Futboll Kategoria Superiore Sport

“KORÇARËT” NË KRIZË TË THELLË/ Memelli kërkon të mbledhë ekipin, tifozët e Skënderbeut presin reagimin

Skënderbeu po përjeton pozicionin më të keq të viteve të fundit dhe duket se asgjë nuk ka shpëtim në kampin e korçarëve. Ajo që u pa në ndeshjen e shtëpisë ndaj Kastriotit ishte një tjetër paraqitje e dobët e të besuarve të Memellit, që për 90 minuta nuk arritën të godisnin asnjëherë kuadratin dhe të krijonin rrezikshmëri, por u panë vetëm të irrituar dhe të nervozuar në fushë.

Në kushte të tilla duket gati e pashmangshme që emergjenca të jetë në majë në kampin bardhekuq. Lojtarët janë të përhumbur dhe kjo duket qartë në dhomat e zhveshjes dhe në seancat stërvitore. Menjëherë pas humbjes ajo që vihej re në ambientet e stadiumit ishin fytyrat e përhumbura dhe kokat e ulura të lojtarëve, që pa pikë shprese meditonin vetëm rënien nga kategoria. Kjo është cilësuar edhe nga vetë Memelli, i cili ka thënë se përpara i del një detyrë psikologjike për të kthyer besimin tek të tijtë. Pikërisht nga kjo duket se ka filluar puna në radhët e Skënderbeut.

Pak punë me topin dhe shumë leksion në dhomat e zhveshjes kanë qenë dy seancat e para të Skënderbeut pas ndeshjes së humbur me Kastriotin. Ndeshja e radhës me Partizanin është delikate dhe impenjative, por për momentin aspekti psikologjik është ai që shqetëson më shumë stafin teknik dhe klubin. “Qetësi, regjim, përqendrim dhe asnjë sy te renditja, kanë qenë këshillat e Memellit për të tijtë. Javë ka plot dhe pikët që janë në lojë na mbajnë në tavë për mbijetesën”. Këto kanë qenë fjalët që bardhekuqtë kanë dëgjuar nga trajneri para seancës së djeshme.

TIFOZËT – Nga ana tjetër e qetë situata nuk duket as në kampin e tifozëve dhe mbështetësve më të flaktë të Skënderbeut. Durimi tashmë ka humbur dhe akuzat janë duke vërshuar lumë jo vetëm drejtuar stafit dhe Memellit, por edhe presidentit Takaj. Njëzëri në faqen e klubit tifozët kanë filluar t’i kërkojnë llogari presidentit se përse e ka lënë klubin në këtë farë gjendjeje, pa asnjë interesim apo investim serioz për të siguruar të paktën qëndrimin mes më të mirëve. Akuzat e tyre shkojnë deri atje sa thonë që Takaj është duke medituar largimin prandaj po shkatërron ekipin deri në këtë pikë. Në kushte të tilla, në pamundësi për të bërë diçka tifozët kërkojnë reagimin edhe nga institucioni i bashkisë së Korçës që të jetë kjo e fundit që të marrë në dorë situatën. Sigurisht që mungesa e afrimeve të denja në merkaton e janarit ishte një tjetër pretendim i tifozëve për katandisjen e Skënderbeut në këtë pikë. Për ta përgjegjësi është vetëm ai në krye, presidenti dhe jo lojtarët apo stafi.

Related posts

LIVE/ Champions League: Mbyllet ndeshja PSG-Barcelona. Rezultati 1-1

Delo.autor

PRAPASKENA/ Ibra: Te INTERI qeshnin me mua, nuk më besuan kur u thashë se…

Isa.Autor

Plaku pranë rikthimit në Norvegji, në bisedime me Ham Kamin

Sadik.Autor

Leave a Comment