Futboll Seria A Sport

“CONTE KËRKON TA FUNDOSË JUVENTUS”/ Mbrojtësi Shkriniar: Ju tregoj momentin më të rëndësishëm të sezonit

I intervistuar nga por tali sllovak “Sport Aktuality”, Milan Shkriniar, mbrojtësi i Interit, ka treguar se si grupi zikaltër i ka përjetuar ditët pas fitores matematike të titullit: “Dalëngadalë po kuptojmë të gjithë atë që ka ndodhur. Mos u habisni për festën, Interi e priste titullin prej njëmbëdhjetë vitesh. Normalisht na vjen keq që nuk mund të jemi në kontakt me personat për shkak të normave anti-COVID”.

Po planifikoni një mbledhje të përbashkët me shokët dhe stafin teknik për të festuar?

Do të ngremë kupën për fitoren vetëm pas ndeshjes së fundit brenda fushe me Udinezen.

Fitorja e një titulli është një sukses i madh për ju personalisht, por edhe për gjithë futbollin sllovak. Jeni, në fakt, bashkëkombësi ynë i parë që fiton kampionatin italian dhe vetëm i dyti sllovak gjallë që ka fituar titullin në një nga pesë kampionatet kryesore europiane pas pavarësisë.

Janë fjalë të bukura. Tani që i përmende, kam drithërima. E dija që jo shumë sllovakë kanë arritur ta bëjnë diçka të tillë.

Na e përshkruani sezonin.

Nuk luajta ndeshjen e parë, më pas u bëra pjesë e formacionit. Për fat të keq, nuk mund të mos vihet në dukje fakti që u preka nga COVID: qëndrova pozitiv për 21 ditë të gjata, por faza rikuperuese e trajnerit më vendosi menjëherë në formacionin bazë.

Nuk ishit i shqetësuar që dalja nga Liga e Kampioneve do të kishte ndërprerë sezonin tuaj?

Sigurisht, ishim të trishtuar dhe të zhgënjyer që nuk avancuam në Champions. Kemi dalë nga grupet tri herë radhazi dhe këtë herë më e keqja ishte që kishim gjithçka në dorën tonë.

Keni humbur vetëm dy herë në Serinë A përgjatë gjithë sezonit, kundër Milanit dhe Sampdorias, me një gol disavantazh. Kujt i detyrohet gjithë kjo vazhdimësi në paraqitje?

Mentalitetit fitues që ka trajneri Antonio Konte dhe që na e përcjell. Humbja e vetëm dy ndeshjeve në kampionat përgjatë gjithë sezonit është një kartëvizitë vërtet e mirë. Po përmirësohemi në mënyrë të vazhdueshme në stërvitje, punojmë mirë dhe kjo dallohet në ndeshje.

Flitet shumë për faktorin “Konte”. Sa kredite ka trajneri te titulli?

Shumë. Mund të vendosë së bashku skuadrën. Ka një vizion të asaj që dëshiron dhe funksionon vërtet. Ka fituar shumë edhe në klubet e mëparshme, tani titullin me Interin.

E çfarë mund të thuhet për dyshen sulmuese Lukaku-Lautaro? Ishte çelësi për të fituar titullin apo do të vendosnit në dukje diçka tjetër, ndoshta mbrojtjen me të mirë me vetëm 29 gola të pësuar në 34 javë?

Lu-La… Janë sulmues të shkëlqyer, kanë marrë pjesë në një numër të madh golash. Loja e Interit bazohet te sulmuesit, por edhe mbrojtja është e rëndësishme.  Të gjithë skuadrës i duhen thurur elozhe, sepse edhe mesfushorët punojnë dhe vrapojnë shumë. Kemi fituar balancë.

Në cilën fazë të sezonit nisët vërtet të mendoni që ju dhe shokët tuaj të skuadrës do t’i kishit dhënë fund dominimit prej nëntë vitesh të Juventusit në fronin e kampionatit italian?

Edhe pse ndodheshim në vendin e parë, na u ndalua nga trajneri të flisnim për titullin. E mbi të gjitha, jashtë ambientit të skuadrës. Konte nënvizoi që duhet të shikojmë vetëm veten tonë, ndeshjet tona, paraqitjet dhe rezultatet.

Po ju arritët ta respektonit ndalimin?

Po. I thamë njëri-tjetrit që duhet t’ia dalim, por nuk ka shpëtuar asnjëherë në deklaratat tona. Në asnjë moment nuk kemi thënë që jemi favoritë neto për kampionatin, që jemi më të mirët. Edhe kjo na ndihmoi në sukses.

Keni shënuar 3 gola në 30 ndeshje, në dy raste edhe gola fitues. Kanë qenë momentet më të rëndësishëm të sezonit tuaj?

Me Atalantën ishte vërtet një ndeshje e bukur dhe meqenëse fituam 1-0 me një gol timin, ishte një nga kalimet më të bukura. Megjithatë, ndihesha mirë në çdo ndeshje. Sigurisht, në disa kam fituar mirë, në të tjera më pak. Në përgjithësi, ndihesha se isha i nevojshëm për skuadrën dhe kjo më shtyu.

Cilët janë objektivat tuaj për këto ndeshje të fundit?

Trajneri ka nënvizuar që duhet të shijonim një festë të vogël, por duhet ende të menaxhojmë katër ndeshje të vështira. Ky është edhe manifestim i mentalitetit të tij. Me siguri do të ndryshojë formacionin, por do të dojë të fitojë të gjitha ndeshjet. Mbi të gjitha në Torino, në tokën bardhezi…

Gjatë çdo seksioni merkatoje, flitet në lidhje me ndryshimin e klubit, përmenden destinacione prestigjioze angleze apo spanjolle. Do të jetë me siguri kështu edhe këtë verë, mbi të gjitha tani që fituat një titull? Jeni gati për këtë?

Zëra do të ketë gjithmonë. Megjithatë, nuk u kam dhënë asnjëherë rëndësi të veçantë e as nuk i kam komentuar. Sigurisht, nuk do të jetë ndryshe pas sezonit të kampionatit. Dua të shijoj për momentin këtë ndjesi, më pas të përgatitem për Europianin.

Related posts

SOT ËSHTË LOJTAR I BARCELONËS/ Mbrojtësi tregon si u refuzua nga Manchester United

Delo.autor

“NUK E KAM UNË NË DORË”/ Wanda Nara ia kalon “topin” Interit: Për mua, Icardi rinovon 100%

Delo.autor

Gjoka: Fitore e rëndësishme, por shpërdoruam shumë

Sadik.Autor

Leave a Comment