Futboll Sport

“ATA QË KRITIKOJNË TORRES-IN NUK JANË TIFOZË”/ Ylli Morata: Ne jemi shumë të motivuar që të nisim rrugëtimin…

Alvaro Morata kapet me tifozët e Spanjës. Sulmuesi i “Furisë së Kuqe” është i bindur se golat do të vijnë dhe se kritikat që ka marrë kanë qenë të pabaza. Bomberi i Juventusit shpreson që të shënojë në pozicion të rregullt në këtë Europian.

Si po jetohet në grumbullimin e Spanjës gjatë këtyre ditëve pasi Buskets rezultoi pozitiv me COVID?

Si të mundemi. Nuk është diçka e mirë kur largohen shokë nga grumbullimi. Jemi një grup që i ndajmë bashkë momentet e mira dhe të këqija. Jetojmë në një situatë të tillë dhe duhet të përshtatemi. Ne po kujdesemi shumë, por nuk dihet kur të kap virusi.

E kuptoni që ka pasur shumë polemika për vaksinën?

Nuk e kuptoj pse ndodhi kjo. Kur u vaksinuan sportistët olimpikë nuk u bë debat dhe duket sikur futbolli shihet me sy negativ. Por, në Spanjë kështu është gjithmonë, një pjesë të mbështet, një pjesë jo. Nuk dua të futem në polemika. Mendoj se duhet të ketë më shumë respekt për të gjitha profesionet.

Ata që ju kritikojnë në rrjetet sociale, janë ata që ndonjëherë thonë se jeni sulmues i fortë si Levandovski?

Të ofendosh përmes një telefoni apo në rrjetet sociale është shumë e lehtë. Unë kam 6 vite që i dëgjoj këto gjëra, por tani nuk më intereson të merrem me këto gjëra. Ajo që më ndodhi në ditën e ndeshjes me Portugalinë ishte e rëndë.

Tani dukeni më i fortë në aspektin psikologjik. Më parë do ta kishit vuajtur shumë këtë situatë.

Është normale. Problemi është se kur maturohemi në të gjitha aspektet, jemi 36 vjeç dhe nuk mund të luajmë dot futboll. Por, duhet të shohim përpara. Unë ndihem mirë dhe skuadra është mirë. Mund të luajmë futboll të bukur dhe kjo është e rëndësishme. Duhet të jemi të gjithë bashkë në momentet pozitive dhe ato negative. Pastaj gjërat në fushë janë më të lehta.

Spanja ka një skemë 4-3-3 dhe shumë ofensive. Krijon raste, por pak gola.

Pak muaj më parë i shënuam 6 gola Gjermanisë.

Pas asaj ndeshjeje çfarë ndodhi?

Ne kemi krijuar raste gjithmonë. Kur bëjmë raste kërkohen golat, kur shënojmë dhe fitojmë kërkohen rastet. Çdo njeri ka mendimin e tij, por ne duhet të jemi të fokusuar në fushën e lojës.

Mendoni se është edhe çështje fati?

Pak ditë më parë Belgjika barazoi me Greqinë dhe kanë një skuadër që shënon shumë gola. Edhe ata barazuan si ne. Janë gjëra që ndodhin në futboll. Këtu në Spanjë sa herë që barazojnë ka debate.

Keni besim që do të ndodhë kjo?

Nëse nuk do të kisha besim dhe shpresë, nuk do të qëndroja këtu. Do të kisha ikur në shtëpinë time. Ne krijojmë shumë, por nuk shënojmë. Duhet të kujtojmë edhe faktin që nuk kemi pësuar shumë raste.

Edhe Fernando Torres mori shumë kritika në momente të caktuara në etapën e tij në kombëtare. Pastaj u bë hero në finalen e Vjenës. Shpresoni që edhe ju të shënoni?

Nëse këtu kanë kritikuar edhe Fernando Torresin, imagjinoni nivelin intelektual të personave. E kam parë të luajë i dëmtuar, të japë gjithçka për kombëtaren. Ata që kritikojnë Torresin nuk janë tifozë.

Mendoni se skuadra e ka asimiluar sistemin e Luis Enrikes?

Ne e kemi analizuar sërish ndeshjen kundër Portugalisë dhe kjo është ekzaktësisht ajo që trajneri kërkon. Nëse nuk do të ishte për traversën në fund apo ndonjë rast tjetër, e gjithë bota do të fliste ndryshe. Ky është futbolli. Topi nuk donte të futej në portë.

Nëse gjithçka shkon mirë dhe vijnë golat, mund të jetë Spanja kampione e Europës?

Shpresojmë shumë. Për këtë jemi këtu. Ne jemi shumë të motivuar që të nisim rrugëtimin tonë. Duhet të kemi edhe fat. Ndeshjet ndryshojnë edhe nga një rast i vogël, prandaj duhet të mendojmë pozitivisht. Nëse nuk kemi fat, do të jetë e vështirë.

Keni presion që jeni ju sulmuesi kryesor i kombëtares?

Është normale që të kem presion, por më shumë sesa presion është përgjegjësi që përfaqësoj kombëtaren.

Mendoni se dyshja Gerard-Morata mund të bëhet si Vija-Torres?

Ndihem shumë mirë me të. Po stërvitemi dhe është e lehtë të kuptohemi. Ai ka pasim shumë të mirë, por edhe instinkt goli.

Këtë sezon keni shënuar shumë gola në pozicion jashtë loje. Jeni përmirësuar në stërvitje?

Tani po përpiqem që të nisem pak më vonë. Nëse shoku të sheh pak më shpejt apo unë nisem pak më shpejt atëherë është gol. Këtë vit mund të kisha shënuar më shumë se 30 gola.

I keni bërë llogaritë?

Unë kam shënuar 20 dhe 12 më janë anuluar. Nëse do të luaja 20 vite më parë do të ishin gola të rregullt… Duhet të përshtatemi edhe me VAR-in.

Besoj se në Europian nuk do të jeni pozicion jashtë loje?

Me kombëtaren është pak më e vështirë për stilin e lojës. Nuk na lënë shumë hapësirë mbrojtësit.

Related posts

SHKËLQEU NË LIGUE 1/ Arsenal dhe Man City në garë për talentin e Monacos

Isa.Autor

Brawn: Ndryshimi i aerodinamikës, për një F1 më spektakolare

Sadik.Autor

LIVE/ Nis sfida mes Spanjës dhe Ishujt Faroe

Delo.autor

Leave a Comment