Futboll Seria A Sport

FERENCVAROS KËRKON 4 MILIONË EURO/ Myrto Uzuni: Ju tregoj planin tim

Myrto Uzuni është në piedestalin e karrierës së tij. Golat ndaj Dinamos së Kievit dhe Juventusit janë vetëm njëra anë e shkëlqimit të sulmuesit beratas. Pjesa tjetër plotësohet nga 12 golat dhe 7 asistet në kampionatin hungarez, të fituar me Ferencvaroshin.

Së fundmi, mediat hungareze kanë bërë me dije edhe përgjigjen për kërkesën e Olimpiakosit që pak ditë më parë u reklamua në një nga mediat më të mëdha.

Nga sa bëhet me dije prej “Csakfoci.hu”, kampionët hungarezë që festuan këtë fundjavë titullin e tretë radhazi dhe të 32-in në histori, kërkojnë të paktën 4 milionë euro për kartonin e bomberit të Kombëtares shqiptare. Shifër, që në bazë të të njëjtave raportime është konsideruar e lartë nga drejtuesit e Olimpiakosit.

MYRTO UZUNI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Uzuni e driblon edhe dritaren e merkatos që po afron, duke u shprehur se fokusi i tij janë golat. 25-vjeçari flet edhe për përballjen që do të ketë me disa nga shokët e ekipit në vjeshtë si dhe pikat e forta të Shqipërisë përballë Hungarisë.

Uzuni, me dopietën tuaj, Ferencvaroshi u shpall kampion në Hungari. Si ishte ky sezon i parë për ju?

Ishte ndeshje e bukur dhe për t’u mbajtur mend. Fillimisht për golat që shënova dhe pastaj për faktin se zyrtarizuam titullin kampion. Personalisht ka qenë një sezon shumë i mirë për mua, më i miri në karrierën time. Shifrat flasin vetë, pasi kam shënuar 15 gola me Ferencvaroshin, 12 në kampionat dhe 3 në Champions. Gjithashtu, kam asistuar edhe shtatë herë për ekipin. Për ta plotësuar, është edhe goli që shënova me Kombëtaren dhe një tjetër ndaj Kosovës në miqësore.

Në vitin e parë, jeni i treti në listën e golashënuesve. E pretendonit “Këpucën e Artë”?

Duke parë që kanë mbetur shumë pak ndeshje, është e pamundur që tani të mendoj për këtë arritje, pasi vendi i parë është gjashtë gola në avancë ndaj meje. Unë humba edhe shumë ndeshje në kampionat dhe kjo më largoi nga kjo garë në periudhën kur isha pozitiv me Koronavirus.

Në Greqi, një nga gazetat më të mëdha u hap me interesimin që Olimpiakosi kishte për ju. Si është e vërteta dhe çfarë mendon Uzuni për një transferim të tillë?

Nuk e mendoj fare. Unë jam i fokusuar te golat që të shënoj sa më shumë. Kemi edhe 3 ndeshje dhe shpresoj që të vijoj me këtë ecuri. Interesimet? Më duket normale që të ketë interesime nga skuadra të tjera, përderisa ne fituam titullin dhe unë personalisht kam pasur këto statistika që përmenda më lart. Sidoqoftë, është klubi që merret me këtë çështje.

Është Greqia mes ligave të preferuara për të ardhmen tuaj?

Dëshira dhe synimi im është që të shënoj sa më shumë. Kaq!

Related posts

MANCHESTER CITY-SCHALKE/ “Vendasit” dyfishojnë shifrat, shënon Aguero

Delo.autor

RAMOS TREGON SI PO RIAFTËSOHET/ Tifozët nuk ia kursjenë kritikat dhe ironitë (VIDEO)

Delo.autor

Ylli i Brazilit rrëfen bisedën me Leo Messin që i ndryshoi jetën

Isa.Autor

Leave a Comment