Futboll Sport

“KAM KALUAR NJË PERIUDHË SHUMË TË KEQE”/ Sulmuesi Ngo: Ju rrëfej sherrin me Memën, si na mblodhi trajneri Egbo

Majkëll Ngo, ish-sulmuesi i Tiranës, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediat angleze. Sulmuesi foli për dëmtimin që pësoi nga Van Dajk në 2014-ën, situatë që e la jashtë për dy vite. Ngo rrëfen se ishte konsumuar nga depresioni e zemërimi për mënyrën se si po digjej karriera e tij.

“Nuk u lëndova vetëm fizikisht, u shkatërrova psikologjikisht. Para se të bëja operacionin tim të parë, specialisti më tha se nëse rehabilitimi im nuk shkonte mirë, atëherë unë nuk do të luaja më futboll profesionist. Kam kaluar një kohë shumë të keqe. Hipja në makinë, hapja muzikën dhe bëja udhëtime të gjata e të pakuptimta në autostradë dhe më pas kthehesha përsëri në shtëpi”, tregon Ngoja, cili i shpëtoi burgut në 2018-ën, pasi ishte proceduar penalisht për shitjen e oksidit të azotit. Ai vlerëson mbështetjen e prindërve të tij dhe besimin e tij të krishterë në kalimin e kohërave të vështira. Më pas ai rifilloi karrierën e tij në Shqipëri me KF Tiranën.

“Nuk po luaja futboll dhe nuk isha mirë. Isha i thyer brenda, por nuk e tregoja. Qëndroja me njerëzit e gabuar. Nëna ime lutej për mua dhe ajo më ndihmoi shpirtërisht”, thotë Ngoja, i cili është baba i një vajze gjashtëvjeçare. “Nuk do ta kisha kaluar krizën pa besimin tim. Asnjëherë nuk kam takuar ndonjë psikolog, por thjesht jam lutur çdo ditë. Kam bërë progres që nga ajo kohë, kështu që e di se Zoti është i vërtetë”, thotë Ngoja. Zbarkoi në Shqipëri shtatorin e 2017-ës, duke u bërë anglezi i dytë që luante në vendin ballkanik pas Xhemi Feniks:

“Mendova se do të ishte mirë të ndryshoja ambient dhe nuk pendohem që shkova atje. Trupi im nuk ishte në formën e duhur për të luajtur në League One ose League Two, kështu që mendova se do të shkoja në Shqipëri, ku futbolli është më teknik dhe jo aq fizik. Tirana është një qytet i vogël e i bukur për të jetuar dhe atje bëra shumë miq”. Ama koha e tij në kryeqytetin shqiptar nuk ishte pa vështirësi. Qëndroi në stol dhe u ndëshkua kur tha “skuadra fshati”, ndërsa pati edhe një debat me trajnerin Ardian Mema.

“Ai ishte trajner i ri. Tha diçka për mua që nuk do të ishte toleruar në Angli. Edhe unë fola më shumë se ç’duhej. Mund të largohesha, por luajtëm futboll të mirë nën drejtimin e tij dhe më vonë u bëmë miq”, rrëfen Ngoja. Shpejt Mema u zëvendësua nga Ndubuisi Egbo, i cili u bë afrikani i parë që fitoi një ligë europiane si trajner.

“Egbo bëri frymë grupi saqë ne e ndienim se nuk kishte asnjë mënyrë për të na mundur”, thotë Ngo, i cili u kthye në Angli në vjeshtë, pasi refuzoi një kontratë të re me Tiranën. Thotë se nuk i ka zili ishshokët e ekipit, si Sterling dhe Coady, të cilët kanë arritur famë dhe pasuri në Premier League.

“Ende flas me ta. Për djem si Suso (tani te Sevija) dhe Andre Uisdom kurrë nuk mund të jem xheloz për ta. Janë miqtë e mi dhe e di se sa shumë kanë punuar. Ata e meritojnë atë jetë, ashtu siç meritoj unë timen”, mbyll Majkëll Ngo. Sulmuesi luan tani në kampionatin qipriot.

Related posts

Ducati zgjedh Dovizioso për të ardhmen, rrit ofertën për italianin

Sadik.Autor

SUPER TALENTI BRAZILIAN/ Cafu: Ai mund të jetë “RONALDO I RI”, por i duhet që…

Isa.Autor

‘El Clasico’ më e shtrenjta në histori, ja vlera e lojtarëve të dy skuadrave

Q.Autor

Leave a Comment