Futboll Kategoria Superiore Sport

“NUK ËSHTË NDESHJE VENDIMTARE”/ Rrëfehet trajneri Duro: Asnjë kompromis me “demat”

Për Shpëtim Duron për balljet me Partizanin mbeten gjithnjë të veçanta, kjo për shkak të së shkuarës si futbollist dhe trajner i “demave”. Si trajner i Laçit Duro ka një mision të vështirë, pasi kërkon që të sfidojë të shkuarën si në kampionat dhe në Kupë, ku Laçi ashtu si Partizani lufton në të dyja frontet.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” trajneri i skuadrës kurbinase pohoi se gjithë vëmendja është te dueli i së shtunës me të kuqtë, pasi Kupa pret. Ai pohoi se duke qenë se përballen dy skuadrat më në formë të Superiores, nuk ka asnjë lloj kompromisi mes Laçit dhe Partizanit. Trajneri Duro nuk preferoi të flasë për historinë e përballjes së shumëpërfolur para 6 viteve në Kupë dy ekipeve, ku asokohe 61- vjeçari ishte trajner i “demave”.

Partizani nuk po të ndahet, pasi shorti ju ka vënë përballë edhe në Kupë. Cili është komenti juaj për shortin?

Në short parashikohen të gjitha, por ne na ra me Partizanin, një skuadër që momentalisht po kalon një moment të mirë, ashtu si edhe Laçi. Pa dyshim që për mua përballjet me Partizanin janë ndeshje të veçanta.

Drejtori Olsi Rama tha se Partizani do edhe kampionatin dhe Kupën, si do t’ia dalë ndaj jush pasi i keni llogaritë direkt me ata?

Ashtu si Partizani, edhe Laçi ka të njëjtin objektiv, si në Kupë dhe kampionat. Duke pasur parasysh paraqitjen e bërë, si dhe përballjet direkte, kemi të drejtën të pretendojmë Kupën edhe titullin kampion.

Të shtunën luani për javën e 21-të ndaj Partizanit, jeni dy skuadrat më të mira për 2021. I keni mundur në fazën e dytë, si e shikoni përballjen e radhës?

Të them të drejtën nuk e kam pasur fare mendjen te shorti i Kupës dhe vonë e kam mësuar atë, pasi kemi qenë në stërvitje me ekipin. Fokusi ynë për momentin është i gjithi te përballja e radhës në kampionat me Partizanin, pasi për Kupën ka kohë për të menduar.

Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Laç fituam duke bërë një paraqitje të mirë, por unë e përsëris që çdo takim ka historinë e tij. Patjetër që edhe ndeshja e radhës me Partizanin ka historinë e saj duke qenë jashtë influencave. Kemi luajtur dhe kemi fituar, por është ndeshje tjetër tashmë Përballemi në një moment të mirë për të dyja ekipet.

A është ky takim si një busull për të dyja ekipet për të kapur vendin e parë?

Sigurisht që është një ndeshje e rëndësishme për ecurinë, por jo vendimtare, sepse janë edhe 15 takime të tjera për t’u luajtur pas kësaj.

Në çfarë gjendjeje e keni skuadrën dhe a bëhet Mazrekaj për të shtunën, duke ditur se ishte ai që ju nderoi në fazën e dytë ndaj “demave”?

Pas ndeshjes me Kastriotin gjendja e skuadrës nuk është ajo që do të kërkoja në këto momente shumë të rëndësishme. Sigurisht, që ndaj Partizanit do të doja që ta kisha ekipin e plotë, ashtu siç e kam pasur në këto javët e fundit. Të jemi realistë, janë mungesa shumë të rëndësishme për ne, siç është Nuabueze, lojtari më i mirë i kampionatit shqiptar. Në dyshim kemi edhe një nga futbollistët më në formë të Superiores, Mentor Mazrekaj.

Në mbrojtje na mungon një nga pikat më të forta në krahun e majtë, Musta që është i pezulluar nga kartonët. Pra janë mungesa të konsiderueshme, por për Mazrekajn nuk mund të jap një përgjigje përfundimtare, pasi kemi edhe dy seanca stërvitore dhe më pas do të shohim dhe do të vendosim duke parë edhe gjendjen e tij. Pra, Mazrekajn do ta presim deri në momentet e fundit.

Para 6 viteve keni qenë trajner i Partizanit dhe përballja në Kupë me Laçin u përfol shumë. A mund të konceptohet ky stad i Kupës për kompromis mes skuadrave duke e lidhur edhe me kampionatin?

E mbaj mend atë ndeshje, pasi kam qenë vetë trajner i Partizanit. Kam pasur një skuadër jashtëzakonisht të mirë, por nuk dua t’i kthehem më asaj historie. Nuk ka vend për kompromis as për ne dhe as për Partizanin, sepse momentalisht jemi skuadrat më në formë të kampionatit dhe pretendojmë të dy frontet, Kupë dhe kampionat. Luftën në kampionat do ta zhvillojmë deri në fund, por edhe Kupa është një objektiv që mund të arrihet më shpejt për vetë mënyrën e organizimit që ka ky kompeticion, që luhet me një takim. Për mua, për çdo skuadër Kupa është objektiv.

Related posts

HAZARD I MBYLL GOJËN KRITIKËVE/ Shihni trupin që ka bërë tani

F.autor

KA EDHE KËSHTU/ KAMERAT E FSHEHTA te PSG, “rregullat” e reja tërbojnë lojtarët (VIDEO)

Isa.Autor

“NJË DJALË ME PERSONALITET…”/ Bergomi: Kumbulla, në duelet një kundër një me Lukakun, tregoi…

Delo.autor

Leave a Comment