Futboll Sport

SFIDA GJYSMËFINALE NDAJ SPANJËS/ Barella: Do të jetë një ndeshje e bukur dhe do të përpiqemi…

Njëzet e katër vjeç të mbushur në shkurt, një titull të qepur në kraharor këtë sezon me Interin dhe me Belgjikën regjistroi edhe golin e tij të gjashtë me fanellën e kombëtares italiane, të parin në këtë Europian. Nikolo Barela tashmë është një pikë kyçe në skemat e trajnerit Roberto Mançini, në atë mesfushë “Axurre” të admiruar edhe jashtë kufijve italianë. “Është bukur të marrësh kaq shumë komplimente, – nënvizon mesfushori në konferencën për shtyp, në Koverçano, – Mesfusha jonë bën më shumë punë se çfarë duken në fushë dhe mendoj se Zhorzhinjo e Verrati i kanë dhënë repartit tonë të njëjtën cilësi që kishte ai i Spanjës me Ksavin e Iniestën”.

Një krahasim mes Spanjës dhe Italisë?

Spanja është kampione Europe. Si kolektiv, kanë një mesfushë të jashtëzakonshme. Ka pasur kampionë të mëdhenj, edhe tani atje luajnë lojtarë të mëdhenj. Shpresojmë të bëjmë si ata dhe ndoshta më mirë.

Na tregoni për netët magjike të Barelës…

Mund të përjetohen emocione edhe pa i kaluar vetë, me tregime. Është i bukur ai i vitit 1990, shpresojmë që të tjerët ta mund ta jetojnë në një periudhë si kjo.

Mesfusha e Italisë ka marrë shumë komplimente…

Është diçka e bukur. Bëjmë një punë të rëndësishme për skuadrën, epiqendra është i gjithi grupi, forca e një synimi të përbashkët. Është ajo që do të përpiqemi të çojmë përpara deri në fundin e kompeticionit dhe ndër vite. Mesfusha është reparti ku kalon loja, Zhorzhinjo dhe Verrati janë dy fenomenë dhe përpiqen të bëjnë skuadrën të xhirojë. Unë mundohem të mendoj për inkursionet. Jemi të gjithë titullarë, nuk jam unë titullari ose Lokateli vetëm alternativa. Janë edhe Pesina, Kastrovili, ndërsa dikush ka qëndruar në shtëpi për dëmtime apo zgjedhje. Të flitet vetëm për ne të tre do të ishte mungesë respekti, por së bashku me atë të Interit është njëra nga mesfushat më të forta ku kam luajtur. Megjithatë, jam alternuar mirë. Këtu ekziston respekt mes të gjithëve, por brenda nesh duam të krijojmë rivalitet që na shtyjnë të bëjmë më mirë dhe të fitojmë.

Më mirë me Berardin apo Kiezën në fushë?

Me secilin është diçka ndryshe: Masimo hyn në qendër nga krahu, Federiko zakonisht qëndron më i spostuar në korsi: unë përshtatem me lëvizjet e tyre, por nuk më ndryshon asgjë.

Na tregoni më shumë për Zhorzhinjon…

Nuk gabon asnjëherë, e bën shumë rrallë, është e vështirë të thuash nëse mund të bënte në një mënyrë më të mirë. Secili bën lojën e tij, gjithkush mund të bënte më mirë ose më keq, por kështu është futbolli. Zhorzhinjo rrallëherë bën keq ose dobët.

Mançini ju dha një mesazh në fund të ndeshjes…

Po ndërroja fanellën me Lukakun kur po fliste trajneri… Më treguan të tjerët se çfarë thuhej, megjithatë janë aspekte të dhomave të zhveshjes dhe nuk i përhap. Janë gjëra mes nesh, i themi në fund.

Lukakun e eliminuat…

Më erdhi keq për të, kemi krijuar diçka të veçantë tek Interi, por do të ketë raste të tjera për të festuar.

Kë shikoni si model te Spanja?

Kanë pasur kampionë të mëdhenj që kanë frymëzuar të gjithë, si Ksavi apo Iniesta. Është e lehtë të thuhet që kanë frymëzuar dhe jo vetëm ne, por të gjithë ata që e duan futbollin. Unë kam karakteristika të ndryshme, të pasqyrohem tek ata është e vështirë.

Si e shikoni Spanjën sot?

Buskets është prej vitesh një nga mesfushorët më të mirë në botë, te Spanja po ashtu si te Barcelona. I duhen bërë vetëm komplimente. Më pas janë edhe Pedri, Koke. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe do të përpiqemi ta mposhtim mesfushën e tyre dhe Spanjën.

