Futboll Kategoria Superiore Sport

TIRANA E KONFIRMOI PËR SEZONIN E ARDHSHËM/ Reagon trajneri Shehi: Do të luftojmë për dy trofe

Orges Shehi do të jetë trajneri i ri i Tiranës. Bardheblutë dhe durrsaku kanë zgjatur edhe për një vit marrëveshjen dhe tashmë është zyrtare. Lajmin e bëri të ditur vetë faqja e Tiranës në “Facebook”, duke i dhënë besim edhe për sezonin tjetër trajnerit durrsak.

“Klubi i futbollit Tirana njofton nënshkrimin e marrëveshjes me trajnerin Orges Shehi. Gjatë bisedimeve në ditët e fundit presidenca dhe trajneri Shehi arritën dakordësinë për zgjatjen e bashkëpunimit mes tyre. Pasi mori drejtimin e ekipit në janarin e sezonit që lamë pas, duke bërë një punë mjaft të mirë me skuadrën në pak kohë, tekniku tashmë do të vijojë të qëndrojë në krye të bankinës bardheblu”, shkruante klubi bardheblu në “Facebook”. Shehi u emërua në krye të skuadrës bardheblu në janar të këtij sezoni, teksa arriti të bënte mjaft mirë me Tiranën duke tentuar deri në fund Kupat e Europës, madje për një moment u krijua edhe iluzioni i fitimit të titullit.

Orges, keni zgjatur edhe për një vit bashkëpunimin me ekipin e Tiranës. Do ta nisni punën nga e para?
Natyrisht që jam i kënaqur që bashkëpunimi do të vazhdojë. Për më tepër, me një skuadër si Tirana. Nuk është njëlloj të punosh tre muaj dhe ndryshe është kur nis një bashkëpunim nga e para nga fillimi. Qëllimi ynë në këtë moment është që të kompletojmë skuadrën dhe të nisim sezonin për objektivat madhorë që kemi. Kohën e kemi të mjaftueshme, sepse nuk luajmë në Europë për t’u përgatitur siç duhet për sezonin e ri.

Meqë ju vetë dolët te kompletimi, sezonin e shkuar në fillim Tirana vuajti mungesën e elementëve cilësorë. Ku ka nevojë të përforcohet kjo skuadër?
Çdo skuadër ka nevojë për elementë cilësorë. Në çdo repart kemi nevojë për përforcime. Diku vetëm me ndonjë lojtar, në të tjera më shumë boshllëqe. Qëllimi im është që të dublojmë pozicionet. Për momentin duhet të fokusohemi te lojtarët që na interesojnë dhe nuk është korrekte që të përmendim emra tani, sepse është shumë shpejt.

I arriti Shehi kushtet e tij që të ndërtojë vetë skuadrën sipas kërkesave të tij?
E kam thënë edhe një herë tjetër. Nuk ka kushte në futboll, por ka ide të përbashkëta. Deri diku jemi me ide të përbashkëta me presidentin se ku duhet të përforcohemi dhe ku duhet të fokusohemi. Një nga arsyet që zgjatëm bashkëpunimin. Nuk pati kushte ose këtë ose atë emër. Gjithashtu, futbolli është edhe mundësi për afrim lojtarësh. Disa prej tyre janë nën kontratë, por ne do të tentojmë të bëjmë maksimumin për t’i afruar.

Cili është objektivi real i Orges Shehit në këtë sezon të ri të Tiranës?
Nuk ka nevojë për objektiva në një skuadër si Tirana. Objektivat janë madhorë: kampionat dhe Kupa e Shqipërisë. Prit, se për pak e harrova. Të fitojmë edhe derbin me Partizanin.

Me të vërtetë mendoni kështu?
Ka vite që një skuadër nuk ia del të fitojë dy trofetë… Gjithë këto ditë që kemi biseduar me presidentin them se jemi në një mendje. Mund t’ia dalim. Për më tepër që presidenti është i gatshëm të investojë dhe të sjellë lojtarët e gatshëm dhe të mundshëm që janë në qarkullim.

Përse vendosët të qëndroni te Tirana, duke hequr historinë e kësaj skuadre?
Unë mendoj se kam një marrëdhënie të veçantë me lojtarët. Një marrëdhënie të drejtpërdrejtë. Kjo marrëdhënie të bën të kuptosh që mund t’ia dalësh. E njoh mirë çdo njeri në skuadër e ata më njohin dhe bashkëpunimi bëhet më i lehtë. 80 për qind e skuadrës është me kontrata. Kemi boshtin dhe kjo është premisa që mund të bëjmë mirë. Nuk do të bëjmë skuadrën nga e para dhe është arma jonë plus.

Merkaton e lojtarëve do ta bëni në Shqipëri apo edhe jashtë vendit?
Kur bën merkato në një kampionat që njeh apo që merr lojtarë, të cilët i njeh mirë dhe janë të provuar, kjo është plus. Ti e di se çfarë lojtari të përshtatet në fushën e lojës si cilësi dhe karaktere. Ama ne jemi të fokusuar në të dyja planet. Nëse gjejmë në Shqipëri lojtarët që duam aq më mirë, në të kundërt do të shohim jashtë. Ndoshta jashtë ka më shumë mundësi zgjedhjeje. Në çdo rast është e vështirë për të gjetur lojtarë të mirë.

Po e shihnit finalen e Kupës së Shqipërisë?
Një ndeshje ku skuadrat nuk dhanë më të mirën e tyre në finale, sepse për 90 minuta duhet të ishin të kujdesshme. Unë mendoj se finalen e fiton skuadra më e fortë, ajo që shfrytëzon mundësinë që ka apo që ka edhe fatin me vete.

Related posts

Flet Januzaj pas golit të bukur në Botëror: E dinim që DIFERENCA bëhej nga një moment individual por…

Sadik.Autor

SERIE A/ Criscito firmos kontratën e jetës me Genoan

Sadik.Autor

HISTORIA E DASHURISË/ 11 vite më e madhe se Ibra, si e bëri për vete suedezi bashkëshorten

Delo.autor

Leave a Comment