Futboll Sport

STATISTIKAT/ Nga një mal me gola tek eliminimet surprizë, quajeni Europiani më i “çmendur”

Quajeni Europiani më i çmendur i historisë. Spektakël po, por kurrsesi kaq i paparashikueshëm. Dy ndeshjet e 1/8-ave të ditës së hënë ishin pa dyshim më dëfryeset, më të bukurat e këtij “Euro 2020”. Kroacia humbte 3-1 pesë minuta nga fundi kundër Spanjës dhe arrin ta dërgojë në shtesë ndeshjen, ndonëse më pas sheh të merret përpara nga “Furitë e Kuqe” me rezultatin final 5-3. Zvicra pastaj, sido që të shkojë, e ka shkruar tashmë historinë. Pasi gaboi në kohën e rregullt penalltinë që mund të dërgonte ndeshjen në 0- 2 për ta, arrin që të përmbyset në 3-1, por dhjetë minuta nga fundi arrin që të fitojë të drejtën e kohëve shtesë, kur as tifozi më “i sëmurë” i tyre nuk besonte. Pastaj, të gjithë e dimë fundin e lavdishëm helvet dhe turpërimin transalpin.

3-3 E PARË E HISTORISË – Për të vazhduar me statistikat historike, dy barazime 3-3 nuk ishin parë kurrë, jo vetëm në të njëjtën ditë ndeshjesh, por kurrsesi as në fazën me eliminim direkt. Në të njëjtën kohë, asnjë skuadër nuk kishte arritur të shënonte dy herë nga 4 gola, siç bëri Danimarka (4-1 kundër Rusisë dhe 4-0 ndaj Uellsit). Por Spanja ka thyer çdo statistikë, teksa për dy ndeshje me radhë realizoi nga 5 gola (ndaj Sllovakisë e Kroacisë). Madje, në ndeshjen e të hënës në Kopenhagen, “Furitë e Kuqe” thyen tabunë e të shënuarit 5 gola me 5 golashënues të ndryshëm, të cilët bëhen 8 gola me 8 golashënues të ndryshëm nëse llogarisim edhe ato të kroatëve. Në të njëjtën kohë, Alvaro Morata, i cili një ndeshje më parë kishte marrë kërcënime me vdekje deri te fëmijët e tij, u shndërrua në golashënuesin më të mirë të historisë së Europianëve për Spanjën (5 gola, njësoj si Fernando Torres, ndonëse juventini është gati ta kalojë dhe të kryesojë i vetëm këtë renditje, në pritje të ndeshjes me Zvicrën dhe ndoshta jo vetëm).

KU JANË TË MËDHATË? – Kur themi favorite, mendohet se udhëtimi i tyre është i detyrueshëm të paktën deri në çerekfinalet e një Europiani (apo edhe një Botërori). Por ndërkohë, në këtë “Euro 2020”, tri nga katër gjysmëfinalistet e edicionit të kaluar kanë paketuar valixhet dhe janë kthyer në shtëpi: kampionët në fuqi të Portugalisë, Franca finaliste, Uellsi dhe Gjermania. Madje, nëse duam t’i shtojmë këtu edhe Kroacinë, finaliste e Botërorit “Rusi 2018”, çmenduria bëhet edhe më e madhe.

DANIMARKA E ÇEKIA, UAU! – Në të kundërt, në çerekfinale të Europianit do të shijojmë Zvicrën dhe Çekinë, të cilat i mbyllën grupet respektive pa shumë pritshmëri, duke kaluar vetëm falë faktit se ishin mes të tretave më të mira dhe vetëm me 3 pikë madje. Për të gjetur Danimarkën dhe Çekinë që shkonin në një fazë çerekfinale të një turneu prestigjioz duhet të kthehemi në 2004. Ndërkohë, për çekët rezultati më i mirë historik mbetet finalja e “Euro 1996”, ndërsa për danezët fitorja e “Euro 1992”. Ndërkohë, një tjetër hirushe si Zvicra nuk kishte mundur kurrë të shkonte kaq larg, duke qenë se në 4 Europianë në të gjithë historinë e saj, tri herë ishte eliminuar në grupe, ndërsa një herë tjetër në 1/8-at. E pabesueshme!

NJË MAL ME GOLA… – Karim Benzema shënoi dy gola në 106 sekonda ndaj Zvicrës, duke thyer kështu turkun Nihat në 2008-ën, të cilit i ishin dashur 126 sekonda kundër Çekisë. Deri tani, shifrat flasin për 122 gola (2.77 për ndeshje), mesatarja më e lartë e parë ndonjëherë që kur Europiani luhet me formulën moderne (këtë të grupeve, e nisur nga vitit 1980 e deri tani). E thënë ndryshe, në “Euro 2000” mesatarja ishte 2.74 gola për ndeshje; në 2004 e 2008 kishte 2.48 gola për ndeshje 2.45 në 2012-ën dhe 2.12 në 2016-ën. Nëse shohim të shkuarën dhe edicionet kur direkt nga grupet luheshin vetëm gjysmëfinale dhe finale, mund të kuptohet qartë se shifrat ishin shumë herë më të fryra: 4.25 gola në 1960-ën; 3.25 në 1964-ën dhe 4.75 gola për ndeshje në edicionin e vitit 1976. …

DHE NJË MAL ME AUTOGOLA – Por akoma më shumë se kjo, rekordi absolut dhe më i frikshëm është ky: 9 autogola të shënuar brenda fazës së 1/8-ave, duke kujtuar se 9 autogola janë shënuar gjithsej në të 15 Europianët e mëparshëm.

Related posts

SETIEN I “PËRKULET” RAKITIC/ Trajneri i Barcelonës mesazh të qartë për Suarez dhe Arthur

Delo.autor

“VLAHOVIC DHE DONNARUMMA PA LIDER”/ Drejtori i Serie A: Mourinho aktor, ndërsa Roma u bë si bordello

Delo.autor

PLAS TEK REALI/ Verë e gjatë refuzimesh për GALAKTIKËT, i fundit vjen nga Londra

Isa.Autor

Leave a Comment