Barela tek Italia përfaqëson Sardenjën…

Shënimi i një goli është gjithmonë një emocion i bukur. Ta bësh në një Europian, është akoma më bukur. Për mua goli është diçka e madhe, ndihma për skuadrën akoma më mirë. Për sa i takon Rivës them që është një mit, i paarritshëm. Ajo që do të bëj unë me karrierën time do ta konsideroj si diçka madhështore. Shpresoj t’i afrohem dhe të bëj krenare Sardenjën.

Ju është dëmtuar Spinacola…

Ishte e çuditshme të mos festonim sepse i ndodhi diçka një shokut të skuadrës, një protagonisti. Ishte e vështirë. Është goli i parë për të cilin nuk kam festuar në fundin e një ndeshjeje. Futbolli të jep shumë, edhe të keq shumë. Për fat të keq është puna jonë, pasioni ynë. Nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse ta bëjmë të ndihet krenar në mënyra të tjera dhe të festojmë për të.

Tani do ta zëvendësojë Emersoni…

Kanë karakteristika të ndryshme, janë të dy të prirur më tepër për fazën sulmuese. Emerson është një lojtar i madh, po ashtu si Spinacola. Askush nuk është i shqetësuar në këtë drejtim, askush nuk duhet t’i japë këshilla. Ka fituar Ligën e Kampioneve, do të na ndihmojë ashtu siç ka bërë gjithmonë. Ka fituar deri tani shumë ndeshje për ne, kemi vetëm besim kundrejt tij.

A është vërtet Italia kandidate për fitoren finale?

Siç kam thënë që nga momenti që ndodhem këtu në kombëtare, trajneri na ka dhënë një mentalitet fitues. Luajmë gjithmonë për të fituar, mua më ka ecur gjithmonë mirë, por trajneri ka kryer një punë të madhe. Mentaliteti i tij na ka dhënë shumë, i luajmë të gjitha ndeshjet për të fituar, gjithmonë, deri në fund. Tani përpara kemi Spanjën. Është një ndeshje e vështirë, jemi dy skuadra të ngjashme që duam të kemi kontrollin e lojës, do të përpiqemi ta mbajmë ne dhe t’i nxjerrim jashtë kohe. Shpresojmë të jetë një ndeshje e bukur, do ta shijojmë në një stadium të madh që krijon një ambient fantastik.

BARELA

Edhe Italia U-21 luajti kundër Spanjës, ju ishit në fushë…

Shkuam në disavantazh, më pas e rikuperuam. Ishte një ndeshje e ndërlikuar. Spanja, si kombëtarja e madhe po ashtu edhe ajo e moshave, dëshiron të dominojë lojën. Kishim, megjithatë, skuadrën më të mirë të atij kompeticioni, për fatin e keq kryem disa gabime që nuk na lejuan të fitojmë dhe u treguan ata të zotë të shkojnë në finale dhe ta fitojnë. Por, është një kujtim i bukur. Ishte ndeshja ime e parë e rëndësishme në një turne të tillë.

A shikoni ngjashmëri mes këtij Interi dhe Italisë?

Fjalën që i bën të ngjashme e mbaj për vete dhe e them në fund… Ekziston me siguri një bashkim qëllimesh, objektivi ishte titulli dhe në fund ia arritëm. Ndërsa këtu në kombëtare ishte të shkonim sa më larg të ishte e mundur dhe po ia arrijmë në mënyrë madhështore. Më pas edhe grupi bëri diferencën tek Interi dhe po e bën edhe këtu. Këtu është edhe më e lehtë, jemi të gjithë italianë, kemi një kulturë të ngjashme që na afron.

Tani jeni larg familjes dhe tri vajzave.

Më kanë pëlqyer gjithmonë përgjegjësitë. Shpresoj t’i bëj të ndihen krenarë. Më mungojnë dhe u dërgoj një përqafim të madh duke shpresuar që të festoj me ta në fund.

Related posts

RIKTHIMI I “NOTORIOUS” NË KAFAZ/ Biletat shiten për 24 orë, ja shuma e arkëtuar

Delo.autor

“NUK JEMI KLUB I TILLË NE…”/ Trofetë e Contes nuk i mjaftojnë Manchester United, Schmeichel “thumbon”

Delo.autor

YLLI I “DJAJVE TË KUQ” SULMON MOUN/ Sanchez: Brenda grupit ekzistonte një gjendje…

Delo.autor

Leave a Comment