Futboll Sport

U ZYRTARIZUA NGA ASTANA/ Mbrojtësi Bitri: Aventurë super me Partizanin, tani kap majat

Eneo Bitri u transferua te skuadra e Astanës në Kazakistan, duke siguruar kalimin te një ekip shumë i madh, si dhe duke siguruar edhe kontratën e jetës, pasi do të përfitojë 15 mijë euro në muaj, plus bonuse. Ditën e djeshme mbrojtësi 24-vjeçar u prezantua si lojtar i Astanës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Bitri tregoi më shumë për këtë transferim, për ofertat që kishte në tavolinë, aventurën te Partizani, si dhe për shumë tema të tjera.

Eneo, fillimisht suksese tek Astana. Çfarë mund të na thoni më shumë për këtë transferim?

Faleminderit shumë. T’ju them të drejtën, kam pasur shumë oferta këtë sezon, të cilat i kam refuzuar, sepse oferta e Astanës ishte një ndër të parat që më ka ardhur në tavolinë. Ka qenë fillimisht Astana, më pas kanë ardhur shumë ekipe të tjera europiane të njohura, por edhe nga kampionati shqiptar, të cilat gjej rastin për t’i falënderuar për interesimin. Vendosa të jem këtu tek Astana, sepse më pëlqeu projekti.

Keni qenë një ndër lojtarët më konstantë te Partizani, mendoni se kjo ka qenë arsyeja që Astana ka insistuar për firmën tuaj?

Mendoj që kam bërë një sezon të mirë dhe në fund them se kam marrë frytet e punës. Ndoshta ata më kanë ndjekur në disa ndeshje dhe më pas kanë dhënë “OK” për transferimin.

Mendoni se tashmë keni më shumë shanse për të siguruar një ftesë edhe në Kombëtare?

Të jem i sinqertë, pyetja e Kombëtares bëhet çdo herë. Këto gjëra do t’ia lë kohës, nëse do ta meritoj, do të jem pjesë e saj. Me këtë gjë merret trajneri me stafin e vet. Unë duhet të punoj fort këtu që të shkoj aty ku duhet.

Si do ta përshkruanit aventurën tuaj te Partizani?

Te Partizani kam kaluar 3 vite të mrekullueshme, ku kam njohur superdjem, drejtues, president, trajner, staf mjekësor, si dhe njerëzit e hotelit ku rrinim, që na kanë respektuar të gjithëve në maksimum.

Ishit shumë pranë titullit kampion edicionin e shkuar, ju ka mbetur peng kjo gjë?

Po, e kam peng kampionatin këtë vit që lamë pas, por kam besim që Partizani do të jetë aty gjithmonë për titull.

Tek Astana objektivat janë madhorë. Po Bitri personalisht çfarë objektivash ka?

Normalisht, Astana këtu është klubi më i madh, por jo vetëm këtu, por edhe në Europë ka bërë diferencën. Dua të fitoj shumë prej këtij ekipi, dua të luaj në Kupat e Europës, ku shpresoj të kalojmë turin e radhës, nga ku na pret një ndeshje shumë e fortë me Aris.

Çfarë do t’ju mungojë më shumë nga Shqipëria? Por nga Partizani?

Shumë gjëra do të më mungojnë… Familja në radhë të parë, shoqëria, ushqimi. Nga Partizani do të më mungojnë të gjithë. Siç e thashë më parë, aty u bëra si në shtëpinë time dhe kaloja super në çdo moment.

Keni një mesazh për tifozët e kuq?

“Guerrils” për mendimin tim janë një ndër tifozët më të zjarrtë në Ballkan. Ata janë gjithmonë aty pranë ekipit, janë forca e Partizanit. Ndoshta dhe kjo ishte një ndër arsyet që ne e humbëm kampionatin vitin e kaluar, sepse ata e kishin të pamundur të ishin të plotë aty përkrah nesh.

Cili futbollist ju ka inspiruar, cili është idhulli juaj?

Shumica e mbrojtësve thonë Serxhio Ramos… Idhull nuk më pëlqen të kem asnjë futbollist apo njeri tjetër, por veç Zotin. Vetja ime më inspiron të vazhdoj rrugën time, ta çoj deri në fund.

Miku juaj më i mirë, Çinari, do të luajë në Turqi, ndërsa ju në Kazakistan. Jeni larguar shumë…

(Qesh) Në fakt, jemi larguar ca me njëri-tjetrin, por flasim çdo ditë bashkë. E kemi lënë që të bashkohemi në pushimet e dimrit të gjithë bashkë, jo vetëm me Çinarin, por edhe me Brojën, Malën e Hakajn.

Mendoni se një ditë mund të riktheheni sërish në Superiore?

Normalisht që po, do të rikthehem një ditë aty, sepse aty është familja ime, shtëpia ime e çdo gjë. Por si fillim, dua të rri sa më gjatë jashtë Shqipërisë.

Keni pak ditë në Kazakistan, por si po ju shkon ambientimi atje?

Nuk e prisja të isha kaq mirë, më kanë pritur shumë mirë në ekip. Kam disa futbollistë ballkanas mjaft të njohur, të cilët më kanë afruar direkt dhe më janë gjendur për çdo gjë.

Cila ishte ndjesia juaj e parë kur mësuat se një klub i madh si Astana interesohej për firmën tuaj?

Të them të drejtën, e prisja diçka të mirë këtë vit, duke pare sezonin që po kaloja dhe kur erdhi oferta e Astanës, u ndjeva super, sepse në fund, m’u vlerësua puna ime. Për këtë gjë falënderoj Zotin në radhë të parë, si dhe agjentët, të cilën bënë të mundur këtë transferim.

Për cilën kombëtare bëni tifo në Europian dhe cila do ta fitojë?

Nuk e kam ndjekur shumë tani Europianin, por mendoj se e fiton Holanda, sepse babai im është tifoz holandez.

Mund ta shohim dhe Bitrin një ditë të luajë në kompeticione madhore?

Kjo është një ëndërr e fëmijër isë, të cilën me shpresën te Zoti dhe te puna ime, shpresoj t’ia arrij.

Related posts

DËMTIMI I ÇUDITSHËM/ Humbet Superkupën e Europës portieri i Liverpool (VIDEO)

Delo.autor

“Jo vetëm Mancini, janë gjashtë apo shtatë kandidatët për stolin e Italisë!”

Q.Autor

Udinese interesohet për mbrojtësin e Milanit

Sadik.Autor

Leave a Comment