Futboll Sport

VRAPOI SI I “ÇMENDUR” NË 15 MINUTAT E FUNDIT/ Mesfushori Tafili: Vitet janë numra, shikoni Ibrën e CR7. Rivali ynë është…

Alsid Tafili ndihet i rilindur te Besa. “Motori” i mesfushës së kavajasve i habiti ata pak të pranishëm në Luz. Edhe pse i ka kaluar të 33-at, në 15 minutat e fundit u bë “zot” i fushës.

Shfaqi grintë, pasion dhe shumë presing në portën e Pogradecit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai tregon se vitet janë thjesht numra për të, madje nuk ngurron që me batutë ta krahasojë veten me Ronaldon dhe Ibrahimoviçin. Nuk kishte si të mos fliste për startin e këtij sezoni, rivalët dhe objektivat.

Ndaj Pogradecit vrapuat si një 20-vjeçar…

Të gjithë kemi vrapuar. Ju, me sa kuptoj, u referoheni minutave të fundit, kur unë avancova shumë përpara.

Cili është sekreti i kësaj forme?

Nuk ka asnjë sekret, përveç disiplinës së rreptë në stërvitje e regjimit. Personalisht, çdo stërvitje e çmoj maksimalisht e mundohem të përfitoj sa më shumë. Kësaj i shtoj dhe stërvitjen individuale, ndërkohë që mbaj regjim pushimi strikt. Mos harroni se sot, dy lojtarët më në formë në botë janë Ibrahimoviç e Ronaldo, çfarë tregon se mosha është thjesht një numër. E rëndësishme është se sa i ri ndihesh (qesh).

Besa ka qenë “flakë” në këto dy sfida, të kënaqur me pikët?

Besa i ka plotësuar pritshmëritë në këto dy sfida të para. E them këtë, pasi për mua themelore mbetet loja që ekipi arrin të prodhojë e jo pikët. Pavarësisht humbjes në Lushnjë apo fitores me Pogradecin, ne prodhuam futboll të njëjtë në dy takimet. Dominuam ndeshjet, krijuam shumë raste për gol dhe shënuam. Nëse me Lushnjën humbëm, me Pogradecin thjesht ishim më të saktë përpara porte. Gjykuar nga loja, them se jemi në pritshmëritë tona.

Kohë për pushim nuk ka, pasi afron Kupa e Shqipërisë. Jeni gati për të sfiduar Kukësin?

Do të luajmë shanset tona me Kukësin. Dihet se kuksianët kanë një ekip cilësor, me shumë blerje, por ne do të mundohemi të shfrytëzojmë gjendjen momentale që po kalon Kukësi. Do të synojmë fitoren dhe kualifikimin, por jo çdo gjë varet vetëm nga ne.

Duke u kthyer te kampionati, cilin sheh Tafili si rival të Besës për kreun e Grupit B?

Mos ma merrni për mungesë modestie apo mendjemadhësi, por Tafili sheh si kundërshtar të Besës vetëm Besën. Them kështu, pasi jemi ekipi më i kompletuar me cilësi, ambicie dhe futbollistë. Gjithçka varet vetëm nga këmbët tona. Nëse do të dimë të bëjmë atë që ne dimë të bëjmë më mirë, ju siguroj se ne do të jemi udhëheqësit e Grupit B në kampionat. Rivalitetin e kemi vetëm me gabimet tona apo suksesin tonë në çdo takim dhe asgjë tjetër.

Related posts

DËMTIMI I FRIKSHËM I MESFUSHORIT TË TIRANËS/ Reagon mjeku i Vllaznisë: Situata e tij është e…

Delo.autor

CONFERENCE LEAGUE/ Trajneri Daja i ka fiksuar titullarët, ja formacioni i mundshëm ndaj Bazelit…

Delo.autor

MIQËSORE/ E pabesueshme në Poloni-Ukrainë, shikoni si shënon “Pistoleta” Piatek (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment