Futboll Sport

STATISTIKAT NË ASPEKTIN EKONOMIK/ Sheikët i hapin luftë, por Real Madrid është… mbreti

Roman Abramoviç bleu Çelsin në vitin 2003 dhe ndryshoi rregullat e lojës. Manjati rus nisi një revolucion në futboll mbi bazën e parave. Që nga ajo kohë nisën të futeshin në skenë edhe pasanikët e tjerë. Pronarët e Mançester Sitit dhe PSG-së janë gjithashtu shumë të fortë në këtë aspekt. Dhjetë vite pasi ata u futën në botën e futbollit, kanë marrë kontrollin e Champions-it dhe këtë sezon përfaqësohen jo pak, por me 3 ekipe në gjysmëfinale. Reali i Madridit është skuadra e vetme që sfidon “rregullin” e ri të futbollit botëror duke u kualifikuar mes 4 më të mirave, por që nuk kanë një pasanik si pronar.

Tre të tjerët janë shembujt konkretë të multimilionerëve që kanë shpenzuar shumë për të arritur suksesin. Kurrë nuk është parë diçka e tillë. Kanë shpenzuar shumë para, por tani janë aty duke ndryshuar hartën e futbollit. Dikur ishin skuadra në nivelin mesatar, por tani janë shndërruar në superfuqi. Në vitin 2008, “Abu Dabhi United Group” mori drejtimin e Mançester Sitit. Pronari i kësaj kompanie është sheiku Mansur bin Zajed Al Nahyan, pjesëtar i familjes mbretërore në Abu Dabi. Që kur u bë president, ai ka bërë investime të çmendura duke shpëtuar klubin nga katastrofa. Siti ia ka dalë që të kualifikohet për herë të dytë në gjysmëfinalet e Champions-it (e para ishte në vitin 2016). Ata kanë bërë shpenzime të mëdha vit pas viti për të afruar futbollistët më të mirë të planetit. Fiksimi i madh është Champions-i.

PSG – Të njëjtën histori ka pasur edhe PSG-ja, e kontrolluar nga “Qatar Sports Investments”. Ky projekt sportiv është mbështetur në mënyrë direkte nga emiri i Katarit Tamim bin Hamad Al-Thani. Naser Al Khelaifi, president i klubit që nga viti 2011, ka si objektiv fitoren e Champions-it. Ashtu si Siti edhe Çelsi ka shpenzuar shumë para, por pa sukses. Kjo është formula që përdorin manjatët për të revolucionarizuar futbollin. Kjo është rruga më e shkurtër për të arritur suksesin, por në të njëjtën kohë thyhen edhe rregullat e “Fair Play”-t financiar. PSG-ja rrezikoi shumë vitin e kaluar, por arriti të luante në finale. Këtë herë sfidohen dy sheikët me njëri-tjetrin në gjysmëfinale.

OLIGARKU RUS – Roman Abramoviç ishte pionieri. Ai nisi këtë rrugëtim dhe të tjerët e ndoqën. Skuadra e tij arriti të luante dy finale Champions-i, në vitin 2008 dhe në vitin 2012. Shpenzimet e tij për 18 sezone kanë qenë monstruoze, 2 miliardë dhe 222 milionë euro. Edhe këtë sezon u bënë transferime të bujshme, afro 250 milionë euro me Haverc, Verner, Çiluell etj. Por, edhe shitjet kanë qenë një pjesë e rëndësishme e projektit të tij për 20 vite: 1.1 miliardë euro. Bilanci është 1 miliard euro humbje. Milioneri rus duhet të shpenzonte 854 milionë euro përpara se të fitonte Champions-in e tij të vetëm në vitin 2012. Abramoviç preku qiellin me dorë dhe të njëjtën gjë ëndërrojnë edhe Siti me PSG-në. Siti i nisi shpenzimet me Robinjon në vitin 2008 për të arritur në 2 miliardë euro. Por “Qytetarët” nuk kanë shitje ashtu si Çelsi dhe bilanci është më negativ, 1.2 miliardë euro. Shifra të çmendura.

SHPENZIME – Edhe PSG-ja ka bindjen që herët a vonë do të sigurojë Champions-in e saj të parë në histori dhe të dytin për Francën si shtet. Ashtu si vëllezërit binjakë, kanë shpenzuar shumë para: 1.3 miliardë euro. Nga blerjet 9 milionë euro te transferimi më i kushtueshëm i historisë (Nejmar 222 milionë) apo Mbape (145). Tri skuadrat e mësipërme kanë paranë si ndëshkim. Kanë ngjashmëri në këtë aspekt, por nuk kanë traditë. Kanë fituar vetëm 4 Kupa Kupash. Siti e ka fituar në vitin 1970, PSG-ja në vitin 1996, Çelsi në vitin 1971 dhe 1998. Por, blutë e Londrës kanë edhe një Champions. Përballë kanë Realin e Madridit, kolosin e mbrëmjeve të mëdha europiane, “mbretin” e Europës me 13 Champions. Klubi që do të mbrojë nderin e futbollit të ri. Reali është i vetëm përballë rrezikut që kërcënon këtë sport, por nuk duhet të harrojmë që edhe Florentino Perez e hap portofolin shpeshherë për të afruar kampionë në ekipin e tij.

Related posts

CHAMPIONS/ Liverpool mposht me “MANITA” Atalanta-n dhe blindon kreun

Delo.autor

STATISTIKAT PËR 9 VITET E FUNDIT/ Ja 5 klubet që kanë shpenzuar më shumë në merkato (FOTO)

Delo.autor

TENTOI TË GODISTE DREJT PORTËS/ Futbollisti shqiptar “trullos” drejtuesin e skuadrës, ja episodi (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment