Sport

FITORJA E “LOS BLANCOS” NDAJ LIVERPOOL/ Ja të gjitha notat e lojtarëve që u aktivizuan në sfidën e Champions…

Sezoni i Realit nis të marrë një formë interesante. Me rihapjen e La Ligës (të shtunën luhet klasikja) edhe rruga drejt gjysmëfinaleve të Champions-it duket në dishezë falë fitores 3-1 kundër Liverpulit, falë dopietës së Vinicius dhe golit të Asensios.

Nëse finalja e Kievit 2018 mes këtyre dy skuadrave ishte vendosur nga gabimet e portierit Karius, dje ishte mbrojtja ajo që tradhtoi Liverpulin, plus një Alison aspak i vëmendshëm në rastin e golit të tretë. Dhe pikërisht se prapavija e të kuqve fut ujë nga të gjitha anët, çerekfinalja e kthimit bëhet më pak e frikshme për djemtë e Zidan. Ndërkohë, për Klopin dhe bandën e tij kjo ishte humbja e katërt radhazi përballë rivaleve spanjolle, një makth që pritet të bëhet edhe më i madh në pritje të duelit të kthimit më 14 prill.

NOTAT E REALIT

KURTUA 6 – Në pjesën e parë as nuk mundet ta kuptojë nëse topi ishte i fryrë aq sa duhet. Nuk e preku kurrë. Pa faj në golin e Salahut.

VASKEZ 5.5 – Është mbrojtës i sajuar dhe luan me grintë e forcë duke vrapuar pa fund. Në tërësi bën ndeshje pozitive, por mëkat që nuk e ngrihet në linjën e mbrojtjes kur Salah shënon golin e dytë. Fundja është mesfushor sulmues me “profesion”…

NAÇO 6.5 – Tashmë është një siguri absolute për mbrojtjen e Realit. Korrigjon çdo gabim dhe udhëheq mbrojtjen madrilene.

MILITAO 7 – I vëmendshëm. Bën vetëm një gabim në fillimin e ndeshjes, pastaj rritet në lojë. Largon shumë topa të rrezikshëm në zonë dhe lexon me lehtësi lëvizjet e sulmuesve të Liverpulit.

MENDI 6.5 – Në pjesën e parë shtyn si një tren në gjysmëfushën rivale, duke e bërë Arnoldin të dukej si një mbrojtës çfarëdo. Në pjesën e dytë mendon më shumë për mbrojtjen dhe rezulton deciziv.

MODRIÇ 6.5 – Në pjesën e parë ishte jashtë ritmi. Me kalimin e minutave e rrit kondicionin, fiton siguri dhe jep asistin për golin e tretë.

KASEMIRO 6.5 – Braziliani nuk i ka këmbët e “edukuara” si dy mesfushorët e tjerë, por ai është jetik përpara mbrojtjes. E gjithë mesfusha bën mirë edhe falë forcës së tij taktike për të lexuar situatat. KROS 7 – Gjithçka rreth tij është kualitet dhe inteligjencë. Nga dy topat e tij të gjatë vijnë dy golat e parë të Realit. Dhuron leksione futbolli në zona të gjera e të ngushta. Profesor!

ASENSIO 7 – Shkëmben shpesh pozicionet me Lukas Vaskezin dhe alternimi funksionon. Është i zoti në momentin e golit duke nxjerrë huq Alisonit. Ndihmon edhe në fazën mbrojtëse, por mund të bënte më mirë në pjesën e dytë. (Nga 70′ Valverde 6 – Bën 20 minuta të mira për të kërkuar ritmin e munguar).

BENZEMA 7 – Kur nuk shënon, i bën të tjerët të shënojnë. Prezenca e tij është jetike për idenë dhe lojën e Zidanit. Lëviz në të gjithë linjën sulmuese dhe mban në panik të gjithë mbrojtjen e Liverpulit.

VINICIUS 7.5 – Është njeriu kopertinë i mbrëmjes për Realin. Që në fillimin e ndeshjes duket që është në formë fizike dhe psikologjike. Ka shpejtësi me topin në këmbë. Lëvizje mjeshtërore në golin e parë dhe instikt në të dytin. (Nga 85′ Rodrigo-pa notë).

TRAJNERI ZIDAN 7 – Reali në pjesën e parë ishte spektakolar. Luan vertikalisht, pason shpejt, ka ekuilibër dhe soliditet në mbrojtje. Bën presing lart. E njëjta gjë ndodh edhe në pjesën e dytë, me përjashtim të faktit që Liverpuli zbret më shpesh në zonë.

NOTAT E LIVERPULIT

ALISON 5,5 – Ka përgjegjësi në golin e tretë të pësuar. Nuk kishte rreze, por reagimi i tij nuk ishte i duhuri. Nuk është më portieri që të ofron siguri.

ALEKSANDËR ARNOLD 4,5 – Vazhdon të tregojë momentin e vështirë. Pjesa e parë është një film horror. Nuk e mbyll Viniciusin në pasimin e Krosit dhe bën gabim foshnjarak duke rikthyer topin në golin e dytë. Në pjesën e dytë bën një mbyllje të mirë ndaj Asensios, por nuk mjafton.

FILIPS 5 – Kur duhet të luftojë nuk e tërheq këmbën, por kur ndeshja bëhet e vështirë dhe vendimtare aty vlen eksperienca. Vinicius futet me shumë lehtësi mes tij dhe Aleksandër Arnoldit për të shënuar golin e parë. Me vonesë në golin e tretë.

KABAK 5 – Nuk e nis keq ndeshjen duke treguar vlerat e tij në qendërmbrojtje, por bie dhe ai ashtu si i gjithë reparti i Klopit. Për pak i dhuron Asensios golin për të shkuar 3-0 me një gabim fatal. (Nga 82′ Fimino-Pa notë).

ROBERTSON 5,5 – Edhe ai bën shumë gabime në fazën kur duhet të nxjerrë topin. Në pjesën e dytë është më mirë për të shoqëruar aksionet.

KEITA 5 – Ndihmon Aleksandër Arnoldin për të markuar një Mendi të tërbuar, por në fazën sulmuese nuk bën atë që duhet. (Nga 43′ Tiago 5,5- Prezantohet me një pasim të gabuar që rrezikon ta çojë Realin drejt portës së Asensios. Bën disa pasime të mira, por vetëm kaq).

FABINJO 5,5 – Elegant kur menaxhon topin në mesfushë. Mundohet të luajë me topin tokazi, edhe pse shpeshherë e kthen mbrapa. Humbet Modriçin në golin e tretë të Realit.

VAJNALDUM 6 – Nga një lojtar me kualitet si ai pritet gjithmonë më shumë në fazën sulmuese. Në pjesën e parë nuk duket, ndërsa në të dytën ndihmon skuadrën.

SALAH 6,5 – Ka dëshirë të shfaqet në sulm. Rihap ndeshjen dhe mban në lojë Liverpulin për eliminatoren. Qëndron si gjahtar në limitet e pozicionit të parregullt për ta dërguar topin në rrjetë.

DIOGO ZHOTA 5,5 – Pas një pjese të parë ku nuk duket praktikisht kurrë, në të dytën është më i zhdërvjellët dhe inicion golin e parë të Liverpulit. Por, është shumë pak. (Nga 83′ Shaqiri-Pa notë).

MANE 5 – I munguar i pajustifikuar në ndeshjen e luajtur në “Valdebebas”. Shfaqet vetëm në fundin e pjesës së parë kur ndëshkohet me të verdhë për protesta nga arbitri. Në pjesën e mbetur përplaset me murin e Realit.

TRAJNERI KLOP 5,5 – Liverpuli nuk po kalon momentin më të mirë. Ka mungesa në mbrojtje, por e njëjta gjë vlente edhe për Realin…

Related posts

GATI T’I PRISHË PUNË MILANIT/ Napoli futet në garë për sulmuesin e Real Madrid…

Delo.autor

FORMULA 1/ Vettel rikthehet në pistën e mallkuar, aty nuk ka triumfuar kurrë (VIDEO)

Delo.autor

EMRE CAN I HABITUR NGA MODESTIA E “CR7″/ “Qëndron me këmbët në tokë, nuk sillet si yll”

F.autor

Leave a Comment