Futboll Kategoria Superiore Sport

E BUJSHME/ Zbulohen prapaskenat e rinovimit të trajnerit Brdariç me Vllazninë, ka dilema të mëdha për…

Tomas Brdariç do të jetë edhe një sezon tjetër pjesë e Vllaznisë. Lajmin e ka konfirmuar vetë gjermani dje në mbrëmje pas një postimi në profilin e tij zyrtar në “Instagram”. Dyshimet natyrisht që ishin të mëdha, pasi trajneri u largua drejt Gjermanisë javën e kaluar pa hedhur firmën në kontratë.

Mirëpo, ai mbërriti të dielën në Shkodër dhe në të njëjtën kohë lojtarët ishin njoftuar se duhet të paraqiteshin të hënën, pasi niste stërvitja.

“I lumtur që do të vazhdoj me Vllazninë edhe për sezonin 2021-2022. Falenderoj Alban Xhaferin për besimin”, konfirmonte dje trajneri Brdariç. Por, çfarë ndodhi të hënën dhe pse skuadra nuk u stërvit? “Panorama Sport” mëson se trajneri ka menduar të shtyjë nisjen e përgatitjeve për sot në orën 09:00, pasi ka kërkuar garanci nga drejtuesit për lojtarët që u ka skaduar kontrata.

Në një bisedë të gjatë me sponsorin Alban Xhaferi, mësohet se gjermani i është imponuar klubit për të rinovuar të paktën me gjysmën e lojtarëve të cilët janë ende në ajër. Madje, vetë trajneri në orët e fundit ka kontaktuar secilin prej tyre, për t’u siguruar se çfarë kishin vendosur për të ardhmen.

Drejtuesit i kanë dhënë garanci trajnerit se do t’ia plotësojnë kushtet, por Brdariç u ka kërkuar të lëvizin sa më shpejt në këtë drejtim, pasi e do ekipin të plotë në prag të minifazës, e cila pritet të zhvillohet në Zllatibor të Serbisë.

KËRKESA – Burime pranë trajnerit i konfirmuan dje gazetës se ai i ka kërkuar sponsorit Xhaferi që të bëjë të pamundurën për të rinovuar marrëveshjet me tre titullarë: Herald Marku, Aleksandar Isaevski dhe Fjoart Jonuzi. Kujtojmë që kontrata u ka skaduar edhe emrave si portieri Zogoviç, mbrojtësit Shehi dhe Imami, mesfushorit Demir Imeri, si dhe sulmuesit Haris Dilaver.

Nëse Isaevski refuzon ofertën, gjasat janë që Vllaznia ta bindë mbrojtësin e majtë shkodran, Esin Hakaj, i cili nuk e ka rinovuar marrëveshjen me Partizanin. Deri më tani klubi ka zyrtarizuar afrimin e dy mbrojtësve, pikërisht 20- vjeçarit shkodran, Egzon Shimaj si dhe 31-vjeçarit malazez, Darko Bulatoviç.

Brdariç do disa përforcime cilësore, veçanërisht në majën e sulmit, ku pret një lojtar që të jetë në një nivel më të mirë se Dilaver.

SITUATA – Sulmuesit Salim Cise dhe Albion Avdijaj, mesfushori Elom NyaVexhi, si dhe mbrojtësi i majtë, Nertil Hoxhaj, kanë dalë jashtë planeve të klubit dhe nuk do të jenë më pjesë e Vllaznisë. Nga ana tjetër, klubi ka njoftuar që të paraqiten në seancën e sotme edhe tetë lojtarët pa kontratë.

Tashmë mbetet për t’u parë se cili prej tyre do ta respektojë këtë thirrje nga ana e klubit. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë disa largime të tjera në vijim, teksa mbrojtësit Shehi dhe Imami duken larg qëndrimit në Shkodër.

Related posts

ELSEID HYSAJ DREJT KALIMIT NË TORINO/ Napoli gati të japë miratimin dhe gjen menjëherë zëvendësuesin

Delo.autor

NBA/ Sportistët e vaksinuar jo karantinë dhe teste anti-Covid gjatë sezonit

Delo.autor

DORTMUND-MANCHESTER CITY/ Watzke: Guardiola? Të mendojë për miliardin e shpenzuar në merkato

Delo.autor

Leave a Comment