Futboll Sport

U SHPALL PORTIERI MË I MIRË NË BOTË PËR 2020/ Neuer: Jam 34 vjeç dhe vazhdoj të jem në mes më të mirëve

Manuel Nojer sapo është shpallur për herë të pestë në karrierën e tij si portieri më i mirë në botë. Kapiteni i Bajernit foli dje nga konferenca për shtyp në prag të ndeshjes me Lokomotivën e Moskës duke thënë se ndihej i vlerësuar nga të gjithë për çmimin e marrë.

Pas një mungese në ndeshjen ndaj Atletikos jeni rikthyer sërish. Si ndiheni?

E dimë të gjithë se ndeshjet janë shumë të ngjeshura. Është mirë që të pushosh ndonjëherë, por edhe pushimi i tepërt nuk të bën mirë pasi humbet ritmin.

Jeni shpallur portieri i vitit. Si ndiheni?

Është një titull i veçantë, kur mendoj se kam kaluar dëmtime jo të lehta. Jam 34 vjeç dhe kjo do të thotë që vazhdoj të jem në mes më të mirëve. Falënderoj trajnerin dhe shokët e skuadrës. I vetëm nuk mund të fitosh kurrë asgjë. Dua ta ndaj këtë çmim me mbrojtësit, pasi për mua ata janë shumë të rëndësishëm.

Në ndeshjen ndaj Lajpcigut gabuat në dalje, në përgjithësi jeni ekspert për sa u përket këtyre daljeve. Çfarë ndodhi?

Janë gjëra që ndodhin, mund të gabosh për punë centimetrash që në fund bëjnë diferencën. Kemi pësuar shumë gola dhe kjo duhet të ndryshojë. Jemi duke punuar të gjithë në këtë aspekt pasi është diçka që nuk na pëlqen.

Si ju është dukur paraqitja e Nybelit?

Mund të mësojmë shumë nga njëri-tjetri. Kemi një marrëdhënie të mirë, ai bëri një paraqitje të mirë në Madrid. Kush do të luajë ndaj Lokomotivës? Për këtë duhet të pyesni trajnerin.

Kingslei Koman është lojtari i momentit te Bajerni. Mendoni edhe ju kështu?

Ishte e rëndësishme që ai të mos dëmtohej. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kingslei është i pandalshëm. Ai është një lojtar i kompletuar, vrapon, pason dhe shënon gola të rëndësishëm. Nëse vazhdon kështu, mund të bëhet jetik për ne.

Si po e përjetojnë Myler dhe Boateng çështjen e kombëtares?

Ata janë duke bërë një punë të mirë në klub. Janë të fokusuar në detyrat e tyre dhe nuk mendojnë shumë për gjërat e tjera. Fakti që Lëv ua la derën hapur, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Në Moskë vuajtët jo pak. Çfarë prisni nesër (sot)?

Ata kanë një sulm të mirë dhe këtë e përjetova edhe vetë në ndeshjen e parë. Kundërsulmet e tyre janë të rrezikshme dhe mund në na vënë në vështirësi, por ne do të bëjmë lojën tonë, duam ta mbyllin grupin me fitore.

Jeni 34 vjeç. Do të vazhdoni ende?

Nuk kam menduar të tërhiqem nga futbolli, jam duke kaluar një formë të mirë dhe për mua të qëndroj në fushë është jeta ime. Mezi pres të shkoj në stërvitje dhe në ditën e ndeshjes. Kam ende shumë dëshirë në atë që bëj dhe kjo do të zgjasë edhe disa vite.

Related posts

Kosova triumfon edhe në miqësoren e dytë ekzotike

Sadik.Autor

Shpallen kandidaturat për “Lojtarin më të mirë të FIFA-s”, ja mungesa e madhe e listës

Isa.Autor

MENDON PËR MERKATON E ARDHSHME/ Goditje me kosto zero për PSG, ja plani i Leonardo-s…

Delo.autor

Leave a Comment