Futboll Sport

RONALDO APO MESSI, KUSH ËSHTË MË I FORTI? Allegri: Për mua më i FORTI i të gjitha kohërave është…

Më vjen mirë që jam këtu, pasi e vërte ta është se më kishte marrë malli të bëja pak muhabet… Kam parë mjaft ndeshje gjatë kësaj kohe, diçka që nuk më vjen natyrshëm ta bëj kur stërvis, pasi kjo më mërzit, nuk më argëton, por gjatë këtij viti pushim kam dashur të bëj disa vlerësime. I kam parë ndeshjet që të mund të kuptoj se kur duhen bërë edhe zëvendësimet, të mësoj nga trajnerët e tjerë. Por e dini, nuk kam goditur asnjë zgjedhje të saktë (qesh)… Ndeshja e fundit që kam parë ka qenë Totenhem-Bajern (faza e grupeve në 2020-ën, 2- 7 për gjermanët). Bajerni më la një përshtypje shumë të mirë (qesh)… E vërteta është se pas asaj ndeshjeje nisa të bëja shumë reflektime mbi futbollin italian, të cilit i ka ardhur koha që të përveshë mëngët dhe të ndryshojë siç duhet”. Nis kështu analiza e Masimiliano Alegrit, i ftuari special në emisionin e mesnatës të rrjetit “Sky Sport”. “Konti Maks”, pa pankinë që nga vera e 2019- ës, pas 5 viteve dominim absolut me Juventusin në Itali, gjithsesi premton se në verë do të rikthehet, ndonëse nuk ka ende një ide se cila do të jetë skuadra e ardhshme.

Maks, ta nisim nga italianet jashtë Europës… Ka mbetur vetëm Roma që përfaqëson Serinë A, ndërsa jemi ende në pranverë…

Duhet të reflektojmë. Edhe unë jam një nga ata tipa që shpesh i frenoja zhonglerët, por edhe zhonglerët duhet të tregojnë ekuilibër. Ky fakt shërben jo vetëm në futboll, por edhe në jetë, por edhe futbolli është një gjë shumë serioze. Në Itali vazhdon të këmbëngulet te taktika, e cila sigurisht që duhet. Por, më pas të mos ankohemi kur shkojmë të luajmë në Europë dhe gjejmë përballë skuadra dhe lojtarë që ia pasojnë njëri-tjetrit topin me 100 kilometra në orë. Ndaj, duhet të ndryshojmë, duhet të nisim ta bëjmë edhe ne këtë, duke filluar ndryshimin nga sektori i të rinjve, nga teknika individuale e cila duhet kultivuar sa më shumë. Duhet t’i mësojmë të rinjtë të luajnë në shpejtësi, jo skema taktike boshe. Por, e dini çfarë, unë mendoj se në Itali lojtarët kanë nisur të përdoren nga trajnerët për t’u treguar opinionit publik sesa të zotë janë ato. Ndërsa unë jam i mendimit që trajner i zoti është ai që fiton.

Alegri, çfarë mendimi keni për ndërtimin e lojës nga portieri? Me këtë stil Porto dhe Borusia eliminuan Interin dhe Juven. Mendoni se këto dy skuadra ishin më të forta se tonat?

Jo, nuk mendoj se janë më të forta, por ne italianët duhet të rikthehemi dhe ta nisim nga “ABC”-ja në futboll. Duhet të mësojmë të pasojmë topin dhe çdo gjë tjetër që bëjnë Bajerni dhe ekipet e tjera të mëdha në Europë. Ndërtimin e lojës nga portieri e bëjnë të gjithë sot, por edhe kjo gjë duhet kuptuar se kur duhet bërë. Në Itali duhet të mësojmë të kurojmë këto aspekte, pastaj të mos ankohemi nëse mbrojtësi anësor limitohet të mbrojë vetëm atë që gjen përpara tij. Loja e skuadrës shkon mirë, por fillimisht duhen 10 futbollistë që të dinë të pasojnë topin siç duhet.

