Champions League Futboll Sport

BARCELONA-JUVENTUS/ Ja 5 arsye pse “Bardhezinjtë” shpresojnë të marrë vendin e parë në “Camp Nou”…

Që Barcelona nuk po kalon një moment të mirë, kjo nënvizohet prej javësh, me median që sjell dhe vazhdon të gërmojë mes statistikave të saj, duke parë 14 pikët e grumbulluara në kampionat, pas 10 javësh të luajtura. Diçka e tillë kuqebluve nuk u ndodhte që nga sezoni 1987- 1988, 33 vite më parë, dhe shumë kanë nisur të shqetësohen.

Kjo shifër bën rimë me faliment dhe përpara përgjegjësisë janë vënë trajneri Kuman, por edhe liderët kryesorë të skuadrës. Gjithsesi, ajo që mban disi me shpresë Barcelonën është vetëm Liga e Kampioneve, aty ku i kanë fituar 5 ndeshjet në grup, por ndoshta përballja me Juventusin vjen në momentin më të keq për spanjollët, duke parë edhe kritikat që kanë nisur të vërshojnë edhe drejt Lionel Mesit.

Ky i fundit jo vetëm që nuk po shënon më, por në të njëjtën kohë duket sikur ka humbur edhe aftësitë e tij në driblim, por mbi të gjitha duket se mes tij dhe skuadrës katalanase tashmë krisja duket totale. Megjithatë, dueli i rigjetur me Kristiano Ronaldon, pas tri vitesh nga ai i fundit mes tyre në La Liga, ndoshta do ta stimulojë “Pleshtin”.

Champions League - Group G - Juventus v FC Barcelona

JUVJA SHPRESON – Por, ndërkohë, edhe Juventusi që do të zbresë sot në fushë nuk është ai i ndeshjes së vajtjes në Champions. Bardhezinjtë rigjejnë mbi të gjitha Ronaldon, i cili humbi takimin me Mesin prej COVID-it.

Në “Allianz Stadium” përfundoi 2-0 për katalanasit, por edhe pse si spanjollët dhe Juventusi janë kualifikuar, italianët kanë 5 armë më shumë për të kërkuar që jo vetëm të fitojnë në “Kamp Nou”, por nëse arrijnë të fitojnë minimalisht 3-1 (apo ndoshta edhe më thellë se kaq), mund të kualifikohen të parët në grup dhe kjo do të thotë që të kenë një short më të lehtë për në 1/8-at e Champions-it.

Dhe janë 5 arsyet ose rikthimet për sfidën e sotme se pse “Zonja e Vjetër” shpreson që të bëjë përmbysjen e madhe në Barcelonë:

1) URIA E KRISTIANOS – Sigurisht që nuk kishte se si arsyet të mos nisnin nga Kristiano Ronaldo. Portugezi sapo ka prekur kuotën e pabesueshme të 750 golave dhe sigurisht që në ritakimin me Mesin, ndaj të cilit në Champions nuk ka festuar kurrë, CR7 kërkon natën magjike dhe, pse jo, atë rezultat fantastik, i cili mund ta katapultonte Juventusin në vendin e parë në grup.

2) “KOLONA” DE LIGT – Nëse Juventusi ka pasur një siguri më të madhe në muajin e fundit në mbrojtje, kjo lidhet mbi të gjitha nga rikthimi i Matajs de Ligtit në repartin e mbrojtjes. Holandezi është një mbrojtës që pakkush e ka në dispozicion. 20-vjeçari ndoshta është mjeshtri i markimeve dhe lojtari që di si të lidhë më së miri prapavijën me mesfushën. De Ligt di se si të paraprijë kundërshtarët dhe ndoshta sot do të shndërrohet në hijen e Mesit, i cili edhe pse jashtë forme, në mbrëmje si kjo mund të shpërthejë.

3) RIKTHEHEN KRAHËT – Në ndeshjen e vajtjes me Barçën, Juventusi stonoi mbi të gjitha në lojën nga krahët, por me rikthimin në dispozicion të Aleks Sandros, “Zonja” ka më shumë hapësira, sidomos në të majtë, ndërsa në të djathtë Pirlo ka luksin që të zgjedhë dhe të alternojë Kuadradon me Danilon.

4) NJERIU I CHAMPIONS-IT – Siguria e Juves para Barçës quhet Alvaro Morata. Bomberi spanjoll, autor i 6 golave në 5 ndeshje europiane, do të kërkojë një hakmarrje ndaj katalanasve për finalen e humbur në vitin 2015, në të cilën shënoi golin e vetëm bardhezi. Por, në të njëjtën kohë, një statistikë e frikshme thotë se dyshja Ronaldo-Morata është më produktivja, me një gol të shënuar çdo 38 minuta lojë (11 në total në 422 minuta).

5) ADN-JA E RIGJETUR – Juventusi që deri 1-2 muaj më parë dukej i fikur kur kalonte në disavantazh, ndoshta nuk ekziston më dhe fitorja me përmbysje në derbi, në 12 minutat e fundit të lojës, tregon se “Zonja” ka rigjetur shpirtin agresiv, atë zemrën prej luani që nevojitet pikërisht në mbrëmjet kur gjen përballë Barçën e Mesit.

Related posts

Nagatomo lojtar i Galatasaray, për 2.8 milionë euro

Sadik.Autor

KORONAVIRUSI/ Talenti i Kosovës tregon si e kuptoi që ka COVID-19

Delo.autor

Messi ‘fenomenal’, dhjetë sezone në La Liga me mbi 20 gola

Q.Autor

Leave a Comment