Futboll Kategoria Superiore Sport

“FRYMËZOHEM NGA RONALDO DHE E KAM SI UDHËRRËFYES”/ Sulmuesi Hoxhaj: Thyej tersin e vlonjatëve në Shkodër

Kishte shënuar tre gola në një ndeshje, por katër sulmuesi vlonjat i bëri realitet me fanellën e Vllaznisë. Heroi i suksesit të djeshëm, Ardit Hoxhaj, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pohoi se kërkon të thyejë “tersin” e lojtarëve vlonjatë, të cilëve nuk u ka ecur në Shkodër apo anasjelltas.

Ai pohon se frymëzohet nga Kristiano Ronaldo dhe beson se do të realizojë ëndrrën me kuqeblutë. Hoxhaj tregon edhe marrëdhëniet me shokët e ekipit dhe përshtatjen me Shkodrën, duke e mbyllur intervistën me dialekt shkodran.

Kur keni shënuar me parë 4 gola apo kjo është hera e parë?

Është hera e parë që shënoj katër gola në një takim. Tre gola kam shënuar, por katër ishte hera e parë dhe ndihem tepër i lumtur.

Edhe pse nuk keni luajtur shpesh titullar, jeni golashënuesi i ekipit. E kishit menduar ndonjëherë këtë që kur jeni bërë pjesë e Vllaznisë?

E kisha menduar që te Vllaznia do të zhvilloja një sezon të mirë. Megjithatë, këtu dua të falënderoj pa masë atë që më besuan dhe tani po mundohem që të bëj më të mirën e mundshme.

Cili lojtar në futbollin botëror ju frymëzon?

Kristiano Ronaldo është një nga lojtarët që më frymëzon dhe e kam si udhërrëfyes. Një lojtar me të gjithë cilësitë e mira dhe që stërvitet në maksimum.

Duke parë edhe rivalët e tjerë në luftën për titull, mendoni se Vllaznia ka më tepër shanse që ta fitojë këtë kampionat?

Mendoj se jemi në rrugën e duhur për titull dhe shpresoj që të mbajmë këtë ritëm edhe në vazhdimësi.

Cilin ekip shikoni si rival deri në fund për titull?

Nuk është një skuadër. Janë katër-pesë ekipe që do të kërkojnë të jenë në Kupat e Europës në fund të këtij sezoni.

Cila është çmenduria që mund të bëni nëse fitoni titullin dhe shpalleni kryegolashënuesi i këtij kampionati?

Vërtet nuk e kam menduar që të fitoj “Këpucën e Artë”, por që të shpallem kampion ndoshta. S’e di çfarë mund të bëj.

Me kë shoqëroheni më shumë dhe kush është miku juaj më i mirë në ekip?

Tek ekipi ka një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh. Harmonia në skuadër është e madhe dhe kjo është edhe arsyeja pse jemi këtu. Të gjithë të krijojnë mjaft miqësi dhe janë shumë dashamirës.

Cili është lojtari më shakaxhi në ekip?

Do të përmendja Adilin apo edhe Imamin. Ata krijojnë mjaft atmosferë të mirë në skuadër me batutat e tyre. Një vlonjat në Shkodër.

Kush ju ngacmon më tepër për dialektin dhe cila është fjala karakteristike shkodrane që keni filluar ta përdorni edhe ju?

Nuk më ngacmon asnjë dhe nuk e kam problem me dialektin, por nga sa më kanë thënë edhe trajnerët e mi, në Shkodër asnjë vlonjat nuk ka shkëlqyer e po ashtu më kanë thënë se asnjë shkodran nuk ka shkëlqyer te Flamurtari. Shpresoj ta thyej këtë tabu dhe të jem i pari vlonjat që do të shkëlqejë në Shkodër.

Cila batutë ju pëlqen më shumë që ta thoni në dialektin shkodran?

Me ken shkodran, tana i ban.

Related posts

MOTO GP/ Marquez sërish në spital pas operacionit: Nuk rikthehem më…

Delo.autor

Ish-deputeti me post në UEFA, vjen të diskutojë përfshirjen e politikës në FSHF

Q.Autor

Kapiteni i Madridit joshet nga Katar, vendos të largohet

Sadik.Autor

Leave a Comment