Futboll Sport

U LARGUA PARA FINALES SË MBIJETESËS/ Ish-trajner Sampaio: Pritej rënia, na goditi bllokimi i… merkatos

Rui Sampaio shpreh keqardhje për rënien e Flamurtarit, e megjithatë verdiktin e quan deri diku të pritshëm. I larguar pak ditë para finales së mbijetesës, trajneri evidenton shkaqet që çuan ekipin deri në këtë pikë.

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, nga Portugalia, ai thekson se me të në stol, mund të shmangej drama.

Flamurtari ra zyrtarisht në Kategorinë e Dytë. Si ndihet Sampaio?

Për fat të keq, jam shumë i trishtuar për këtë gjë, sepse është një ekip për të cilin ndiej dashuri. Jo vetëm se kam qenë pjesë e tij, por edhe për shkak të historisë së tij në futbollin shqiptar.

E parandienit këtë verdikt?

Për gjithçka që ndodhi dhe mënyrën se si filloi sezoni, ishte e pritshme, por unë besoja se mund të shmangej.

Po thoni se nëse do të ishit ju trajner në finale, Flamurtari do të mbijetonte?

Jo, jo. Kam respekt për kolegun tim, që mori drejtimin e ekipit. Kam respekt edhe për lojtarët. Nuk mund të them se nëse do të isha unë trajner, do të ishte shmangur rënia. Nuk e pashë ndeshjen finale dhe nuk e di se si u përgatit skuadra që nga largimi im.

Si mund shmangej atëherë?

Nëse do ta kisha marrë përsipër ekipin, që nga ndeshja në të cilën unë drejtova Flamurtarin në kampionat, në fitoren 3-0 kundër Tomorit dhe më pas në atë 0-1 kundër Elbasanit, situata do të ishte ndryshe. Ekipi do t’i bindej mënyrës, filozofisë dhe parimeve të mia. Fatkeqësisht është tepër vonë për të spekuluar dhe për të thënë se si apo çfarë…

Si mund të ringrihet Flamurtari?

Patjetër që mund të ringrihet. Duhet të fillohet të planifikohet që nga tani e tutje dhe të synohet një projekt për 3-4 vjet, me synimin për të arritur Kategorinë Superiore.

Duhet që të bëjnë një vlerësim të ekipit, si grup dhe individualisht, në mënyrë që të identifikojnë lojtarët që plotësojnë kushtet, në katër aspekte: psikologjike, fizike, teknike dhe taktike. Duhet të afrohen edhe 5 lojtarë që të bëjnë ndryshimin duke marrë parasysh aspektet e sipërpërmendura. Vetëm kështu mund të ndërtohet një strukturë teknike profesionale.

Pse mendoni se precipitoi situata deri në këtë pikë?

Problemi nuk është i kohëve të fundit, vjen më herët. Ekipi është në këtë situatë sepse nuk është e mundur të ngjitesh apo të përparosh me lojtarë të rinj. Bllokimi i merkatos ishte një goditje e madhe dhe shtoi edhe më shumë problemet që dolën gjatë sezonit.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Lidhur me të ardhmen time ende nuk kam asgjë konkrete. Në fakt, kam disa oferta këtu në vendin tim, por unë do të doja të kthehesha për të punuar në Shqipëri. Më pëlqen vendi juaj, ndaj po pres.

Related posts

CONFERENCE LEAGUE/ Laçi mposht Podgoricën në “Elbasan Arena” dhe kualifikohet në turin e dytë

Delo.autor

EDHE BARCELONA E PRANON/ Ylli s*ksi i “TikTok”-ut i solli fat ekipit të Çavit para “Klasikes” (VIDEO)

F.autor

Futbolli francez në zi, vdes ish-trajneri i ekipit kombëtar të “gjelave”

Sadik.Autor

Leave a Comment