Futboll Sport

REAL MADRID-INTER/ “Klasikja” e harruar e Europës. Sa shumë histori, përmbysje dhe gola në të shkuarën

Rrugët e tyre nuk kryqë zohen në Europë që nga viti 1998, por kanë shkruar historinë dhe disa nga betejat më të rëndësishme të futbollit kontinental. Real Madrid-Inter ka qenë gjithmonë një duel spektakolar dhe mund të quhet një nga sfidat më të mëdha të Europës. Është një ndeshje në fazën e grupeve, por ka shijen e një “finaleje” sepse e kanë nisur keq rrugëtimin e tyre në Champions dhe një ekip rrezikon të mbetet në grupe. Në futbollin modern kanë pasur pak duele, por në të shkuarën ka qenë pikërisht Interi që ndërpreu hegjemoninë fituese të Realit të Madridit në Europë.

FINALJA E VJENËS – Në 27 majin e vitit 1964, Interi i Helenio Herrerës fitoi Champions-in e parë. Ishte finalja e parë përballë një rivali të frikshëm si Reali i Madridit që kishte fituar 5 herë këtë trofe me legjendat Di Stefano, Gento dhe Pushkash. Por magjistari “HH” fitoi 3-1 me dopietën e Macolës. Një vit më vonë, zikaltrit shkuan sërish në finale dhe fituan kundër një tjetër legjende: Eusebios dhe Benfikës së tij.

HAKMARRJE – Trofeu i gjashtë i Realit të Madridit u fitua në Bruksel kundër Partizanit. Përpara se të shkonin në finale duhet që të eliminonin një nga skuadrat më potente të Europës, Interin. “Do të jemi patjetër në finale. Prisni thjesht 2-3 ndeshje”, tha Helenio Herrera, trajneri i Interit. Gaboi. Reali fitoi me një gol të Pirrit në minutën e 13-të dhe u mbrojt sepse Bentancort u dëmtua. Në atë kohë nuk kishte zëvendësime. Në ndeshjen e kthimit me Araqistanin në portë, madrilenët gjetën golin me Amancion në 30 minuta. Faketi barazoi 10 minuta nga fundi, por vetëm kaq. “Janë të mirë, por kanë shumë fat”, shpjegoi i zemëruar Herrera.

HEROI SUAREZ – Interi u rikthye sërish në finalen e vitit 1967, të cilën e humbi kundër Sëlltikut në Lisbonë. Nga ky rezultat u trondit Europa. Por përpara se të shkonin në finale, zikaltrit u përballën sërish me Realin e Madridit. Humbja 1-0 në transfertën e Milanos u konsiderua si diçka e lehtë për t’u përmbysur, por në “Bernabeu” nën udhëheqjen e legjendës Luis Suarez, Interi fitoi sërish 0-2 dhe u kualifikua.

REZISTENCË NË “SAN SIRO” – Deri në vitin 1981, dy skuadrat nuk u përballën më me njëra-tjetrën. Ishin gjysmëfinalet e Kupës së Europës. Reali nuk kishte shkuar më në finale që nga viti 1966, ndërsa Interi që nga viti 1972. Huanito dhe Santija firmosën fitoren 2-0 në “Bernabeu”, ndërsa në San Siro humbën me golin e kapitenit zikaltër Bini, por vetëm kaq. Në finale shkoi Interi dhe humbi kundër Liverpulit në Paris.

MAKTH – Reali i Madridit dhe Interi u përballën në një tjetër kompeticion europian në vitin 1983 dhe zikaltrit u eliminuan nga Reali. Ndeshja e parë 1-1 dhe goli i Altobelit komplikuan planet e “Galaktikëve”, por Salguero dhe Santijana arritën ta përmbysnin rezultatin. Kjo përmbysje u shndërrua në makth për Italianët.

SA PËRMBYSJE – Dy Kupat UEFA të fituara nga Reali i Madridit në vitet 1985- 1986 kanë diçka të përbashkët: përmbysjet e frikshme (Anderleht, Gladbah dhe Inter). Zikaltrit u eliminuan në gjysmëfinale. Në prillin e vitit 1985, Reali i Madridit u shkatërrua 2-0 në “San Siro”. Ajo mbrëmje në një hotel në Milano ishte fatale për trajnerin dhe në krye të Realit erdhi Molovni. “90 minutat në ‘Bernabeu’ do të jenë shumë të gjata”, tha ai. Dhe ashtu ishin. Dy golat e Santijanës barazuan eliminatoren dhe pastaj për 30 minuta Miçel shënoi golin e fitores për Realin. E njëjta gjë u përsërit edhe një vit më vonë. Interi fitoi 3-1 në “San Siro”, por e dinin që do të ishte e vështirë sfida e kthimit. Pas 30 minutash lojë, Reali po fitonte 2-0 dhe e çoi ndeshjen me penallti. Bredi dhe Hugo Sançez shënuan të parët duke e çuar ndeshjen në shtesë. Santijana shënoi 2 herë. Ai u bë “vrasësi” i Interit me 5 gola në 3 ndeshje.

SHOU I ROBERTO BAXHOS – Në ndeshjen e parë në Champions pas fitores së trofeut të shtatë, Reali u përball me Interin. Ndeshja u luajt në “Sançez Pizjuan”. Hierro shënoi me penallti dhe Sedorf në minutën e fundit mposhtën zikaltrit. Por sfida e kthimit e fazës së grupeve ishte një “shou” i Roberto Baxhos, i cili udhëhoqi zikaltrit në fitoren 3-1. Dy golat e tij ishin të rëndësishëm për triumfin, ndërsa Zamorano shënoi golin e tretë. Sfida e radhës është sot në “Valdebebas”. Është një duel për jetë a vdekje mes të dyja skuadrave, të cilat kanë bërë histori dhe kanë sfiduar shpesh në të shkuarën njëra-tjetrën.

Related posts

PAS THASHETHEMEVE/ Merr fund romanca e Xherdan Shaqirit me këngëtaren shqiptare, çifti ndahen vetëm pas pak muajsh

Delo.autor

LIVE/ Ndalet loja në Korçë: Tifozët e Skënderbeut gjuajnë me topa bore lojtarët e Partizanit (VIDEO)

Delo.autor

SHKËLQEU ME ROMËN/ Dy “gjigantët” anglezë duan turkun e verdhekuqve

Isa.Autor

Leave a Comment