Futboll Seria A Sport

NGA LOJTARËT KYÇ TEK SIGURIA/ Përmbysja e madhe, ja 10 arsye që Milan beson tek titulli i Serie A

Stefano Pioli e mbajti fjalën e dhënë muaj më parë kur udhëhiqte Serinë A me Milanin e tij: “Do të komentoj titullin në mars ose prill nëse do të jemi afër majës”.

Afatet janë respektuar dhe termi “titull” është zhdoganuar te kuqezinjtë. Misioni është thuajse i pamundur, megjithatë trajneri dhe lojtarët kanë arsyet e tyre për të besuar të përmbysja e madhe.

FRYMA

Grupi është solid dhe të gjithë mendojnë “alla Ibra”

Në Firence kuqezinjtë realizuan përmbysjen e nëntë të sezonit dhe mbase atë më domethënësen. Golat e Diazit dhe Çalhanoglusë rikthyen në garë Milanin dhe një ëndërr që dukej se kishte perënduar. Aftësia për të reaguar është tipar dallues i “Djallit”. Meritat u takojnë lojtarëve, por edhe Ibrës që krenohet me mendësinë e sjellë në ekip ku asnjëri nuk pranon të humbasë. As në stërvitje.

LIDERI

Zlatani infinit, arma vdekjeprurëse për sezonin

Në Sanremo, Ibrahimoviçi u paraqit më së miri, sepse fundja, skenën di ta dominojë si askush tjetër. Me t’u kthyer nga dëmtimi, gjeti rrugën e golit për të 15-ën herë në po aq prezenca. Kjo arritje e bën më të moshuarin që ia del ta realizojë, ndaj për dikë si Ibra titulli nuk është çështje e mbyllur. 39- vjeçari nuk ngopet dhe do të kërkojë titullin si një tjetër dëshmi e formës së tij të jashtëzakonshme.

LOJTARË KYÇ

Çalha frymëzohet, Benaseri “ngjit” aksin vertikal

Kur të dielën Benaser u kthye në fushë, Milani bëri kthesën në aspektin e lojës duke fituar një takim që deri në atë çast po e humbte. Rikthimi i tij në qendër të mesfushës dhe ai i Çalhanoglusë te goli ndihmojnë Milanin që të ketë aksin vertikal që e bëri këtë ekip të kishte një ecuri të frikshme gjatë 2020-ës. Të dy bashkë kanë mundur të jenë në fushë vetëm në 8 nga 28 raste të mundshme, teksa me Kjaerin në prapavijë e Ibrën në sulm, çdo përmbysje merr pamje konkrete.

RIAFTËSIME

Manxu thuajse gati, për ekipin gola të rinj

Kombëtaret i kanë marrë Milanit 14 lojtarë e ndër të mbeturit në shtëpi është Mario Manxukiç. Ai po punon për t’u shëruar sa më shpejt dhe synimi është që të jetë gati për ekipin në njërën nga ndeshjet e radhës (Sampdoria ose Parma). Për Leaon pritja mund të jetë më e gjatë, ndërkohë që Rebiç ka një problem të menaxhueshëm pasi i duhet të shlyejë edhe një ndeshje skualifikim. Ibrës do t’i duhet të shtrëngojë akoma dhëmbët, ndërkohë që Pioli pret golat “e rinj”.

NDESHJET E RADHËS

Kalendari, pa probleme: katër ndeshje pa big-ë

Juve, Atalanta, Inter dhe Napoli, praktikisht 4 nga 5 humbjet sezonale kanë ardhur nga ekipet e mëdha. Ankth kuqezi përballë rivalëve direkt apo rrëshqitje që ndodhin? Faza e parë tregoi që Milani s’i druhet askujt, megjithatë kalendari i rezervon Sampdorian, Parmën, Xhenoan dhe Sasuolon, që përfaqësojnë kundërshtarë të përballueshëm ndaj të cilëve duhet korrur maksimumi.

RITËM I RI

Pioli si Konte, i mbetet veç kampionati

43 ndeshje sezonale e bëjnë Milanin ekipin që ka zbritur më shumë në fushë dhe lodhja e grumbulluar nuk do të zhduket në pak ditë, megjithatë tashmë Pioli dhe të tijtë mund të përqendrohen vetëm te kampionati. Në këto kushte do të ketë edhe dy avantazhe të cilat janë koha më e madhe për të punuar dhe mundësia për të konkurruar në mënyrë të barabartë me Interin, të paktën psikologjikisht. Në aspektin mendor kjo mund të jetë “benzinë” për sprintin final.

PSIKIKA

Milani s’ka presion, titulli nuk është detyrim

Duke qëndruar tek aspekti psikologjik, mund të thuhet se mendja e kuqezinjve është më e çlirët se ajo e rivalëve në anën tjetër të “San Siro”-s pasi Milani nuk ka asnjë detyrim për të fituar titullin. Njëkohësisht, duke konkurruar me Interin, kuqezinjtë kanë mundësinë të blindojnë një vend në katërshen e parë të Serisë A, çka do të ishte gjithsesi një aspekt pozitiv për garën sezonale të Ibrës me shokë.

ZGJEDHJET

Jo vetëm Kesi, mesfusha me rang të plotë

Shërimi i Benaserit plotëson repartin e mesfushës ku Pioli mund të zgjedhë mes dinamizmit të Kruniçit, ideve të Benaserit, muskujve të Kesit apo përshtatjes së njërit mes Meites e Tonalit. Ashtu si Zlatani, edhe Kesi është nga ata që ua shton vlerën shokëve të repartit, ndaj me një mesfushë në rritje, shanset për t’u rritur edhe skuadra janë të kënaqshme.

NJË MË SHUMË

Shkëndija Tomori, mbrojtja ka një mburojë

Një vit më parë fytyrën e “Djallit” e ndryshonin Kjaeri dhe Ibra. Sivjet diferencën e ka bërë Fikajo Tomori që me 23 vitet mbi shpinë është vërtetuar një surprizë e merkatos së dimrit. Ndaj Fiorentinës ai tregoi specialitetet e repertorit sepse mbron me personalitet dhe di të ndërtojë lojë si pak kolegë në qarkullim. Shtytja e Milanit për përmbysjen mund të vijë edhe nga kontributi i tij në prapavijë.

SIGURIA

Loja si “far” që ndriçon edhe zëvendësuesit

Tomori është një titullar shtesë që iu bashku ekipit në mes të sezonit e për momentin është lojtari me vazhdimësinë më të mirë në organikës. Edhe në reparte të tjera Pioli ka larmi zgjedhjesh sepse Diaz ofron teknikë ndërsa Meite forcë. Kruniç (vendimtar në Veronë) dhe shtytja e Dalos janë armë të tjera të këtij Milani që bazohet te loja më shumë se sa tek interpretuesit.

Related posts

KORONAVIRUSI/ Holanda rihap stadiumet, por tifozëve u ndalohet të këndojnë!

Delo.autor

ZBULON PRAPASKENËN/ Mou tregon arsyen pse la Interin për “Los Blancos” vetëm pak orë pas triumfit në Champions

Delo.autor

PAS FITORES NDAJ SASSUOLOS/ Gattuso: Nuk duhet të festojmë shumë, sepse…

Delo.autor

Leave a Comment