Emanuel Egbo është gati për të nisur luftën për titullin e dytë kampion. Pas vendimit të Ligës dhe FSHF-së për të nisur kampionatin, trajneri i bardhebluve është i kënaqur me nisjen e futbollit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Egbo sqaroi në detaje gjithë kampionatin e Tiranës. Zbuloi kundërshtarët që do të ketë skuadra e tij për titull si dhe nuk ngurroi të thoshte se ekipi i sivjetshëm ka dëmtime, ndërsa reparti më problematik mbetet mesfusha. Në fund dy fjalë për Kukësin, kundërshtarin e parë të sezonit që bardheblutë e nisin si kampionë të Shqipërisë
Më në fund nis kampionati. Do të luhet futbolli ashtu siç keni kërkuar gjatë gjithë këtyre javëve?
Normale që është një zhvillim i mirë për të gjithë sportdashësit dhe skuadrat apo pjesa e sportit. E para, jemi të kënaqur që arritëm marrëveshjen. Pra, ka një kontratë gojore mes qeverisë, FSHF-së dhe Ligës Profesioniste për pikat që kanë kërkuar. E konsideroj që kjo është arritja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në futbollin shqiptar. Kënaqemi edhe ne si sportistë, sepse për ne nisja e kampionatit është ajo që kërkonim, pra që të luajmë futboll. Është një lajm i madh për tifozët që më në fund do të shohin skuadrat e tyre të zemrës. Kanë pritur pa fund për të parë futboll brenda stadiumit.
Nuk e nisni sezonin me kampionatin, por me Kupën e Shqipërisë. Një parapërgatitje për Kategorinë Superiore?
Mendoj që është një vendim dhe veprim i mirë nga federata, sepse nisja me Kupë na jep mundësi të marrim ritmin. Shpresojmë që të kemi pesë ndërrime. Kjo, sepse duke qenë ndeshjet e ngjeshura, mund të sjellë probleme për çdo ekip.
Tirana është gati për të luajtur në kampionat si skuadra që do të mbrojë trofeun?
Kemi bërë gjithçka mirë për të qenë gati me lojë. Ana psikologjike ishte problem. Lojtarët nuk e dinin kur niste gara dhe ishin të hallakatur. Tani e dinë të gjithë kur nisin ndeshjet dhe janë të përqendruar. Do të futen në binarë apo diçka të tillë për të qenë gati emocionalisht, psikologjikisht dhe fizikisht. Duhet të punojmë më shumë në stërvitje për të arritur formën maksimale.
Sa ndikojnë mungesat e treshes së dëmtuar Çelhaka, Toshevski e Kale tek ekipi i Tiranës? Janë shumë për një 11-she?
Nuk është e lehtë të menaxhosh një skuadër me kaq mungesa. Të tre janë lojtarë formacioni. Sidomos Çelhaka dhe Kale që kanë qenë pjesë e ekipit dhe kishin peshë në titullin e fituar janë shumë të domosdoshëm. Plus Toshevski ka luajtur në të tria ndeshjet e Europës në Champions dhe Europa League. Ai e ka treguar veten aty. Janë mungesa që na ndikojnë. Shpresojmë që ata lojtarë që do të zëvendësojnë të bëjnë mirë. Shpresoj të riparohemi dhe të riaftësojmë lojtarët e dëmtuar sa më shpejt. Sidomos në mesin e fushës, duhet zgjidhje, ndërsa në krah është më e thjeshtë për ta mbuluar mungesën e një lojtari. Duhet ta pranoj që në mesfushë kemi pak probleme. Gjithsesi, shpresoj që çdo lojtar të aktivizohet, të bëjë të pamundurën për të mos dëmtohemi.
Niseni si kampionë dhe do të pretendoni titullin. Cilët janë kundërshtarët që keni më shumë “frikë”?
Frikë nuk kemi asnjë kundërshtar. Mendoj që disa skuadra janë pretendente për të fituar titullin kampion. Janë disa ekipe të forta. Nuk besoj se ka skuadër futet në kampionat dhe nuk ka qëllim të fitojë titullin apo të shkojë në Europë. Janë të gjitha skuadra të forta. Sidomos ekipet që luajtën në Europë janë shumë të forta. Kanë ndërtuar ekipe shumë të mira dhe duhet të ruhemi. Edhe Partizani që nuk luajti në Europë, sërish ka kontingjentin e duhur. E kam thënë disa herë që ata vetëm dy lojtarë kanë larguar dhe janë rivalë për kampionatin. Më pas janë Laçi, Teuta, Kukësi. Të mos harrojmë ata që kanë ardhur nga Kategoria e Parë, Apolonia. Harrova edhe Vllazninë. Të gjitha ekipet do të jenë kockë e fortë për t’u ndeshur.
Do të luani javën e parë me Kukësin. Si e shihni këtë sfidë dhe kundërshtarin që do të keni përballë?
Nuk dihet se çfarë kundërshtari do të kemi përballë nesh. Është një e panjohur. Nuk e dimë çfarë lojtarësh kanë, çfarë ekipi kanë, si luajnë. Të gjitha këto do t’i zbulojmë në javën e parë. Po kështu do të jetë i gjithë kampionati. Ose më saktë faza e parë kur duhet të njihesh me forcën e kundërshtarit, si luajnë dhe çfarë lojtarësh kanë. Është një ndeshje ku do të vlerësojmë se si jemi fizikisht e psikologjikisht. Me Kukësin do të shohim nëse jemi gati për të luajtur kampionatin me shpejtësinë maksimale.
