Futboll Sport

SFIDA ÇEREKFINALE NDAJ BELGJIKËS/ Ylli Immobile: Me De Bruyne dhe Eden në fushë do të jetë totalisht një…

Çiro Imobile është gati. “Këpuca e Artë” e sezonit të kaluar është i karikuar për të sfiduar Romelu Lukakun, por akoma më shumë se kjo, për të tërhequr Italinë drejt ëndrrës europiane. Të premten, në orën 21:00 në “Allianz Arena” të Mynihut, “Axurrët” duan të kërkojnë hapin e radhës drejt finales së “Uemblit” më 11 korrik, me sulmuesin e Lacios i cili nuk fshihet. Ai shpreson që Kevin de Bryjne dhe Eden Hazard, të cilët mund të jenë mungesat e të mëdha, të mos rikuperojnë në kohë, ndonëse ai garanton se Italia është gati për të eliminuar “Djajtë e Kuq”.

Çiro, le ta nisim ndryshe: Si ndalet Imobile?

Kurrë si këtë herë ndiej besimin e të gjithëve. Ndihem realisht shumë mirë. Bëmë një ndeshje mjaft pozitive kundër Austrisë, ndonëse nuk ishte pa dyshim më e mira. Gjithsesi, në të tilla evenimente ka rëndësi rezultati.

Meqë i shmangeni pyetjes suaj, po Lukaku si ndalet?

Është shumë i fortë, por kemi fatin se tashmë e njohim shumë mirë, duke qenë se luan në kampionatin tonë. Ua kemi lënë detyrë mbrojtësve tanë ta studiojnë me video ditë e natë.

De Bryjne dhe Eden Hazard janë në dyshim…

Janë dy lojtarë thelbësorë. Duke mos qenë në formën më të mirë, belgët do të kenë disa probleme, ndonëse Belgjika ka me kë i zëvendëson. Me De Bryjnen dhe Edenin në fushë do të jetë totalisht një ndeshje tjetër, pasi dy si ata spostojnë ekuilibrat dhe vënë çdo skuadër në botë në vështirësi. Ne do ta përgatisim ndeshjen sikur ata të dy të jenë në fushë dhe në 100 për qind të formës së tyre. Kjo është pak, por e sigurt, pasi forca jonë është të reagosh kundër vështirësive.

Jeni në garë për rekordin e golave italianë në një Europian, cila është ndjesia juaj?

Unë dua të fitoj trofeun. Do t’i falja të dy golat e mi për t’u kthyer në shtëpi me kupën. Me Austrinë provova në çdo mënyrë për të shënuar, por mes fatit të keq dhe gabimeve të mia nuk ia dola të shënoj. Gjithsesi, e rëndësishme që në fund bëmë festë dhe kjo mjafton. Për rekordet kam kohë në vazhdim. Unë dua ta fitoj këtë Europian.

Kundrejt Belgjikës dhe Portugalisë do të kishit preferuar Ronaldon ndaj Lukakut?

Absolutisht jo. Ne nuk bënim tifozllëk për askënd, ndonëse Belgjikë-Portugali ishte një ndeshje intensive dhe kushdo që të dilte, do të ishte po aq e fortë kundër nesh. Mendoj vetëm që Portugalia do të kishte merituar diçka më shumë në pjesën e dytë, por Belgjika e pjesës së parë ishte fantastike. Për sa i përket Ronaldos, kush nuk do të donte të ndeshej kundër tij. Është më i miri, aq sa që në momentin e parë që zbarkoi në Serinë A, rriti automatikisht nivelin e të gjithë kampionatit.

Kujt i trembeni më shumë tani, Spanjës, Belgjikës apo Anglisë, në rast se shkoni në finale?

Ato që kanë mbetur në lojë janë më të fortat. Ne dimë vetëm që nëse duam trofeun, duhet të fitojmë edhe tri ndeshje dhe kaq.

Po eliminimin e Francës si mund ta shpjegoni?

E vetmja arsye për të cilën jam i lumtur është se fitorja e Zvicrës ishte kundërpërgjigjja e duhur e atyre që thoshin se Italia shëtiti në një grup të lehtë. Në një Europian nuk ka ndeshje të lehta, në fushë zbresin më të mirët e botës. Por, atë që të gjithë e quanin një skuadër të vogël, në fund e përshëndetën të gjithë, pasi Zvicra e meritoi si çdokush që ka mbërritur deri këtu.

Po loja e Italisë, mos ka ardhur në ulje, pas fazës së grupeve? Austria ju vuri jo pak në vështirësi…

Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë në këtë Europian, por siç e thashë në fund ka rëndësi vetëm rezultati. Trajneri Mançini në fund ishte shumë i kënaqur me intensitetin dhe dëshirën e lojës që treguam.

