Lionel Mesi nuk është mirë. Tashmë kjo është e dukshme. Argjentinasi nuk është ai i javëve të mëparshme, nuk është më futbollisti që i fitonte ndeshjet i vetëm. Nuk është më ai që merrte në shpatullat e tij skuadrën dhe i jepte fitoret dhe titujt. Duket sikur këtë sezon është thjesht njëri prej lojtarëve të shumtë të katalanasve.
Ndoshta kjo ndodh për faktin se është në skuadrën që nuk donte të ishte, ndoshta sepse i mungon shoku i tij më i mirë Suarez, ndoshta se Barcelona e Kumanit nuk funksionon, ose sepse mosha ikën. Çështja është që Lionel Mesi nuk po ngre kokë. Ndeshja kundër Kadizit e konfirmoi këtë tezë.
“Pleshtit” nuk i mungoi dëshira, por i mungoi suksesi. Pavarësisht se tentoi të udhëhiqte formacionin, nuk ia doli. Humbi 29 topa dhe kjo është ndeshja ku Leo ka humbur më shumë topa se kurrë në këtë sezon. Një tjetër e dhënë që konfirmon se Mesi nuk është i njëjti janë golat në transfertë. Në 16 ndeshjet e fundit në La Liga, ai ka arritur të shënojë vetëm dy herë. Nëse u referohemi statistikave të këtij sezoni, nuk janë kaq negative.
Çdo futbollist do të ishte i lumtur dhe i kënaqur me këtë ecuri, por ai është Leo Mesi. Pritshmëritë dhe kërkesat ndaj tij janë shumë të larta. Ka arritur të shënojë 7 gola në 13 ndeshje. Për të është pak. Tjetër fakt është që 5 gola i ka shënuar me penallti dhe vetëm 2 me aksione. Këto gola kanë ardhur në momentin kur ndeshjet thuajse ishin të vendosura (Betis dhe Osasuna).
