Futboll Sport

OPINION JOSE MOURINHO/ E ardhmja e Anglisë e ndritur, sa shumë potencial në Katar

E ardhmja është e ndritur për futbollin anglez. Mjafton që të shohësh numrin e lojtarëve të shkëlqyer që vijnë prej akademisë së klubeve për ta kuptuar këtë. Sigurisht, që ka trishtim dhe zhgënjim për humbjen në finalen e “Euro 2020” kundër Italisë, por nëse unë krahasoj akademitë e klubeve të Premier Ligës sot dhe si ishin ato kur unë erdha për herë të parë në Angli, në vitin 2004, atëherë përmirësimi është i pafund. Unë shpresoj që trajnerët kryesorë të Premier Ligës të mos mendojnë vetëm për klubet e tyre, por edhe për kombëtaren dhe t’u japin këtyre talenteve të reja angleze më shumë shanse.

Unë e di që ai është ende shumë i ri, vetëm 17 vjeç dhe Botërori i ardhshëm është ndoshta shumë afër, por Totenhemi ka një sulmues, i cili, nëse gjithçka shkon mirë, do të jetë fenomenal. Ky djalosh, Dejn Skarlet, ndoshta nuk do të jetë gati për Katarin vitin e ardhshëm, edhe pse kurrë nuk i dihet. Por, për “Euro 2024” ai është një shembull i një lojtari që mund të shpërfaqet. Unë e di që ka shumë të tjerë si ai te Mançester Junajtid dhe Çelsi apo klube të tjera, sepse puna që ata po bëjnë në prodhimin e lojtarëve me dhunti të shkëlqyera teknike në akademitë e Anglisë është shumë herë më i mirë sot. Anglia nuk është aspak në një pozicion të keq. Po të shihni moshën e lojtarëve të skuadrës së “Euro 2020”, nuk ka një lojtar për të cilin ti mund të thuash se nuk do të jetë në Botërorin e ardhshëm për shkak të moshës. Unë do të guxoja të thosha se më shumë se 50% e kësaj skuadre do të ketë shansin për të luajtur 2-3 Europianë dhe 2-3 Botërorë.

PENALLTIA – Anglia mund të kishte një penallti dhe të shkonte 2-0 kur Rahim Sterling u pengua nga Leonardo Bonuçi në fillim të pjesës së dytë në finale. Për mua, kjo ishte më shumë penallti sesa ajo që iu akordua Sterlingut kur u rrëzua në shtesën e gjysmëfinales. Nëse ajo ndaj Danimarkës nuk do të ishte dhënë dhe nuk do ishte shkaktuar gjithë atë presion pas saj, me shumë mundësi kjo në finale do të akordohej penallti dhe me 2-0 do të ishim duke folur për një histori krejtësisht të ndryshme. Italia dominoi topin në pjesën e dytë dhe Anglia u mbrojt me një bllok të ulët shumë gjatë. Si trajner, e kam të vështirë që të besoj se stafi teknik i Anglisë i tha lojtarëve “qëndroni në bllok thellë, mos e lini mbrojtjen, nuk duhet të kundërsulmojmë, nuk na duhet topi, vetëm mbrohuni për 45 minuta dhe do të jemi kampionë”. Njerëzit thanë gjëra të ngjashme për Totenhemin në disa ndeshje të sezonit të shkuar, por nuk ishte e vërtetë. Italia thjesht mbajti topin, pasoi topin, fshehu topin, hoqi sulmuesin dhe futi një mesfushor ekstra. Pastaj Anglia pësoi nga një goditje këndi, ku ata kishin qenë kaq dominues gjatë gjithë turneut.

E ARDHMJA – Situata te Mançester Junajtidi do të jetë interesante nga pikëpamja e kombëtares. Xhejdën Sanço shkoi te Junajtid, Markus Rashford është gjithashtu atje dhe Mejzon Grinud është një shembull i mirë i një lojtari që nuk ishte në Europian, por mund të jetë në Katar, kur ai do të jetë më i pjekur dhe ka më shumë mundësi që të grumbullohet. Këta tre djem të rinj anglezë luajnë në një klub, janë tre sulmues të mundshëm që të mund të luajnë për kombëtaren.

