Futboll Sport

KAMPIONI I “MMA” TREGON MIQËSINË ME FENOMENIN E JUVES DHE MILANIT/ Khabib: Ja frika që ka Ronaldo, Ibra më dërgoi…

Mes kampionësh kuptohesh me sy. Dhe që Kristiano Ronaldo është një prej sportistëve dhe futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, këtë nuk mund ta mohojë askush. Madje portugezi, mes miqve të tij më të mirë ka të tjerë fenomenë të sporteve të ndryshme, ku një prej të cilëve është edhe Khabib Nurmagomedov, i cili mund të quhet ndryshe edhe CR7- ta i “MMA”-së (arteve marciale mikse). Miqësia mes tyre është forcuar shumë në vitet e fundit, por pasi Khabib fitoi finalen ndaj Xhastin Getje dhe vendosi të tërhiqet, tashmë po mendon t’i futet botës së futbollit, për të cilin ka nisur të stërvitet prej muajsh.

Gjithsesi, në pritje për të kuptuar nëse do ta bëjë realitet këtë tjetër ëndërr të tijën, rusi që e nisi profesionin e tij duke u ndeshur me arinjtë në male, ka treguar në një intervistë të fundit një prej frikërave më të mëdha që ka pikërisht sulmuesi i Juventusit: “Me Kristianon flas thuajse çdo ditë, pasi e vërteta është se që në momentin e parë që jemi takuar, kemi bërë një muhabet shumë të gjatë duke shprehur hapur motivimet që duhen për të qëndruar në nivele të larta. Dhe mes kësaj bisede më konfirmoi edhe se Ronaldo do të donte që djali i tij të ishte një pasues i denjë në futboll.

Por, pikërisht mbi këtë argument, frika e madhe e Ronaldos ishte nëse djali i tij, Kristianinjo, do të kishte të njëjtën uri që vetë Ronaldo ka pasur dhe ka ende. Kur ishte i vogël, Kristiano më tregoi se ëndërronte të kishte një palë çizme, ndërsa djali i tij sot ka luksin të zgjedhë gjithçka që mund t’i kërkojë edhe fantazia e tij. Dhe kur ke gjithçka, si djali i tij, Ronaldo pyeste veten nëse Kristianinjo do të jetë i uritur që të punojë fort çdo ditë për t’ia arritur dhe të ketë motivimin e duhur për t’u bërë një futbollist i madh, për të nderuar edhe emrin e të atit. Fundja, kur ke gjithçka në jetë, është e komplikuar që të gjesh motivimet e duhura”. Një frikë e justifikueshme kjo, por që sipas Khabibit, fjalët e Ronaldos tregojnë edhe njëherë tjetër dëshirën e portugezit për të mos u vetëkënaqur asnjëherë, qoftë edhe kur nuk flitet për të: “Më pëlqeu të dëgjoja ato fjalë nga CR7, pasi më bënë edhe mua të kuptoj se ai është një person që nuk kënaqet kurrë në jetë, ndonëse deri më tani ka fituar gjithçka mund t’i ofrojë arena e futbollit.

Aktualisht ai është në gjueti të golashënuesit më të mirë të historisë së futbollit dhe mendoj se do t’ia arrijë, pasi siç më ka thënë, për të paktën edhe 2-3 vite të tjera do të jetë sërish pjesë e këtij sporti, përpara se t’i hapë vendin trashëgimtarit të tij, me shpresën se Kristianinjo do të jetë gati”. Por, duke mbetur te Ronaldo dhe mendimet e portugezit, Khabib zbulon edhe një surprizë që kishte pasur përpara finales së vitit të kaluar, kundër amerikanit Xhastin Getje: “Përpara sfidës më bie celulari. Ishte një mesazh zanor që më thoshte: ‘Puna serioze të shpërblen gjithmonë, ndaj gjithçka varet nga ty dhe nga mentaliteti yt. Kur je numri një, njerëzit kërkojnë gjithmonë diçka të keqe për të të plagosur. Por tregoje edhe njëherë se çfarë jemi ende të zotët të bëjmë’.

Një frazë që më karikoi pa fund dhe mbante autorësinë e një tjetër miku të madh timin, Zlatan Ibrahimoviç. Edhe ky është një fenomen, një person i jashtëzakonshëm, i cili kur dëgjoi se doja të provoja veten në futboll, më ftoi t’i bashkohesha Milanit”, përfundon duke qeshur luftëtari rus.

Related posts

FLAMURTARI, probleme FIZIKE apo CILËSIE? SKËNDERBEU i hoqi “maskën”

Isa.Autor

NË PRAG TË NDESHJES NDAJ SASSUOLOS/ Spalletti: Më vjen keq për…

Delo.autor

NË TRE JAVË NUK KA MARRË ASNJË PIKË/ Kërcënohet nga tifozët presidenti i klubit të Serie A… (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment