Futboll Seria A Sport

ANALIZA/ Shtyllat dhe faktori “shtëpi”, Milani në vend të 4-t me… transferta

Stefano Pioli nuk është tip justifikimesh dhe është i qartë në deklaratat e tij kur flet për “qasje të gabuar”. Ritmi i ulët, agresiviteti i pakët dhe intensiteti i dobët ishin tiparet kryesore të Milanit kundër Sampdorias, në një garë ku vendësit u shkundën në disavantazh të një goli dhe në një avantazh numerik.

Duke marrë parasysh që lufta për një vend në katër vendet e para përfshin tri hapësira dhe gjashtë kandidate, Pioli duhet të gjejë sa më shpejt zgjidhje për të përmirësuar ecurinë e ekipit që nuk arriti të godiste kurrë në portë në 45 minutat e para. Diçka e tillë ka ndodhur edhe ndaj Specias e Atalantës, ndërkohë që kuqezinjtë nuk janë gjuajtës të dobët. Mesatarja sezonale deri në javën e 19-të ishte në vlerën 15,3 për ndeshje, ndërkohë që aktualisht është 14,7. Raporti i keq i “Djallit” me portat rivale dallohet edhe te shtyllat e goditura që aktualisht janë në kuotën 19 duke bërë Milanin një ekip që shpesh është ndarë nga tri pikët për çështje të lidhura me centimetrat.

ECURIA – Problemi kryesor i Milanit janë, paradoksalisht, ndeshjet në “San Siro”. Shifrat flasin qartë kur thonë se në gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi, ekipi i Piolit nuk ka mundur kurrë të fitojë. Pas barazimit me Sampin, “Djalli” bëhet ekipi i Serisë A me diferencën më të madhe mes pikëve në transfertë (37) e atyre në shtëpi (23). Me këtë ritëm “udhëtojnë” edhe statistikat e golave sepse në “San Siro” janë shënuar 26 e pësuar 21, ndërkohë që larg shtëpisë shënohen më tepër (28) dhe pësohen shumë më pak (13). Edhe këtu diferencat janë të frikshme, aq më tepër nëse i shtojmë faktin që ndaj Sampit, goditja e parë në portën rivale u bë në minutën e 82-të.

RINGRITJA – Edhe në rast fitoreje me Sampin, Pioli nuk do të kishte qenë i kënaqur. Në prag të ndeshjes kundër Sampdorias, ai fliste për pengje e keqardhje, ose më saktë, për të arritur në fund të sezonit pa pasur të tilla. Është e vështirë që një sezon të mbylle pa pengje, por duheshin shmangur grumbullimet sepse fati jo gjithmonë të përkrah, ndërkohë që mund të ndodhë që ekipi të ulë shpejtësinë në rast kur nuk duhet ta bëjë. Të gjitha janë eventualitete që mund të ndodhin, aq më tepër që sezoni i “Djallit” ka qenë më i gjatë nga të gjitha simotrat italiane, por në këtë 2021, skuadra po fiket shpesh. Në nëntë javët e mbetura duhen shmangur rrëzimet sepse Atalanta është pranë, por edhe sepse nëse në fund nuk arrin asgjë, askush nuk do të kujtohet për mbi 30 rezultatet radhazi pozitive, po për golat e shumta. Deri në fund të kampionatit mungojnë 9 ndeshje (4 në shtëpi dhe 5 në transfertë), ndërkohë që Pioli e ka përcaktuar arritjen e Champions-it nëpërmjet 75 pikëve. Pra, Milanit i mungojnë 15 pikë në renditje e, duke dashur ta mbyllim me batutë, mund t’i mjaftojë t’i fitojë të gjitha transfertat për të siguruar një vend mes katër të parave…

Related posts

Pamje të reja dalin nga incidenti i McGregor me autobusin (Video)

Sadik.Autor

ATLETICO-REAL MADRID/ “Los Blancos” thellon avantazhin, shënon Bale

Delo.autor

E OFENDUAN SE I KISHTE KRAHËT E SHKURTRA/ Portieri i kombëtares së Anglisë përfshihet në një sherr masiv

Delo.autor

Leave a Comment