Futboll Shqipëri Sport

BËRI 20 MIJË TIFOZË GREK TË HESHTIN/ Mbrojtësi Bitri: Ja çfarë mendoj për paraqitjet e Partizanit në Europë

Eneo Bitri është hero në Kazakistan. Ish-mbrojtësi i Partizanit, tashmë pjesë e skuadrës së Astanës, i dha kualifikimin ekipit të tij në sfidën kundër Arisit, e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Konferencës.

Ndeshja shkoi në shtesa pas rezultatit të përgjithshëm 2-2, ndërsa në minutën e 120-të, Bitri shënoi me kokë, për të kualifikuar ekipin e tij. Gjithashtu, shtatlarti beratas u shpall edhe futbollisti më i mirë i ndeshjes nga UEFA. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” Bitri rrëfeu emocionet e mbrëmjes së madhe europiane, golin e tij, “vëzhgimin” që mund të ketë nisur nga Kombëtarja kuqezi, si dhe nuk mund të mungonte edhe një koment për ish-skuadrën e tij, Partizanin, duke thënë se bëri paraqitje dinjitoze kundër një ekipi prestigjioz si Bazeli.

Eneo, po vazhdoni të shkëlqeni tek Astana, madje i dhatë dhe kualifikimin në Ligën e Konferencës kundër Arisit në minutën e fundit. Si mund të na e përshkruani atë moment?

Po mundohem të jap më të mirën time dhe Zoti po ma shpërblen këtë gjë. Të them të drejtën, ishte diçka qe nuk e kisha provuar ndonjëherë në jetë, që të shënoja në minutat e fundit në një ndeshje me aq rëndësi ku t’i jap kualifikimin ekipit tim. Ishte një ndjesi mjaft e veçantë, ku e gjithë skuadra më uroi, stafi dhe drejtuesit ishin shumë të lumtur për mua.

Kur dolët përpara për të sulmuar goditjen e dënimit, kishit ndonjë vizion paraprakisht se topi mund të vinte te ju dhe të shënonit?

Në momentin që kërceva me kokë, ishin dy lojtarë para meje dhe unë arrita të kërceja mbi ata, ku më pas edhe shënova.

Kur patë sferën të ndalonte në rrjetë, çfarë menduat në ato çaste?

Kur pashë topin në rrjetë, nuk më besohej, festova si i çmendur. Më pas, isha duke parë tifozët e Arisit, që ndaluan totalisht në atë moment. Ishim vetëm ne që festonim.

A ishte ai gol më i rëndësishmi i karrierës tuaj?

Po, është e vërtetë, është një ndër golat më të rëndësishëm në karrierën time, por shpresoj se do të shënoj gola akoma dhe më të rëndësishëm. Mendoj që akulli u thye tashmë, duhet të vazhdoj të punoj akoma më shumë për të arritur atë çfarë dua. Kur gjërat shkojnë shumë mirë, duket sikur jemi në ëndërr.

A mund të themi se dhe ju po “jetoni” një ëndërr pas këtij starti fantastik tek Astana?

Deri më tani, mendoj që kam bërë shumë mirë këtu tek Astana, të gjithë janë të kënaqur me performancën time, sepse ka një muaj që kam ardhur dhe jam duke u ambientuar me gjithçka këtu. Mendoj se më mirë, prishet…

Ju u kualifikuat për në fazën tjetër të Ligës së Konferencës, ndërsa Partizani e mbylli rrugëtimin. Si do ta përshkruanit ecurinë e “demave”?

Mendoj se Partizani bëri gjithçka që ishte e mundur, sepse kundër kishte një kundërshtar prestigjioz siç është Bazeli. Ishte pothuajse mision i pamundur kundrejt një kundërshtari të tillë, por bënë paraqitje dinjitoze.

Si kanë qenë 24 orët e fundit për Bitrin, duke qenë se ishit ju heroi i Astanës?

Dje festuam me djemtë që unë rri shumicën e kohës këtu, kaluam super. Të gjithë më kanë uruar, çdo pjesëtar i klubit apo dhe tifozë të shumtë që më kanë dërguar urimet e tyre me mesazhe.

Mendoni se keni filluar të tërhiqni që tani vëmendjen e stafit të Kombëtares?

Nuk di ta them këtë gjë… Të jem i sinqertë, ajo është një ëndërr imja që do doja ta realizoja një ditë. E kam thënë dhe me parë, në momentin që do ta meritoj, do të jem në Kombëtare. Për këtë gjë, duhet të punoj fort dhe më duhet të pres momentin tim, qoftë ky tani shpejt, apo më vonë.

Related posts

CONFERENCE LEAGUE/ Ekipet shqiptare njohin rivalët në fazën e tretë, buzëqesh Teuta, Laçin dhe Vllazninë e pret…

F.autor

FIORENTINA TAKON MENAXHERIN SHQIPTAR PËR BAJRAMIN/ Kërkon një tjetër lojtar të kombëtares shqiptare

F.autor

MENDON PËR MERKATON E JANARIT/ Koeman vendos veton për 2 holandezët, sakrifikon 2 lojtarë

Delo.autor

Leave a Comment