Pse mendoni kështu? Kielinin dhe Barzaljin na i kishin zili të gjithë, edhe Murinjo…

Po, është e vërtetë, edhe Bonuçin, edhe Bastonin e Interit… Ka shumë mbrojtës të mirë. Madje, kur i shihja në dyluftim 2 kundër 2 Barzaljin e Kielinin dallohej qartë në sytë dhe në lëvizjet e tyre se sa dëshirë kishin ata që të luftonin, të duelonin, të fitonin atë top. Por, po ju zbuloj se kur erdha te Juventusi, gjëja e parë që bëra, kërkova statistikat e pjesës së parë. Luanim kundër Kievos dhe shifrat thoshin: Bufoni e kishte mbajtur topin 1 minutë e 39 sekonda. Mbrojtësi vetëm 47. U futa në dhomat e zhveshjes dhe i thashë skuadrës: “Ose ju nuk do t’i pasoni më topin Bufonit, ose betohem se do ta lë Xhixhin në dhomat e zhveshjes në pjesën e dytë dhe do të luajmë pa portier”. Shkurt, ndërtimin e lojës nga porta duhet ta bëjmë në momentin e duhur, jo sepse po e bëjnë të gjithë dhe ne duhet të ndjekim rrymën.

Pyetje e thjeshtë, përgjigje të thatë: Do të riktheheshit te Juvja?

(Qesh)… Po, pse… Shikoni, tani e kam të pamundur ta them, sepse aty është edhe Andrea Pirlo që sipas mendimit tim po bën një punë shumë të mirë. Unë isha 5 vjet te Juventusi dhe lamtumira ishte natyrale. Mua më vjen keq që Andrea humbi me Beneventon, por nga ana tjetër duhet t’i japim merita edhe Filipo Inzagit dhe skuadrës së tij për mënyrën se si interpretoi lojën. Pipo është gjithashtu shumë i zoti dhe duhet t’ia njohim meritat. Për sa më përket mua dhe Juves, arriti një pikë ku unë dhe drejtuesit kishim pikëpamje të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se ishte një “divorc” i ashpër. Përkundrazi, unë dhe Anjeli kemi ende sot marrëdhënie fantastike. Ato 5 vite te Juvja janë dhe do të mbeten të papërsëritshme. Mes nesh kishte kimi, pozitivitet, bëmë zgjedhje merkatoje të rëndësishme, por pas 5 vitesh ishte e vështirë të përsërisje të njëjtat gjëra. Pengu im është që me Ajaksin gjërat nuk shkuam siç donim, por mbetem gjithsesi shumë i lidhur me Juven.

Çfarë vështirësish po has Pirlo? Çfarë i duhet Juves të jetë kompetitive në Champions, duke qenë se ju të paktën i bëtë dy finale?

Nuk e di cilat janë vështirësitë e Pirlos, por di të them se të bësh trajnerin është diçka shumë e vështirë. Të bësh trajnerin nuk mund të shpjegohet. Mënyra se si duhet t’u flasësh lojtarëve nuk gjendet dhe nuk mësohet nga asnjë libër. Mënyra se si duhet të dënosh një futbollist është edhe më keq. Prandaj, unë gjithmonë e kam bazuar trajnimin te menaxhimi i burimeve njerëzore. Dhe meqë kemi Fabio Kapelon në lidhje direkte, mund të them se e vetmja gjë që kam mësuar prej tij është: Kur i sheh lojtarët nga jashtë, ndoshta do të doje t’i dërgoje të gjithë në shtëpi, kur nuk të përgjigjen. Por, e vërteta është që kur i stërvit, është diçka krejt tjetër dhe vetëm kështu mund të ngresh atë marrëdhënie reciproke dhe respekti që të ndihmon të arrish objektiva të mëdhenj.

Po çfarë pra i mungon Juves aktuale?

Nuk e di, sepse nuk është Juvja problemi. Pastaj të mos harrojmë që COVID-i ka trazuar shumë ujërat. Juvja ka ndryshuar të gjithë mesfushën në bllok, por ky grup lojtarësh aktualë ka shumë cilësi. Duhet pak kohë ndoshta, sepse lojtarët nuk janë si makinat, që kur pëson një defekt, ble pjesën e këmbimit dhe ajo rikthehet të japë të njëjtin rendiment. Unë mendoj se është problem mentaliteti, pasi kur sheh që në Serinë A edhe sot ajka janë 36-39-vjeçarë si Kielini, Ronaldo e Ibra, kjo do të thotë diçka. Juvja sivjet ka fituar Superkupën e Italisë, është në finalen e Kupës dhe nëse e fiton edhe atë dhe kualifikohet në Champions, do të jetë një sezon shumë pozitiv edhe pa titullin. Nuk ka skuadra që fitojnë gjithmonë!

Mendoni se lojtarët e mëdhenj sot janë më shumë industri sesa kampionë të fushës?

Kam pasur fatin të stërvis Ronaldon, Ibrahimoviçin, Robinjon, Nestën, Pirlon, Bufonin, Pogbanë, Tevezin e Kielinin, por e dini çfarë kam mësuar: gjëja më e rëndësishme është respekti reciprok. Po, është e vërtetë se sot lojtarët janë industri milionash, pasi rrjetet sociale ndikojnë dhe fitohet shumë mirë. Këtë gjë kam nisur ta kuptoj edhe unë sot, ndonëse kam qenë kundër kategorikisht… Ndaj, unë mendoj se trajneri duhet dëgjuar gjithmonë, për ta duhet të jesh një pikë referimi. Sepse, nëse menaxhon resurset njerëzore bën gjithmonë diferencën.

Do ktheheni në verë në stol dhe a është e vërtetë që keni refuzuar Realin?

Tri vite më parë më telefonuan nga Reali, por unë i kisha dhënë fjalën Juves. Po, këtë verë do të kthehem, pasi kam ende pasion dhe nevojë që të dëfrehem me këtë punë. Kjo nuk do të thotë se jam në krizë papunësie. Madje, ajo që më mungon më shumë se çdo gjë tjetër është të mësoj edhe nga lojtarët e mi. Dëgjojeni këtë… Kishim fituar ndeshjen e vajtjes në Kupë 3-2 ndaj Napolit. Në kthim, i thashë Dani Alveshit: “Shko në mbrojtje dhe të luajmë me një linjë me 5 veta”. Alvesh më kthehet: “Ma lër mua në dorë. Do të shkoj të markoj një për një Insinjen. Ai është i vetmi që mund të na hapë telashe”. Dhe kishte të drejtë. Jo vetëm më mësoi, por Alvesh i dha zgjidhje një ndeshjeje. Kjo më pëlqen. Ky është menaxhimi i vlerave njerëzore në një skuadër.

Thonë që stërvitjet tuaja janë speciale…

E kam dëgjuar, por kur disa trajnerë më kanë kërkuar që t’i ndiqnin ato, më bënte habi. Nuk është se unë nisja raketat për në Hënë, ndryshe nga të tjerët (qesh)…

Te Juvja morët trashëgiminë e Kontes, atij që sivjet po dominon me Interin…

Që Antonio është i zoti këtë nuk e zbulojmë sot. Është edhe shumë i zgjuar, pasi di të punojë në rritjen psikologjike të grupit. Madje, unë mendoj se Konte me skuadrën që ka sivjet mund të rivalizonte denjësisht për çerek ose gjysmëfinalet e Champions-it. Do ta shihni vitin tjetër, do të bëjë një udhëtim madhështor në Europë.

Sa i ka munguar Dibala Juventusit?

Po ju zbuloj diçka: Kur Dibala erdhi te Juvja, i thashë: “Ti nuk mund të bësh sulmuesin, sepse te Juvja luajmë 50 metra më lart sesa te Palermo dhe ti do ta gjeje veten brenda zonës së vogël të portierit kundërshtar. Ti ke nevojë për hapësirë, ndaj nis të krijosh zonat e tua”. Dhe po, Dibala i ka munguar shumë Juves, sepse di të bëjë gola, di të pasojë shpejt. Lojtarë si ai janë thelbësorë dhe bëjnë diferencën.

Tani disa pyetje flesh: Anjeli apo Berluskoni?

Një pjesë të mirë të diferencës mes futbollit europian dhe Serisë A e bën kultura e vendit tonë. Juventusi dhe Milani janë dy klube të ndryshme. Për shembull, Berluskoni ishte më shumë një shoumen, ndërsa Juventusi mburrej me historinë e familjes më të rëndësishme në Itali, por në të njëjtën kohë kërkohej që të jepte gjithmonë shembullin e sakrificës për të arritur te sukseset. Çdo ADN është e ndryshme. Te Milani, kur unë shkova, kishin 7 vjet pa fituar titullin dhe e rikthyem. Për çdo trajner është e rëndësishme të njohë ADN-në e klubit ku shkon të punojë.

Ronaldo është vënë nën akuzë, ndërsa luftëtari yt ishte Manxukiç… Por, realisht më thoni, cili ka qenë lojtari që ju ka mahnitur më shumë?

Edhe Ronaldo është njerëzor, edhe ai mund të gabojë ndonjë stopim, por për mënyrën se si i shmanget markimit dhe si e sulmon portën është unik. Kristiano është një makineri fituese, ka fituar 5 Champions dhe po kaq “Topa të Artë”, por akoma më shumë se kaq çdo ditë di t’i gjejë vetes stimuj për të fituar. Shkon ta kërkojë golin në çdo mënyrë dhe kush luan përkrah tij, duhet të ketë inteligjencën që të lëvizë për t’i hapur hapësirat Ronaldos. Prandaj, në vitin e fundit te Juvja thosha: “Askush të mos ma prekë Manxukiçin”. Mario ishte diçka unikale… Madje, kujtoj që kur vendosa të kaloja në skemën 4-2-3-1, ishte sikur të kisha hapur dritaret dhe të merrja frymë. Të gjithë sulmuesit e mi kishin të stampuar një buzëqeshje të madhe në fytyrë, pasi kishte vend për të gjithë. Ndërsa për sa u përket lojtarëve më mahnitës, unë mund të them se dy net më parë, po shihja me djalin një dokumentar për Ronaldinjon… Eh… Ai dinte se si kalonte topi, vetëm ai dhe Kasano kam parë ta çonin topin ku donin ata. Edhe Robinjo, me ato këmbët e shtrembra në dukje bënte magjira dhe mos kujtoni se ishte e lehtë ta hidhje edhe në tokë. Nëse donte, mund ta mbante i vetëm topin në këmbë edhe 35 minuta pa ia hequr njeri. Edhe Sedorf ishte një fenomen, por të çante b… Njëherë e lashë dy ndeshje në stol dhe vinte të më ankohej: “Mister, unë si kam bërë kurrë dy ndeshje radhazi në stol”. Dhe unë që iu përgjigja: “Shumë mirë, me mua mund të nisësh të bësh edhe nga tri radhazi”.

Haland duket sulmuesi i së ardhmes? Cilët janë më të fortët sipas jush?

Benzema, Levandovski, Higuain, Ibrahimoviç… Dhe duke mbetur te Zlatani, mendoni sikur ai kokëderr të kishte vendosur ta bënte seriozisht sulmuesin që 10 vite më parë… Në kohën tonë te Milani dilte shpesh xhiro nëpër fushë se nuk donte që të merrte shqelma… Ndërkohë, për sa u përket sulmuesve të tjerë, Ken më pëlqen, por nuk është në nivelet e emrave të mësipërm. Haland ka ende për të punuar, por ka një supremaci teknike të pabesueshme.

Atëherë, Ronaldo apo Mesi, kush është më i forti?

Janë të ndryshëm. Ronaldo për mua është më i madhi i të gjitha kohërave. Mesi është më i forti i të gjitha kohërave.

Iniesta apo Pirlo?

Edhe këta ishin të ndryshëm, por mund të luanin shumë mirë së bashku. Është e vështirë, por po them Pirlo, pasi e kam stërvitur. Gjithsesi, atë Barcelonë të Iniestës e ëndërroja çdo natë, pasi m’u desh ta përballoja 4 herë me radhë, ndeshje në të cilat ata e lëviznin topin me 1000 kilometra në orë.

Suarez apo Morata?

Për nga karriera them Suarez. Alvaro është rritur shumë. Ai është lojtari i ndeshjeve teke, sepse di se si t’i vendosë ato. Në 2015-ën ne shkuam në finalen e Champions-it, sepse Morata i shënoi dy gola në gjysmëfinale Realit. Shënoi edhe në finale, por nuk mjaftoi. Morata është thjesht vrasës në ndeshjet teke.

Lukaku-Lautaro, dyshja më e mirë e Serisë A?

Pa dyshim që po, pasi janë faktet që e tregojnë këtë. Konte u tregua shumë i zoti që i bëri të bashkëjetojnë në fushë, ndonëse janë shumë të ngjashëm për nga cilësitë.

Bentankur fantazist?

Atëherë, një ndeshje përpara mbrojtjes edhe mund ta luajë. Maksimumi dy. “Benta” nuk është një organizator, është një lojtar që luan tresh: stopon topin, më pas mendon e pastaj pason.

Premier Liga apo La Liga?

Kanë sharm, por edhe nëse rri në Itali, do të isha shumë i lumtur.

“San Siro” apo “Allianz Stadium”?

“San Siro” është shumë i rëndë, shumë më hijerëndë se stadiumi i Juves.

Mbrojtje me 3 apo 4 lojtarë?

Te Juventusi me 3 mbrojtës thuajse nuk kam luajtur kurrë. Mbaj mend Galianin, i cili më thoshte se në Europë nuk kishte ndodhur kurrë që kampione e Champions-it të ishte shpallur një skuadër, e cila kishte luajtur me 3 lojtarë në prapavijë.

Related posts

PORTUGALI-FRANCË/ E gjithë bota e futbollit mban sytë nga “finalja e parakohshme” (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

E PABESUESHME NË FRANCË/ Ylli Icardi mban ndezur garën për titull disa sekonda nga fundi (VIDEO)

Delo.autor

SEZON FANTASTIK TE REALI/ Bellingham me objektiva të qarta: Dua trofe

F.autor

Leave a Comment