Futboll Seria A Sport

“RONALDO U INATOS SHUMË NË NJË RAST”/ Uzuni pas debutimit në Champions: Ndjesi e veçantë të luaja kundër Juventusit

Në momentin e formës së tij më të mirë, një dëmtim e la jashtë ndeshjeve të tetorit me Kombëtaren. Më pas, fatin që i dha shorti i Ligës së Kampionëve, për të qenë në një grup me Mesin dhe Ronaldon, ia hoqi Koronavirusi

Ky virus që ka pushtuar të gjithë botën bëri që Myrto Uzuni të humbiste ndeshjen e parë në “Camp Nou”, por nuk e la dot jashtë përballjes me Juven. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi i Kombëtares tregon periudhën e izolimit, simptomat, por edhe ndjesinë përballë bardhezinjve dhe yllit portugez, Ronaldo.

Uzuni, luajtët për herë të parë në fazën e grupeve të Champions-it. Çfarë emocioni ishte?

E jashtëzakonshme. Ishte një ndjesi shumë e bukur pasi unë gjithmonë i kam parë nga televizori ata lojtarë dhe atë kompeticion. Ishte diçka shumë e bukur që të debutoja në Champions përballë një ekipi të madh si Juventusi. Jam shumë i lumtur për këtë ëndërr të arritur.

Si ishte ndjesia të kishit në krah lojtarët e Juventusit nëpër korridore, para ndeshjes?

Si ta them. Habi… Përshtypje të bënte që në momentin kur i pashë të vinin, të dilnin në fushë ata lojtarë që unë gjithmonë i kam ndjekur vetëm nëpërmjet televizorit. Dhe ishte një ndjesi e veçantë ideja që unë do kisha mundësinë të luaja pikërisht kundër tyre.

Çfarë ju bëri më së shumti përshtypje?

Ajo që më befasoi më tepër ishte si të thuash uria e Ronaldos.

Në ç’kuptim?

Humbi një rast dhe bërtiste sikur të kishte ndodhur vërtetë diçka e madhe. Ishte vetëm fillimi i ndeshjes, mbase minuta e dytë, ai goditi jo mirë një top dhe u çmend fare. U inatos shumë.

Patët mundësi që të flisni me të, të përshëndeteni?

Jo, para apo pas ndeshjes nuk pata asnjë mundësi. Vetëm te rasti i golit që shënuam ne, pati një lloj përgjigje shumë të shkurtër.

Çfarë po flisnit?

Ai ishte duke i thënë arbitrit që bëri faull.

Ju, çfarë i thatë?

I thashë vetëm që “Kris, nuk ishte faull”. Vetëm kaq. Dhe ai më tha vetëm “OK”. Mbaroi aty për aty ai diskutim.

Në ndeshje të tilla, të gjithë e duan një fanellë të tij. Ia kërkuat Ronaldos, siç edhe patët thënë ditën e shortit për “Panorama Sport” se do t’ia kërkonit fanellën Ronaldos?

Jo, nuk ja kërkova dhe as nuk e pashë nëse ia kërkoi njeri apo jo. Sapo mbaroi ndeshja, jam futur menjëherë në dhomat e zhveshjes. Më pas, menjëherë trajneri më tha që të bëj vrapime pas ndeshjes.

Pse kjo zgjedhje për ju?

Jo vetëm unë, por të gjithë ne lojtarët që nuk morëm minuta mjaftueshëm ose ata që nuk luajtën fare. Pra gati gjysma e ekipit bëmë vrap pas ndeshjes.

pjimage-1-1

Ju vjen keq që humbët një mundësi të tillë?

T’ju them realisht që isha shumë i lumtur që u riktheva pas kaq shumë ditësh në fushë. Më kishte munguar shumë. Në momentin që u futa të luaj, nuk e mendova për një moment se kisha përballë Ronaldon apo Dibalën dhe vetëm shijova gëzimin që po rikthehesha të luaj.

Çfarë vlerësimesh patët për ato pak minuta?

Nuk është se peshojnë shumë, por referuar faqes “Sofa Score”, pas Moratës me notën 8.5 dhe Rabio me 7.4. në skuadrën time jam unë me notën më të lartë 7.4.

Si ka mundësi që u aktivizuat, duke mos qenë as në grumbullim dhe pa stërvitje?

Ishte trajneri ai që më dha mundësinë dhe më dha moral. U ndjeva shumë mirë nga vlerësimi i tij, pas vetëm një seance stërvitore që kisha bërë. Realisht kjo më ndihmon shumë, pasi më vlerësojnë shumë në skuadër dhe për këtë jua jam mirënjohës dhe borxhli për ta shpërblyer në fushë.

U rikthyet pasi kaluat Koronavirusin. Si ishin ditët në izolim?

Shyqyr Zotit, unë nuk kam pasur asnjëherë dëmtim të rëndë që të më duhet të qëndroj gjatë jashtë fushave të lojës. Por e provova tani me virusin që isha i detyruar të qëndroja në shtëpi i izoluar.
uzuni-postim

Çfarë simptomash keni përjetuar?

