Futboll Seria A Sport

KESI HAP PROBLEME TEK MILANI/ Vetëm 3 fitore në 2 vite pa mesfushorin në fushë. Ja formacioni ndaj Lacios

Për të mbyllur vitin 2020 në krye të klasifikimit, Milani thërritet në një sprovë kundër një skuadre të madhe: për presionin që ushtrojnë ndjekësit, për nivelin e kundërshtarit dhe për… mungesat. Lacio vjen sonte në “San Siro” e motivuar prej 3 pikëve kundër Napolit. Dhe Pioli nuk mund të besojë as te Frenk Kesi, mungesa e madhe prej kartonit të verdhë kundër Sasuolos.

Mesfushori nga Bregu i Fildishtë ka zbritur gjithnjë në fushë si titullar në kampionat këtë sezon, me përjashtim të ndeshjes në shtëpi kundër Specias: e paimagjinueshme mungesa e sotme e kuqezinjve, me numrat që tregojnë se ai është një prej sekreteve të kryesuesve. Herët a vonë ky moment do të vinte, por vjen në një moment emergjence totale për Piolin, sepse mesfusha i zbulohet duke qenë se edhe Benaser mungon, ndërsa Tonali është në dyshim për shkak të një problemi muskulor.
DINAMIK – Me 1096 minuta në kampionat, Frenk Kesi është lojtari më i aktivizuar te Milani pas Davide Kalabrias me 1151. Afrikani praktikisht është i paprekshëm, aq më tepër që rritja e tij ka përkuar me atë të ekipit, sidomos gjatë 2020-ës. Me 1.5 topa për ndeshje të rikuperuar, ai është i dyti në organikë sepse vendi i parë mbahet nga 3.7 të Kalulusë, i cili ka luajtur më pak dhe ka një rol më të prirë për të rifituar sferën. Por, Kesi nuk kufizohet vetëm duke mbrojtur repartin e prapavijës, po di edhe të shfaqet përpara në momentin e duhur. Katër golat në kampionat e bëjnë shënuesin e dytë në këtë kampionat pas Ibrës, por falë edhe tri penalltive. Ai provon 1.5 goditje gjatë një ndeshjeje dhe vetëm Zlatani (5.8) dhe Çalhanoglu (2.5) e lënë pas.

I PAZËVENDËSUESHËM -Që kur ka ardhur në Milano në 2017-’18, 24-vjeçari ka humbur vetëm 8 ndeshje në Serinë A: 1 në sezonin e parë, 4 në të dytin dhe 3 në edicionin e shkuar. Për pjesën tjetër ka qenë praktikisht gjithnjë titullar. Dhe numrat e Milanit pa të në kampionat janë shqetësues: në këto 8 ndeshje, vetëm në dy raste “Djalli” ka dalë fitimtar dhe ka humbur plot katër herë.

VENDIMET E PIOLIT – Dhimbje të forta koke për Piolin, i cili sot ka në dyshim Tonalin dhe Rebiçin, për të cilët do të vendoset vetëm pas rifiniturës. Megjithatë, Leao pas ndeshjes së shkëlqyer kundër Sasuolos pritet të jetë titullar në mungesë të Ibrës, pavarësisht rikuperohet Rebiç apo jo. Balotazhi i vetëm është mes Diazit dhe Rebiçit.

Në mesfushë, nuk është rikuperuar ende Benaser. Tonali do të luftojë me kohën deri në fund për t’ia dalë pas problemeve muskulore që pësoi ndaj Sasuolos. Për talentin do të vendoset pas rifiniturës mëngjesin e sotëm. Në krah të tij do të jetë Kruniç, por nëse Sandro nuk ia del, atëherë përkrah boshnjakut pritet të rreshtohet një mes Çalhanoglusë dhe Kalabrias.

Related posts

NDESHJET NË LIGAT KRYESORE/ E diela me derbi të forta në Angli, Itali dhe Francë

Delo.autor

“FLUTURON” KARTONI I BROJËS/ Rritje e “çmendur” në treg, të shtunën pritet titullar

Delo.autor

ARRIN MARRËVESHJEN PËR 5 VITE ME BARCELONËN/ Ja prapaskenat e rinovimit të Mesit

Delo.autor

Leave a Comment