Futboll Kategoria Superiore Sport

PRAPASKENAT PËR ÇËSHTJES “ÇINARI”/ Avokati i Messit mbron Partizanin. “Demat” do të kërkojnë shpërblim kolosal

Në njoftimin e djeshëm të bërë nga Partizani për gjyqin në KAS për çështjen “Çinari” binte në sy avokati spanjoll i përzgjedhur nga klubi për mbrojtjen. Emri i tij është Huan de Dios Krespo Perez, i lindur më 1 prill 1960 në Valencia.

Kur bëhet fjalë për ligjin sportiv, emri i tij kualifikohet në gradën më të lartë dhe prestigjioze për këtë çështje. Avokati spanjoll ka mbrojtur çështje të shumta komplekse, një nga ata është mbrojtja e Lionel Mesit për dënimin e dhënë nga FIFA, në lidhje me fyerjet që futbollisti argjentinas dha kundrejt gjyqtarit në një ndeshje kualifikuese të Amerikës së Jugut ndaj Kilit apo suksesi që pati në zgjidhjen e problemit ligjor në transferimin e bujshëm të Nejmarit nga Barcelona te PSG.

Huan de Dios Krespo Perez është partner i firmës ligjore “Ruiz-Huerta & Crespo”, specialist në çështjet sportive dhe të drejtës në BE dhe ndërkombëtare. Ai mban një master në të drejtën ndërkombëtare të sportit. Juristi i përzgjedhur nga Partizani ka qenë avokat i jashtëm i Ligës Spanjolle të Futbollit (2000-2010) dhe tani është këshilltar ligjor i pjesës dërrmuese të klubeve të futbollit në Spanjë, i lojtarëve, agjentëve, federatave dhe i ligave në gjithë botën.

Ai ka vepruar si avokat në më shumë se 350 procedura të KAS-it. Huan de Dios Krespo Perez është profesor në disa mastera ligjorë sportivë në të gjithë botën. Ai është gjithashtu një arbitër në Gjykatën Europiane të Arbitrazhit të Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) dhe në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë, Dhomën e Tregtisë së Valencias, ALADDE (Shoqata e Ligjit për Sportet e Amerikës Latine) dhe Rezolutat Sport ve. Huan de Dios Krespo Perez ka botuar më shumë se 120 artikuj mbi të drejtën sportive dhe ka shkruar ose bashkëshkruar 14 libra për ligjet sportive. 60-vjeçari konsiderohet si avokat i çështjeve të mëdha dhe përfaqësues i yjeve të futbollit.

KARRIERA DHE FAMA

Fillimet e tij në fushën ligjore sportive i ka në vitin 1980 te Valenca. Më pas u specializua në të drejtën sportive, si dhe punoi në të drejtën tregtare ndërkombëtare. Që në fillim të karrierës u bë referencë maksimale në çështjet gjyqësore ndërkombëtare me proceset në UEFA, FIFA dhe KAS, si dhe në këshillimin për rekrutimin e sportistëve ve dhe transferimet midis klubeve. Si këshilltar ligjor, lista e klubeve europiane dhe botërore është e gjatë duke përfshirë Real Madrid, Atletiko Madrid, Sevija, Vijareal, Roma, Shahtjor Donjeck, Libertad de Asuncion, Al Ain, Shanghai Shenhua, Atlas e Guadalajara, Morelia etj. Avokati ndërhyri gjithashtu në raste me rëndësi ndërkombëtare që përfshinin River Pleit, Indipendiente, Hurakan, madje edhe Konfederatën Braziliane të Futbollit.

Në kuadrin e mbrojtjes së lojtarëve, 60-vjeçari ka përfaqësuar emra të tillë si Zinedin Zidan, Gaicka Mendieta, Huan Pablo Sorin, Serxho Aguero, Leonardo Poncio, Maksi Rodriguez, Maksi Lopez e shumë të tjerë. Si një nga ekspertët më të mëdhenj në ligjin sportiv në planet, në 2014-ën Huan de Dios Krespo Perez u punësua nga Barcelona për shkak të sanksionit që FIFA vendosi ndaj klubit spanjoll për nënshkrimet e lojtarëve të mitur, që organi më i lartë i futbollit i konsideroi të paligjshme.

Pas çështjes së Mesit për dënimin e dhënë nga FIFA për fyerjet ndaj arbitrit në ndeshjen Argjentinë-Kili, fama e Huan de Dios Krespo Perezit u shtua në gusht të 2017-ës, kur u punësua nga PSG-ja dhe falë ndërhyrjes së tij u bë e mundur pagesa e klauzolës së 222 milionë eurove që kishte në atë kohë koha Nejmar me Barcelonën. 60-vjeçari është një lektor i rregullt mbi aspektet juridike të futbollit në ambiente prestigjioze. Është njohur në shumë raste si avokati më i mirë në Spanjë në fushën e tij dhe rregullisht shkruan artikuj mbi ligjin sportiv në anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht. Përveç futbollistëve, 60-vjeçari ka mbrojtur edhe sportistë të njohur të disiplinave të ndryshme.

GODITJA E MADHE

Përzgjedhja e avokatit të famshëm Huan de Dios Krespo Perez nga Partizani për çështjen “Çinari”, por edhe pranimi i tij për të mbrojtur të kuqtë mund të jetë si një strategji për goditje të madhe nga kryeqytetasit.

Nëse Partizani del fitues në gjyqin që ka ngritur në KAS, ku si fillim kërkohet e drejta dhe heqja e sanksioneve dhe dënimeve të dhëna, pritet që klubi të ngrejë një padi të re. Në këtë gjyq, në rast se fitohet procesi aktual, Partizani do të kërkojë një dëmshpërblim të majmë ndaj subjekteve që e futën në telashe, ku pa dyshim barra kryesore bie mbi paditësin NK Istra dhe mbi ndëshkuesin, FIFA. Mbase pajtimi i avokatit spanjoll mund të shikohet me prapavijë nga Partizani, për të realizuar goditjen e madhe, nga ku përfitues del edhe eksperti spanjoll.

Related posts

Miliarderi amerikan Commiso: Unë do ta blejë Milanin me këto kushte…

Isa.Autor

E BUJSHME NGA ITALIA/ Agjenti i Paulo Dybalas ndodhet në Angli, nis negociatat me…

Delo.autor

“AI SHËNOI SHUMË GOLA”/ Luis Nani: Ky është lojtari më të mirë në botë…

Delo.autor

Leave a Comment