Kam pasur vetëm temperaturë pak ditë. Dhe kisha dhimbje të shpinës. Vetëm se kam qenë shumë i mërzitur gjatë kësaj periudhe.

Shumë ditë me temperaturë?

Jo, fatmirësisht jo. Vetëm dy ditë.

Kush ju shërbeu gjatë këtyre ditëve?

Kam familjen këtu. Ata më shërbenin me shumë kujdes dhe masa. Nuk dua të ndalem gjatë. Shyqyr që kaloi dhe u riktheva të luaj.

Si u kujdesën për ju në këtë situatë të vështirë?

Kam qenë shumë i mërzitur dhe i mbyllur në vetvete, pasi kisha punuar shumë për ato ditë. Kisha kontribuar për ekipin dhe prisja me padurim që të isha në ato takime. Mirëpo, mbyllur në dhomë ishte edhe më e vështirë, pasi më mungonin edhe stërvitjet apo të dalat normalisht. Familja më shërbente me shumë kujdes. Ato ditë kam qenë duke ngrënë veten me dhëmbë si të thuash nga padurimi për t’u kthyer në fushë.

Si u bëtë gati për ndeshje, pasi për më shumë se dy javë qëndruat në shtëpi?

Pas 20 ditësh dola negativ. Në fakt unë jam pa stërvitje. Kam bërë vetëm pak ushtrime për muskujt e barkut në shtëpi dhe pompa. Shumë pak sa për të thënë që po bëj stërvitje. Është e papërfillshme kur nuk stërvitesh me topin apo kur nuk ushtrohesh në fushë. Sidomos në lidhje me frymëmarrjen.

Ku mendoni se e morët virusin?

Nuk e di. Realisht…
Mesi penallti
Humbët mundësinë për të luajtur ndaj Barcelonës dhe Mesit. Keqardhje apo jo…

Në fakt, isha shumë keq psikologjikisht ato ditë. U mërzita shumë. Fatmirësisht janë gjëra të hedhura pas krahëve dhe tani jam i lumtur që u riktheva dhe më duhet të punoj fort për të rigjetur formën time.

Jo vetëm kaq, por një dëmtim ju la jashtë ndeshjeve të Kombëtares në tetor, pasi po kalonit formë shumë të mirë…

Më ka mbetur si të thuash peng kjo gjë. Pasi isha duke kaluar një formë të mirë, po shënoja dhe isha protagonist me ekipin tim. Ishte fiks momenti që prisja në Kombëtare, për të dhënë kontributin tim, pasi kisha mundësi të luaja nisur edhe nga mungesat e shumta që kishim. Doja të ndihmoja Kombëtaren dhe të tregoja veten, por për fat të keq s’pata mundësi. Më i rëndësishëm se çdo gjë është shëndeti dhe tani jam i gëzuar që jam gati të rikthehem në fushë si më parë. Çdo që i përket të shkuarës dhe do rikthehem edhe më i fortë.
GettyImages-1014734434
Si ju duket jeta në Hungari, sa jeni përshtatur me vendin apo edhe ushqimet?

Jeta në Hungari më duket shumë e mirë. Jam përshtatur shpejt, pasi njerëzit janë shumë të afrueshëm. Më duan dhe më respektojnë shumë. Edhe për ushqimet nuk kam pasur probleme, pasi është thuajse njësoj.

Sa larg e keni qendrën stërvitore të ekipit dhe sa orë në ditë jeni në stërvitje?

Unë jetoj në qendër të Budapestit dhe për në stërvitje më duhen thuajse 15 minuta me makinë. Në fakt, stërvitje dy orë në ditë bëjmë, por kaloj shumë orë në qendrën stërvitore. Bëj edhe palestër pas stërvitjes. Ndodh ndonjëherë që nuk më bëhet të kthehem në shtëpi, aq rehat është atje (qesh…). Pas stërvitjeve, bëjmë seanca masazhesh për t’u rikuperuar, kemi edhe sauna apo xhakuzi. Qëndroj atje nga ora nëntë e mëngjesit deri në 13:00 apo 14:00 të drekës.
UZUNI KOMBETARJA
Tani po afron Kombëtarja, a jeni gati për ndeshjet e nëntorit?

Kur vjen puna te Kombëtarja, është një ndjenjë tjetër. Të gjithë lojtarët janë gati. Për të qenë i sinqertë, fizikisht nuk jam në 100%, pasi jam pa stërvitje. Mirëpo, sa i përket dëshirës dhe motivimit nuk mungojnë asnjëherë për atë fanellë. Është më e dëshiruara për gjithkënd.

Related posts

I JASHTËZAKONSHËM/ Granit Xhaka ndëshkon Chelsea me një SUPER GOL nga goditja e dënimit (VIDEO)

Delo.autor

AKORDI VLLAZNIA-DA SILVA/ Shkresë në FSHF për pagat, ja prapaskenat me fantazistin brazilian…

Delo.autor

FUNDI I NJË EPOKE/ Nga basti me akullore te dieta dhe origjina italiane, ja sekretet e “Jashtëtokësorit”…

Delo.autor

Leave a Comment