Futboll Kategoria Superiore Sport

“BARDHEBLUTË” BESOJNË TEK MREKULLIA/ Tirana e çudirave, ja pse përmbysja është e mundur

Pa pikë dyshimi, sezoni i tanishëm është më i çuditshmi në Superiore. Duke filluar nga kryesimi i Vllaznisë që për javë me radhë mbajti kreun dhe është ende në krye, pavarësisht një faze të tërë me vetëm një fitore. I çuditshëm pa masë ka qenë edhe sezoni i Tiranës.

Një skuadër kampione që shkëlqeu në Europë, nga e dënuar për të dështuar tani është pretendente jo vetëm për Europën, por ka shanse të mëdha për të marrë titullin kampion. Sezonin e nisi duke mundur Kukësin pretendent, por pas humbjes me Teutën gjërat u komplikuan. Që në javën e dytë nuk ishin në Kupë.

U shkarkua Egboja dhe në stol erdhi Nevil Dede. E njëjta histori sezonin e shkuar ku drejtuesit hoqën Memën dhe sollën Ahmatajn. Me ardhjen e Ahmatajt gjërat nuk shkuan mirë. Fotokopja u përsërit edhe këtë sezon, aq sa pas derbit me Partizanin, Dede iku. Ahmataj u largua para Partizanit një vit më parë, ndërsa Dede pas derbit.

Dy skuadrat ishin në pikë të hallit për pikë. Skuadra e vjetshme e teta, e sivjetshmja pas derbit të dytë 12 pikë larg kreut. Sezonin e titullit në krye erdhi si trajner i tretë Emanuel Egboja dhe në fund ndodhi mrekullia. Këtë sezon trajneri i tretë i Tiranës është Orges Shehi. Ky i fundit nuk është se ka bërë ende ndonjë mrekulli, por është aty pranë. Sepse, te Tirana janë mësuar me mrekullitë. Me përmbysjet e mëdha si sezonin e shkuar.

Me surprizat që mund të bëjë skuadra e Shehit. Pas fitores në Laç situata e Tiranës është shpresëdhënëse. Mjafton të kujtosh që në javën e 16-të bardheblutë ishin 16 pikë nga kreu, Vllaznia dhe në javën e 20-të, 11 pikë nga Europa. Sot që flasim gjysmëmrekullia ka ndodhur.

Në javën e 25-të Tirana është 7 pikë nga kreu dhe pesë pikë nga Europa, ama në vendin e pestë. Më afër se kaq, Tirana këtë kampionat nuk ka qenë me kreun, veç javëve të para kur diferenca nuk ishte e madhe. Tani te bardheblutë besojnë te mrekullia, sepse askush nuk besonte që Tirana do të ishte për titull.

Edhe për Europë. Bardheblutë e kanë në dorën e tyre sezonin. Dinë të ndizen dhe të mos ndalen më. E bënë sezonin e shkuar, duke shkëlqyer në fushë e në 14 duke marrë 40 pikë nga 42 të mundshmet dhe pa asnjë humbje. Tani janë në dispozicion 11 javë dhe 33 pikë. Të gjithë janë të bindur se skuadra e Shehit mund t’ia dalë, që gjysmë mrekullinë ta kthejë në mrekulli të vërtetë. Sigurisht, sepse vetëm me mrekulli mund arrihet titulli. Te bardheblutë për çështje ADN-je gjysmëmrekullia nuk pranohet…

Related posts

COVID-19 BËN KËRDINË NË DERBI/ Milanit i del një tjetër lojtar pozitiv dhe nxjerr zbuluar…

Delo.autor

Reali gati të bëjë çmendurinë, 400 milionë euro për Neymar

Q.Autor

Dëmtimi i Mbappe, PSG vjen me një njoftim të ri zyrtar

Q.Autor

Leave a Comment