Cili do të bëjë një sezon të shkëlqyer dhe cili mund të fshihet, duke mos qenë titullar për shumë ndeshje për shkak të vendimeve të trajnerit? Grinud ka talentin për të qenë atje. Shikoni Fill Foden, Grinud, Sançon, Rashfordin, Xhek Grilishin dhe Xhejms Medisonin: klubet angleze po rrisin një numër të pabesueshëm lojtarësh me këtë lloj profili. Pastaj është Xhud Bellingam. Ai nuk luajti sa unë prisja në Europian, sepse Anglia nuk ishte kurrë në disavantazh. Ishin në disavantazh vetëm 8 minuta gjatë gjithë turneut. Kalvin Filips dhe Deklan Rajs ishin gjithnjë titullarë, ndërsa në ndeshjet e fundit hynte edhe Henderson.

Por, Bellingam është atje kur do të të duhet më shumë se kaq. Ai është një hap përpara sa i përket cilësisë në marrjen e riskut dhe potencialit të shënimit. Nëse do dy lojtarë pozicionalë që luajnë thjesht, ata janë Rajs dhe Filips. Bellingam është më shumë se kaq. Mendoj se e ardhmja do të jetë Bellingam dhe Rajs në kualifikueset e Botërorit, ku niveli i kundërshtarit është tërësisht i ndryshëm dhe ti mund të eksperimentosh stile të ndryshme loje.

Në 16 muajt e ardhshëm Bellingam do të ketë më shumë ndeshje në Bundesligë dhe Ligën e Kampioneve me Borusian e Dortmundit, kështu që do të jetë më i fort, më i shpejt dhe më i pjekur. Ai është një lojtar i pabesueshëm, i cili është në një tjetër nivel. Bukajo Saka është një tjetër. Mos u shqetësoni për penalltinë e humbur. Unë nuk dua të analizoj penalltitë, sepse jam një vetë një specialist i dështuar tek ato. Por, ai është një tjetër djalë që vetëm do të bëhet më i fortë.

Ai është një lojtar shumëfunksional dhe vetëm trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, e di ku ai do të zhvillohet, por mua më pëlqen si një mëngjarash që luan në krah të djathtë. Unë e nisa me Arjen Robenin dhe Damien Dafin te Çelsi dhe të luaja me anësorë të përmbysur më ka pëlqyer gjithnjë. Kështu që dua ta shoh Sakën të presë në qendër dhe të bëjë trekëndëshe me sulmuesin. Ka gjithnjë zgjedhje të tjera, sepse Arsenali ka edhe Pepen dhe Uillianin gjithashtu.

Klubet e Premier Ligë kanë shumë skuadra të forta, por unë shpresoj që Saka të luajë atje. Ka shumë arsye për të qenë optimistë për Anglinë. 16 muaj të tjerë njohuri dhe eksperiencë për Sauthgejtin dhe lojtarët e tij dhe ju mund të këndoni “Po vjen në shtëpi” në Katar vitin e ardhshëm. Në fund, do doja t’ju falënderoja të gjithëve që më keni lexuar gjatë 5 javëve të fundit. Shpresoj që t’i keni pëlqyer këto momente po aq sa unë i shijova duke i shkruar.

Related posts

E BUJSHME/ “El Clasico” për Haaland, gazetari italian zbulon prapaskenat e merkatos

Delo.autor

ZBULON RIVALIN E “ZONJËS SË VJETËR”/ Bonucci: Juventusi tregoi përsëri se është i uritur, skuadra që…

Isa.Autor

“KUR NUK KE BILETË DHE…”/ Mbi 1 milion shikime në pak orë, ironia e Mourinhos bën namin në rrjetet sociale (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment