imazhin e klubit në tërësi. Kutinjo është më shumë protagonist, Ansu Fati ka siguruar një vend në formacionin titullar, Buskets i ka të mbuluar “krahët” dhe më në fund De Jong luan në rolin e tij. Por, sigurisht që ndryshimi ka edhe efekte anësore dhe një prej tyre është Antuan Grizman. Francezi vazhdon të mos e gjejë ende vendin e duhur në skemën katalanase. Përpara se Kuman të merrte drejtimin e skuadrës tha që do ta aktivizonte në qendër, por e vërteta është që po luan në krahun e djathtë.

E ka të vështirë që të jetë prezent në zonën ku bëhet diferenca dhe vuan shpesh. Francezi nuk është nga ata që kursehet për t’u sakrifikuar në aspektin mbrojtës, por problemi është që u transferua te Barcelona për të shënuar gola dhe për të bërë diferencën në sulm. Përpara ndalesës për kombëtaret u kuptua që Grizi nuk ishte i lumtur. Po merrte shumë kritika për rendimentin e tij, madje edhe nga trajneri Kuman, i cili i kujtoi që me kualitetet që ka duhet të shënonte patjetër një gol në ndeshjen ndaj Sevijes.

SHKËLQEN TE FRANCA – Por problemi është që Grizman shkëlqen te kombëtarja e Francës. Ka më shumë dëshirë dhe kjo duket sikur i mungon te Barcelona. Trajneri Deshamp ka thënë se Antuan nuk është i kënaqur në klubin e tij, por edhe lojtarët e tjerë të Francës janë të bindur që problemi nuk është sulmuesi, por sistemi me të cilin luan te Barcelona. Me modulin që përdor Franca, Grizman shkëlqen më shumë. Ishte protagonist në fitoren kundër Kroacisë duke gjetur rrugën e rrjetës. Grizman është duke kaluar një moment të çuditshëm, pasi në kombëtare është lider, ndërsa te Barcelona është problem. Tani është e qartë që kemi një çështje “Grizman” për të zgjidhur.

“DESHAMP E DI…”- Pas fitores me Francën, Antuan Grizman i lëshoi një sinjal Ronald Kumanit duke thënë se trajneri i kombëtares di mjaft mirë që ta aktivizojë në rolin e duhur. “Mendoj se ishte një nga golat e mi më të bukur. Tentova që ta godisja mjaft mirë topin dhe ia dola. Ndihem shumë mirë. Trajneri di ku të më vendosë në fushën e lojës dhe unë përfitoj nga kjo situatë, nga ky pozicion dhe nga besimi që më jep trajneri dhe shokët. Ishte një ndeshje e luftuar dhe e bukur për t’u parë. Kroacia është një skuadër e fortë dhe ne ditëm të vuanim. E rëndësishme është që fituam. U treguam të zotët në mbrojtje, por edhe në sulm”, përfundoi Grizman.

Related posts

MUNGON ENDE NJË DATË PËR RIFILLIMIN E SERIE A/ Kryeministri Conte: Nuk kemi siguri për të rikthyer sportin

Delo.autor

Sinan Idrizi: Jetë të gjatë mbretit, njësoj si të dënojnë dritat e kuqe të Amsterdamit!

Sadik.Autor

DEFEKT APO….? Rrëzimi i helikopterit ku ndodhej Kobe Brayant, ja se për çfarë dyshohet tashmë

bora.autor

Leave a Comment