Po detyrat tuaja, përveçse të shënoni gol, cilat janë?

Skuadra ka nevojë për mua dhe unë për skuadrën. E rëndësishme është që të gjithë pedalojmë në të njëjtin drejtim, ndonëse e vërteta është që këtu te Italia kam detyra të tjera kundrejt atyre që bëj te Lacio, por nuk është se më peshojnë nëse më kërkohet që të ndihmoj më shumë. Përkundrazi, po mundohem që të vihem totalisht në dispozicion, aq sa po stërvitem edhe pas orarit të seancave. Dua të përmirësohem, pasi kam ende mangësira në bagazhin tim teknik.

Sa ju rëndojnë gabimet e së kaluarës, duke parë edhe faktin që si sulmuesi i parë i kombëtares së Italisë, nuk arritët që të kualifikoheshit për në Botërorin “Rusi 2018”?

E pranoj se të gabuarit disa gola në të kaluarën dhe Botërori i munguar në Rusi më kanë peshuar në ndërgjegje. Nuk është se po bëj autokritikë, por si asnjëherë tjetër, tashmë kam besimin e të gjithëve. Më parë nuk ishte kështu dhe këtë e tregojnë edhe 15 golat e mi në total me Italinë, të cilët janë realisht shumë pak për mua. Do të kisha dashur të shënoja më shumë, por mendoj se një fitore ndaj Belgjikës, por, pse jo, edhe fitorja e këtij Europiani mund të fshijë gjithçka të keqe të së kaluarës. Me këtë Europian dua të zeroj gjithçka më peshon nga paraqitjet e mia në eliminatoret për Botërorin “Rusi 2018”. Për mua ky fakt është shumë i rëndësishëm dhe besoj që goli që shënova kundër Turqisë tregoi të gjithë vrerin që kam akumuluar, ndonëse ajo që më shqetëson më shumë është të mos arrij të ndihmoj skuadrën që t’i shkojë deri në fund këtij turneu.

Kieza dhe Berardi, balotazhi për repartin e sulmit ndaj Belgjikës… Cili është ndryshimi mes tyre?

Janë dy lojtarë totalisht të ndryshëm. Për rolin në fjalë trajneri Mançini kërkon që sulmuesi i krahut të qëndrojë shumë i gjerë, ndonëse që të dy kanë bërë një Europian madhështor deri tani dhe të mos harrojmë as Bernardeskin. Por, dua që ta ritheksoj me forcë: cilido qoftë vendimi për 11-shen që vendos Mançini, këtu jemi 26 titullarë, pasi kjo Itali ka nevojë për të gjithë.

Kundrejt ndeshjes së fundit në “Euro 2016”, çfarë mendoni se ka ndryshuar te Belgjika?

Kundrejt 5 viteve më parë kanë rezistuar 10 lojtarë, por personaliteti dhe eksperienca që kanë shtuar i ka bërë shumë herë më të rrezikshëm. Teknikisht dhe taktikisht janë shumë herë më lart, pasi kanë gjithçka: forcë fizike, teknikë dhe shpejtësi. Janë një kombëtare e kompletuar.

Si do të përfundojë dueli në distancë mes jush dhe Lukakut?

Herën e fundit që m’u bë kjo pyetje përfundoi që Lukaku të na shënonte dy gola, prandaj më mirë në titull vini “Italia kundër Belgjikës”. Ta evitojmë sfidën mes nesh, ndonëse Romelu dihet… Ai është një forcë e natyrës, fizikisht i pathyeshëm, por ka edhe një shpejtësi për t’u lakmuar. Më vjen keq që Antonio Konte me ta sjellë në Itali e bëri edhe dyfish më të fortë sesa ishte (qesh)… Pavarësisht shakave, mendoj se Lukaku është një profesionist i madh, një punëtor i lindur dhe meriton gjithçka po jeton karriera e tij. Ndonëse po e rithem, e bëmë ne italianët më të fortë se çfarë ishte më parë.

Kush është më i fortë për momentin, Imobile apo Lukaku?

Këtë pyetje bëjani pak muaj më vonë Simone Inzagit, pasi të nisë ta stërvisë tek Interi.

Related posts

Wenger i thur elozhe mesfushorit të Chelseat: Është një nga më të mirët në botë

Sadik.Autor

“PËRFAQËSUAM DY BOTË T NDRYSHME”/ Totti dhe Del Piero rrëfejnë gjithçka, japin “show” në intervistën e përbashkët

Delo.autor

EURO 2020/ Teemu Pukki si CR7, Finlanda nuk njeh kufij (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment