Futboll Seria A Sport

ZBULOHEN PRAPASKENAT TEK JUVENTUS/ Ronaldo ikën vetëm pa Champions-in, për Pirlon 2 ndeshje kohë

Fakti që Kristiano Ronaldo po e përgatit në “Kontinaza” ndeshjen e parë eliminatore për “Katar 2022”, është një lajm i mirë për Juventusin, duke qenë se edhe dje, presidenti Andrea Anjeli ka mundur të flasë me futbollistin portugez, gjatë një momenti pauze të përfaqësueses, në të cilën ka takuar edhe trajnerin e Portugalisë, Fernando Santos.

I zoti i shtëpisë ia ka hapur dyert luzitanëve mbi të gjitha për të mbajtur lart humorin e yllit të skuadrës së tij, i cili po reflekton për të ardhmen, ndonëse siç dihet, Kristiano nuk është një nga ata që largohet pa arritur objektivat e tij. Duke parë kurrikulumin e 36- vjeçarit, të paktën siç raporton “Repubblica” (një e përditshme që është pjesë e aseteve të familjes Anjeli), vështirë se CR7 do të mbyllte aventurën te Juventusi pa një trofe prestigjioz siç mund të ishte të paktën titulli kampion apo edhe Champions-i.

Ndaj, ideja e sulmuesit është ajo e të qëndruarit edhe vitin e ardhshëm dhe të bëjnë të harrojnë këtë sezon aspak pozitiv deri tani. Sigurisht, e gjitha kjo mund të bëhet realitet nëse nuk ndodh e pamendueshmja, që Juventusi të mos kualifikohet as për Ligën e Kampioneve. Pasi në këtë rast, “divorci” do të ishte ia pashmangshëm, duke parë sponsorët e shumtë dhe të fuqishëm që kanë blerë imazhin e yllit bardhezi.

Prandaj, me shpresën se Ronaldo dhe “Zonja e Vjetër” nuk do të bëjnë kapriço deri në fund, tani pritet një reagim i fortë nga ana e të gjithë skuadrës, por edhe nga trajneri Andrea Pirlo. Pas mbledhjes urgjente që ka pasur në klub mes krerëve, presidenti Anjeli i ka dhënë 2 ndeshje afat “timonierit” bardhezi për të bërë kthesën e madhe dhe të fortë, të nxjerrë në fushë një Juventus që të bëjë të harrohet sa më shpejt ajo humbje e turpshme me Beneventon.

Përndryshe, në verë pritet një revolucion ndoshta rrënjësor në Torino, duke nisur nga stoli, ku hija e rikthimit të Alegrit sa vjen e zmadhohet. Ndërkohë që lojtarët e vetëm që janë të sigurt për qëndrimin e tyre në ngjyrat bardhezi janë vetëm 6: Matajs de Ligt, Danilo Luiz, Huan Kuadrado, Artur Melo, Dejan Kulusevski dhe Federiko Kieza. Të gjithë të tjerët do të mund të përdoren në merkato, për miliona apo si mall shkëmbimi.

Related posts

Kukësi-Laçi, antagonizmi vazhdon, synohet finalja e Kupës

Sadik.Autor

BURNLEY-MANCHESTER CITY/ Guardiola ka në dorë titullin e Premier (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Zyrtare/ FIFA konfirmon ankesën e Atleticos ndaj Barcelonës

Delo.autor

Leave a Comment