Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

“ME ANGLINË DHE POLONINË NUK MATEMI DOT”/ Trajneri Reja: Dua 7 pikë në tri ndeshje, Sadiku është jashtë sepse…

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, kërkon një Shqipëri kurajoze në fushatën e eliminatoreve për Botërorin 2022. Italiani thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” se Anglia me Poloninë janë favorite, por Shqipëria nuk ka asgjë për të humbur dhe nuk e përjashton që mund të jemi ne surpriza e këtij grupi. Më tej ai shpjegon edhe lënien jashtë të Sadikut. “Ka shkuar në fund të botës… (qesh). Natyrisht, kam shumë respekt për të, por më duhet të mendoj edhe për lojtarët e tjerë që kam në atë repart dhe mbi të gjitha të mendoj edhe për Europianin e vitit 2024”, thotë Reja.

Mister, çfarë presim nga Shqipëria në këto eliminatore?

Së pari duhet të jemi seriozë dhe të mos nënvlerësojmë asgjë. Dua që ta nisim mirë me Andorrën dhe u kam kërkuar të gjithëve që të mos neglizhojnë asgjë. Andorra në të kaluarën i ka bërë surpriza të pakëndshme Shqipërisë dhe nuk dua që kjo të përsëritet. Kështu që dua të marrim maksimumin!

Çfarë objektivi ka Shqipëria në këto eliminatore?

E kam thënë disa herë, që me Anglinë dhe Poloninë nuk matemi dot. Ta paktën në letër. Me Hungarinë do t’i luajmë të gjitha shanset për ta lënë pas. Por edhe sa i përket Anglisë dhe Polonisë ne nuk nisemi të humbur. Asnjë skuadër nuk e ka humbur një ndeshje pa u luajtur fare. Kështu që ne do të tentojmë të bëjmë më të mirën me guxim dhe personalitet. Të shohim se çfarë do të ndodhë.

Me sa pikë do të kënaqeshit në tri ndeshjet kundër Andorrës, Anglisë dhe San Marinos?

Mirë do të ishte 9 pikë, por edhe nuk janë keq…(qesh). Përtej batutës, mendoj se do të ishim vërtetë të kënaqur me 7 pikë. Duhet të jemi realist.

Pse Armando Sadiku nuk është në kombëtare?

Sepse ka shkuar në Bolivi, që është në fund të botës… (qesh). Transfertat e vazhdueshme, udhëtimi i gjatë, nuk mendoj se e ndihmojnë shumë në këtë impenjim disa ditor që ka Kombëtarja herë pas here. Natyrisht, kam shumë respekt për të, por më duhet të mendoj edhe për lojtarët e tjerë që kam në atë repart dhe mbi të gjitha të mendoj edhe për Europianin e vitit 2024. Ai do të jetë kompeticioni kur ne duhet të luajmë gjithçka për të siguruar kualifikimin. Megjithatë, kam respekt për Sadikun dhe për të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut të vyer për Kombëtaren e Shqipërisë. Po mua më duhet të mendoj edhe për të ardhmen sepse kam në skuadër Cikalleshin, Manajn, Kamberin…

A është gati të luajë Nedim Bajrami?

Bajrami është një lojtar që mund të na ndihmojë shumë. Ai është fantazist, por luan edhe si sulmues krahu. Ka cilësi teknike dhe mund të jetë i vlefshëm, duke qenë se nga krahët mendoj se jemi në rregull. Uzuni, Roshi, apo edhe të tjerë mund të na ndihmojnë shumë.

Keni thënë se për skemën 3-4-1-2 duhen ekuilibra të jashtëzakonshëm, ndërkohë pak ditë më parë në mediat italiane thatë se me Bajramin mund të luani me këtë skemë. A i sjell vërtetë këto ekuilibra Bajrami?

Po, e vërtetë që e kam thënë këtë dhe mendoj se me Bajramin mund ta përdorim këtë skemë. Do ta provojmë, sepse në të kundërt do shohim alternativa të tjera sa i përket modulit.

A ka probleme me lojtarët nga klubet prej COVID-in?

Kemi pasur disa probleme deri tani, por shpresoj që t’i zgjidhim.

Çfarë të shqetëson më shumë te skuadra në këtë moment?

Që disa lojtarë në mesfushë kanë pasi probleme fizike dhe kanë luajtur pak. E kam fjalën për Gjasulën, që për fat të mirë tani është rikuperuar, por edhe për Abrashin, apo Memushajn. Megjithatë kemi alternativa dhe do të përpiqemi të bëjmë më të mirën.

A keni pasur ndërhyrje gjatë kësaj kohe për formacionin apo zgjedhjet?

Është normale që kur je trajner i Kombëtares të kesh edhe një lloj presioni të tillë, sepse të vijnë sugjerime nga menaxherë, apo zbulues talentesh etj. Por unë mbaj shënime, studioj dhe në fund vendos për më të mirën.

Related posts

GRAND SLAM “US OPEN”/ Rafael Nadal kualifikohet pa luajtur, tërhiqet kundërshtari…

Delo.autor

KRYSON NË KAMPIONAT/ Roma, Champions dhe derbi ndaj Interit, nis java e “ferrit” për… Milanin

Delo.autor

SERIE A/ Juventus e mbyll me turp. Milan dhe Ibrahimovic shkëlqejnë ndaj Cagliarit

Delo.autor

Leave a Comment