Futboll Seria A Sport

“PIOLI KA NJË KARAKTER TË JASHTËZAKONSHËM”/ Gazidis: Milani në majë, Champions-i është vetëm…

Milani e përfundoi sezonin e fundit të Serisë A në vendin e dytë, duke marrë një kualifikim në Champions që kishte munguar për shtatë vjet. Gjithçka u arrit me ekipin më të ri në Itali, sipas moshës mesatare. Projekti për rinovimin dhe uljen e kostove të paraqitur nga “Elliott” dhe i është besuar Ivan Gazidhisit, i cili ka dhënë një intervistë lidhur me të gjitha synimet e klubit.

Cili është vizioni?

Ta risjellim Milanin në majë. Merkatoja që do të shohim këtë verë do të jetë ndryshe nga të gjitha ato që e kanë paraprirë. Qëllimi ynë është të vazhdojmë të jemi ambiciozë dhe optimistë, për të përmirësuar ekipin duke ndjekur rrugën e duhur dhe duke kombinuar rezultatet dhe stabilitetin financiar. Vëmendja do të vazhdojë të përqendrohet te lojtarët e rinj, pa lënë mënjanë elementët me përvojë. Besimi po rritet tani. Të shohësh tifozët nën ballkonin e zyrës për të shprehur mbështetjen e tyre ishte një sinjal jashtëzakonisht i fuqishëm.

Projekti i ri çfarë përfshin në lidhje me yjet pasi klubi sapo humbi një element si Donaruma?

Nuk dua të zbuloj detajet dhe nuk i njoh kufijtë e marrëdhënies midis Xhixhos dhe menaxherit të tij Mino Raiola. Në fund, sigurisht, vendimi i takon gjithmonë lojtarit. Ajo që mund të them është se Xhixho u tregua një profesionist i jashtëzakonshëm, çdo ditë, dhe në ndeshjen e fundit kundër Atalantës nuk kishte asnjë më të lumtur se ai për arritjen e kualifikimit në Ligën e Kampioneve. Ushqej vlerësim absolut për të, si edhe i respektoj zgjedhjet e tij. Asnjë theks negativ në këto që po ju them. Ai bëri atë që mendonte se ishte më e mira për të dhe ka disa arsye në anën e tij, por nuk më takon mua të them se cilat janë.

Mos ishte vështirësi gjetja e dialogut me Raiolën, i cili ka edhe lojtarë të tjerë te Milani (Ibra dhe Romanjoli)?

Nuk kemi asnjë problem me Raiolën dhe e them me bindje se jemi në marrëdhënie të mira. Vendime të caktuara merren nga lojtarët, jo nga menaxherët e tyre. Te Milani i analizojmë rastet individuale pa asnjë paragjykim.

Pra, po paralajmëroni Maldinin se do të ketë punë gjatë verës?

Kam besuar te Paolo që nga dita e parë e bashkëpunimit tonë sepse e dija që ai mund të bëhej një drejtor sportiv i nivelit të lartë dhe është pikërisht çka ai është sot. Leonardo, Boban dhe Masara në periudha të ndryshme kanë ditur të jenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e bordit drejtues e për të gjithë ushqej respekt të madh. Nga jashtë disa gjëra duken ndryshe, por ju garantoj që nuk është ashtu.

Opinioni mendon gjithashtu se me Piolin shkoni më mirë…

Stefano më ka shtangur me anën e tij të butë. Ka një karakter të jashtëzakonshëm. Forca dhe ndjeshmëria e tij kanë qenë cilësitë që ia kam vlerësuar më së shumti.

Po Ibra ju ka habitur?

Ishte e hatashme të njihesha me Ibrën. Dikë si ai ose e doni, ose e urreni. Mendoj se ai mbështetet në këtë tipar për të motivuar veten. Është njeri shumë inteligjent dhe gjithashtu ka një anë të butë, të cilën e shpreh në marrëdhëniet me ekipin. Nuk mjafton të ulërini si një luan në fushë për të fituar respektin e shokëve. Momentet, si të thuash, e butësisë janë tepër të dobishme. Ibra nuk është kurrë i kënaqur, ai të qëndron gjithmonë mbi kokë, të qenët si luan e ka më tepër si shtysë. Pa dyshim që ai nuk mendon se është Zoti. Grupi stimulohet fuqimisht nga prania e tij. Dhe është një fakt i jashtëzakonshëm që, në moshën 39 vjeç, ai ende arrin të garojë në këto nivele dhe është kaq i vendosur për të fituar. Më duket djalë dhe sportist i jashtëzakonshëm.

E të mendosh që ju e kundërshtuat në fillim transferimin e tij…

Kur mbërrita te Milani, besoj që edhe ditën e parë, thashë se do ta ndërtonim ekipin mbi të rinj, por pa përjashtuar elementë ekspertë që do të forconin grupin duke i dhënë udhëzime. Unë kurrë nuk i thashë “jo” Ibrës. Të them të vërtetën, ishte ai që na refuzoi i pari pasi nuk donte të largohej nga Galaksi. Unë e mbështeta ardhjen e tij dhe, për më tepër, sugjerova blerjen e Fabregasit, e cila nuk u krye për arsye të tjera.

Cili është objektivi për sezonin e ri?

Duam të vijojmë rritjen e shfaqur në vitet e fundit, por pa i hequr sytë nga financat. Nëse e shikojmë kampionatin anglez, baza e rilindjes ishin stadiumet. Juventusi e nisi dominimin pikërisht pas ndërtimit të impiantit personal. Nëse mund ta ndërtojmë stadiumin tonë këtu në Milano, duke e bërë atë një nga më të mirët në botë, më i bukur nga të gjithë, mund të fillojmë diçka të rëndësishme edhe për Italinë. Besoj te partneriteti me “Suning”, ndaj mbetem optimist, jo vetëm për Milanin, por për futbollin italian në përgjithësi.

Related posts

JOAO FELIX FITOI ÇMIMIN “GOLDEN BOY”/ Ylli i Atleticos lë pas De Ligt me shokë

Delo.autor

FUTBOLLISTI I SË ARDHMES/ Talenti 16 vjeçar braktis Gjermaninë për Shqipërinë

Isa.Autor

LIVE/ Po luhet ndeshja kualifikuese Champios Qarabag-Partizani, Mbyllet pjesa e parë. Rezultati 0-0

Delo.autor

Leave a Comment