Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

PARA NDESHJES NDAJ ANDORRËS PËR “KATAR 2022″/ Mema: Janë provokatorë, rezultati ndikon ndaj… Anglisë

Fitoren e fundit Shqipëria me Andorrën e ka më 25 mars të 2019- ës, fiks dy vite më parë. Sapo FSHF kishte shkarkuar Panuçin pas humbjes me Turqinë dhe skuadrën në Andorrë e drejtoi Sulejman Mema me Ervin Bulkun. Një zgjidhje e orëve të fundit, që gjithsesi rezultoi efikase për atë ndeshje. “Ishte një situatë e sikletshme, – tregon Mema për “Panorama Sport”. – Na duhej të përgatitnim një ndeshje delikate, sepse Andorra është ekip i vogël, por kur del huq me këta të vegjlit është më keq… Kur të mund një ekip i madh, ke mundësi edhe të justifikosh humbjen, ndërsa me të vegjlit është problem… (qesh)”.

ÇËSHTJE PSIKOLOGJIKE

“Isha nisur për në Elbasan që të merresha me ndeshjen e Shpresave, kur më telefonuan nga federata dhe më thanë se do të shkoja në Durrës te ekipi i parë. Sapo kishim humbur me Turqinë dhe ishte larguar edhe trajneri. Pasi mbërrita në Durrës, takova presidentin e FSHFsë dhe Ervin Bulkun. Më shpjeguan situatën dhe presidenti na e ngarkoi mua dhe Bulkut detyrën për të drejtuar skuadrën me Andorrën. Ia nisëm punës, por me të vërtetë me pak siklet. Pak kohë në dispozicion dhe e përsëris, kundërshtar i bezdisshëm. Madje, u shqetësova kur pashë në video një ndeshje të Andorrës me Lituaninë. Ishin të shpejtë, provokatorë dhe shumë cinikë. Natyrisht, kishim shumë besim te skuadra sepse lojtarët tanë kishin diferenca me ta, por na u desh të përgatitnim sa më mirë çdo detaj. Ata ishin të shpejtë dhe luanin mirë nga krahët. Morëm masa dhe folëm edhe me disa lojtarë kokë më kokë. Vura re që kishin nevojë edhe për pak vetëbesim, edhe për pak qetësi. Pastaj, për fat të mirë, fituam 3-0 dhe e kaluam atë sprovë. Ah, mbaj mend që kishin edhe një trajner provokator… (qesh) dhe skuadra ishte në përgjithësi ‘e hidhur’. Ata luajnë mirë, më besoni. Fundja, janë një përzierje mes spanjollëve dhe francezëve…”, tregon Sulejman Mema.

EFEKTI TEK ANGLIA

Ish-trajneri i Tiranës dhe Partizanit, sot pjesëtar i sektorit të ekipeve kombëtare, bën thirrje për kujdes dhe përqendrim në ndeshjen e sotme. “Ndeshjet me skuadra si Andorra nuk të motivojnë shumë, madje bëhet edhe më e vështirë kur e di që më pas të pret një kundërshtar si Anglia. Pa dashur kurrsesi të hyj në kompetencat e trajnerit dhe të stafit, apeli im është për përqendrim. Tri pikët janë njësoj si me Andorrën, ashtu edhe me Anglinë. Skuadra duhet të bëjë kujdes, sepse potencialin e ka të jashtëzakonshëm. Duhet të japin gjithçka për të fituar, sepse vetëm kështu shkohet me moralin e duhur kundër Anglisë. Rezultati i Andorrës do të ketë një efekt edhe për ndeshjen me Anglinë dhe lojtarët tanë janë profesionistë, e dinë këtë”, tha Mema.

Related posts

Kagawa drejt rikthimit në Premier League

Sadik.Autor

HETIME KUNDËR JUVENTUSIT? Allegri: Nuk jam unë ai që duhet të komentoj

Delo.autor

TALENTI PREMTUES/ Ish-futbollisti: Djali im do të ketë një karrierë të madhe

Isa.Autor

Leave a Comment