Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ TIRANËS/ Ankth për trajnerin Martini, dy titullarët rrezikojnë të mungojnë ndaj “bardhebluve”

Teuta e nisi sezonin e ri me një barazim 1-1 ndaj Skënderbeut. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini barazoi në Durrës, ndërsa sfida e radhës do të jetë ndaj kampionëve në fuqi, Tiranës. Stafi teknik së bashku me lojtarët kanë nisur menjëherë nga puna për këtë ndeshje dhe shqetësimet për trajnerin Martini janë Emiliano Vila dhe Florent Avdyli. Vila u dëmtua gjatë përplasjes me portierin Stivi Frashëri dhe luajti minutat e mbetura i fashuar e gjithashtu në stërvitje ka qenë i pranishëm me fashë në pjesën e kokës.

DËMTIMET – 32-vjeçari ka një të çarë pas veshit e kjo e vë në dyshim për sfidën ndaj Tiranës. Trajneri Martini pritet të marrë vendim gjatë këtyre ditëve nëse do ta hedhë në fushë nga minuta e parë Vilën apo jo. Megjithatë, ditën e djeshme, blutë janë përballur me një lajm të keq. Një nga lojtarët më në formë të ekipit, Florent Avdyli, ka pësuar një dëmtim ndaj Skënderbeut në pjesën e poshtme të këmbës dhe e ka pasur të pamundur të vazhdojë stërvitjen me pjesën tjetër të skuadrës. Sipas asaj që raportohet në kampin blu, kosovari është larguar nga stërvitja dhe ka kryer disa vrapime dhe fizioterapi. Futbollisti ka pasur një fryrje të kyçit të këmbës së majtë dhe nuk dihet nëse do jetë gati për skuadrën në ndeshjen e javës së 2-të, ndaj Tiranës. Nuk dihet ende se sa do mungojë Avdyli, por ky është një problem për Martinin, pasi lojtari po kalonte një formë të shkëlqyer. Lajmi i mirë në kampin durrsak është rikthimi i sulmuesit Blerim Krasniqi që ka lënë pas dëmtimin. Sfida ndaj Tiranës do të luhet ditën e diel në orën 13:45 në stadiumin e Pogradecit.

FORMACIONI – Teuta do të ndryshojë për ndeshjen e dytë të kampionatit dhe në fushë pritet një 11-sh thuajse tjetër. Edi Martini duket se do të përmbysë rreshtimin e skuadrës. Në pikëpyetje janë disa pozicione në formacionin titullar. Lajmi i kryesor është porta, aty ku Stivi Frashëri do jetë në balotazh me Bobi Çeleskin. Gjithsesi, Edi Martini e sheh maqedonasin në portë të avantazhuar për fanellën e titullarit, por çdo gjë do shihet në seancën e fundit. Ndoshta në mungesë të Avdylit në mesfushë, një mes Karabecit dhe Dajës do ta nisë ndeshjen në krah të Aleksit. Sigurisht gjithçka është hipotezë, pasi gjendja e Avdylit mund të përmirësohet deri në ditën e ndeshjes. Problem mbetet krahu i djathtë me Emiliano Vilën që mund ta ketë të pamundur. Edhe dje, Vila nuk ka qenë pjesë e grupit për arsyen e dëmtimit në kokë. Në rast mungese, plani i parë është që të aktivizojë Lorenco Vilën në atë pozicion, ndërsa plani i dytë është spostimi i Bregut majtas, gjë e cila do të hapte edhe një vend në sulm, pozicion për Blerim Krasniqin si sulmues të dytë krah Hebajt.

NDRYSHIMET – Të gjitha këto lëvizje, që janë pothuajse gjysma e formacionit, nënkuptojnë shumë për boshtin e bluve dhe mënyrën e lojës. Ama projektet janë vetëm në letër, sepse Martini, paçka eksperimenteve që bën në stërvitje, në fushë ka treguar se për ndeshjet nuk preferon shumë revolucione, por i përmbahet planit “A”. Gjithsesi, do të shihet para sfidës më Tiranën dhe me synimin për titull, në Pogradec do të kërkojë maksimumin, ndonëse nuk e ka të lehtë me bardheblutë.

Related posts

RIVER PLATE – BOCA JUNIORS/ CAS merr vendimin përfundimtar për finalen , ja verdikti…

Isa.Autor

“NE JEMI NJË NGA FAVORITËT”/ Lewandowski jep kushtrimin e fortë, “kërcënon” rivalët e Champions League

Delo.autor

Dy lajme të mira në një ditë për ekipin e Partizanit

Sadik.Autor

Leave a Comment