Futboll Sport

NGA SIKLETI TEK AVIONI/ 8 orët më të gjata të Tiranës, ja çfarë ndodhi deri në kthimin në shtëpi

Të kualifikohej Tirana në grupet e Euro pa Ligës do të thoshte që skuadra bardheblu të kishte bërë të pamundurën. Në hyrje të stadiumit ku u luajt Jang Bojs-Tirana në fusha pa numër me bar natyral, 10 mijë fëmijë e të rinj luanin futboll e sporte të tjera në impiante të mirorganizuara.

Vetëm kaq do të thoshte shumë për diferencat në infrastrukturë. Për të mos folur për vlerën e klubeve, stadiumin, lojtarët e me radhë. Tetë orët nga fundi i ndeshjes deri në Tiranë kanë qenë nga më të gjatat për të gjithë 55 anëtarët e delegacionit bardheblu.

SIKLETI – Vërshëllima e fundit e gjyqtarit Karasev në sfidën Jang Bojs-Tirana nisi orë të vështira për ambientin bardheblu. Si fillim, gjithë delegacioni kishte udhëtuar direkt në hotel, duke darkuar të parët, ndërkohë që skuadra u largua e fundit nga stadiumi.

Egbo Tirana

Gazetarët që prisnin Emanuel Egbonë në konferencën për shtyp arritën të kontaktonin vetëm në hotel me trajnerin. Për t’u vlerësuar bashkëpunimi i menaxherit Arzen Ramadani, nipi i Fali Ramadanit dhe Kasam Selimi na u gjendën në çdo moment.

INTERMEXO – Nga dhomat e zhveshjes lojtarët dalin të sterrosur. Është normale. Humbja të dërrmon. Për më tepër që ëndrrat e atij mëngjesi kishin qenë nga më të lavdishmet. Një nga një në autobus. Rruga për në hotel së bashku me skuadrën është një “qetësi vrasëse”. Asnjë fjalë. Thjesht me kokë ulur secili struket në sediljet e autobusit.

PRESIDENTI – Te dera gjithë skuadrën e pret presidenti. Refik Halili e mban veten. Madje, është i qetë. Përqafime dhe kthjelltësi. Thotë që ekipi bëri maksimumin dhe se kundërshtari ishte shumë i fortë.

halili logo

DARKA – Darka konsumohet në qetësi dhe askush nuk kërkon të diskutojë për momentin për ndeshjen. Të gjithë mundohen të heqin mendjen nga gjithë ajo situatë e tendosur pas ndeshjes.

Dikush me telefon, ndonjë me gjumë, lojtarët nuk janë në humor. Gjendjen “e vdekur” të hollit në hotelin “Bristol” e prish Kristi Vangjeli dhe penalltitë e Milanit. Shumica e lojtarëve mblidhen rreth tavolinës dhe shohin 11-metërshat. Interistë, milanistë çoç thonë ndonjë fjalë. Në fund batuta rreth ndeshjes së kuqezinjve. Duket sikur ata djem nuk kishin luajtur.

DISKUTIMET – Shumica e lojtarëve merr rrugën e dhomave, ndërsa disa nga titullarët qëndrojnë edhe ndonjë orë. Ndonjë birrë e konsumuar. Në tavolinën e Vangjelit, Kalesë e Halilit bashkohet presidenti Halili. Diskutojnë gjatë për ndeshjen dhe çfarë ndodhi në atë 90-minutësh. Diku më tutje mjeku i skuadrës, fotoreporteri dhe trajneri Egbo kapin një tavolinë dhe diskutojnë. Bashkohen edhe të tjerë.

Halili2 mbledhje

I ngacmuar, Egbo thotë që besonte fazën e grupeve të Champions apo Europa League. Ka edhe nga ata që nuk duan të flenë, sepse e kanë gjumin të rëndë. Holli i hotelit zbrazet në orën 2 pas mesnate. Jo më shumë se dy orë gjumë dhe skuadra merr rrugën e kthimit. Një mëngjes i shpejtë dhe udhëtim drejt Bazelit. Të gjithë në gjumë, duke mos dashur të konfrontohen me realitetin. Ëndrrat ishin ndryshe, ashtu si dëshirat dhe qëllimet e të gjithëve.

ÇOKOLLATAT – “Check out”, nëse mund ta themi kështu, dhe direkt te çokollatat. Më saktë, te “duty free”. Të gjithë blejnë diçka për të afërmit dhe çokollatat janë ato që mbizotërojnë në arkë. Ama, të gjithë të qetë. Askush nuk flet dhe rrallë sheh ndonjë që shkrep ndonjë fjalë.

AVIONI – Ankthi i udhëtimit kthehet në qetësi vrastare. Shumë pak janë ata, të cilët qëndrojnë stoikë nga Bazeli në Tiranë. Kudo gjumë dhe gojë të mbyllura. Askush nuk i vë re 1 orë e 3 minuta rrugë, madje me goxha turbulenca gjatë rrugës që e shkundin jo pak avionin ku qëndrojnë bardheblutë.

Tirana avioni

FJALËT – Vetëm te vulosja e pasaportave ka ndonjë fjalë. Një prej lojtarëve me gjysmë zëri thotë se Jang Bojsi ishte nivel tjetër. Shfajësim, justifikim apo realitet nuk ka rëndësi. Gjithçka tani është mbyllur. Tirana duhet të presë ndeshjen e ardhshme në Europë për të tentuar arritjen e madhe, fazën e grupeve në Champions apo Europa League. Osmani pyet kur mbyllet merkatoja. Është goxha vonë…

MBËRRITJA – Këtë herë nuk ka as tifozë, as flakadanë, as “Tirona Fanatics”, të cilët duhet të ishin aty, edhe pse skuadra e tyre nuk ishte kualifikuar. Duhet të ishin, sepse ata djem, shumica as 20-vjeçarë kanë bërë histori në fushë dhe për këtë e meritonin. Në futboll, rezultatet janë bashkë. Nuk ia kanë dalë ekipe më të mëdha se Tirana e jo më bardheblutë që, gjithsesi, mbeten më të mirët e Shqipërisë.

Related posts

Mourinho e nxjerr në shitje, Pogba drejt largimit nga Man.United

Sadik.Autor

U RIKTHYE PAS 5 SEZONESH TEK PUKJANËT/ Mbrojtësi Lila: Nuk i thosha dot “jo” Tërbunit

Delo.autor

Rrëfehet De Boer: Ja pse dështova tek Interi

Q.Autor

Leave a Comment