Futboll Seria A Sport

“ZIKALTËRIT” PËRMBUSHIN PRITSHMËRITË/ Nga pankina te sulmi, ja si Marotta e rindërtoi Inter-in…

Interi pas shpalljes si kampion Italie u detyrua të rindërtohej. Jo më hapje të një cikli fitues pas një titulli të rëndësishëm, por zgjedhje të detyruara nga ana ekonomike për të vazhduar të qëndrojë konkurrues dhe të përmbushë pritshmëritë. Me mbarimin e sezonit, zikaltrit u gjendën pa arkitektin e titullit, Antonio Konten dhe pastaj pa dy zbatuesit kryesorë të tij, Lukakun e Hakimin, simbole të punës së realizuar nga trajneri. Në këtë situatë, përgjegjësia i kaloi drejtuesit Bepe Marota, që edhe një herë tregoi se di të menaxhojë një klub të kthyer në kantier ndërtimi.

NDRYSHIMI I TRAJNERIT – Interi ka parë të largohet këtë vit trajnerin që e shpalli kampion Italie. Por, ajo që duket se nuk ka ndryshuar është mentaliteti i ekipit dhe për këtë merita i shkon Simone Inzagit, trajnerit të ri të Interit. Grupi dilte nga dy vite intensive me Konten, që është nga ata trajnerë që krijon lidhje të ngushta me të gjithë lojtarët të cilët kthehen në ushtarë të bindur të teknikut të tyre. Pikërisht kjo, u mendua se do të ishte pjesa më e vështirë për Inzagin, të bënte për vete grupin. Menjëherë Simone ka krijuar lidhje të ngrohtë me ekipin, duke i transmetuar idetë e tij dhe kjo u pa në dy ndeshjet e para të kampionatit. Është ende herët, jemi akoma në gusht, por Interi beson, argëtohet dhe luan me mentalitetin e fituesit që stimulohet edhe nga stema tringjyrëshe në gjoks. Trajneri ka gjetur menjëherë frekuencën e duhur të organikës dhe efekti u duk në fitoren e dy ndeshjeve diametralisht të kundërta, njërës të lehtë, me goleadë, kurse tjetrën me përmbysje dhe duke treguar shpirt gare. Kjo është meritë padyshim e Inzagit, që diti të imponohet shpejt, natyralisht dhe me qasje fituese duke nxjerrë në pah cilësitë e tij dhe duke i shtuar konceptet e tij të lojës, një ekipi tashmë fitues. Inzagi deri tani është absolutisht i certifikuar.

KRAHU I DJATHTË – Dumfris ishte emri i parë i studiuar që pas largimit të Hakimit te PSG-ja. Por dëshira nuk mjaftoi dhe zikaltrit në atë periudhë pa buxhet të mjaftueshëm u detyruan të shikonin opsione të tjera më të lira, si Nandez dhe Bejerin. Me shitjen e Lukakut dhe me sigurimin e shumës së duhur, duke shfrytëzuar edhe dëshirën e vetë futbollistit, u desh shumë pak të arrihej marrëveshja për holandezin. Në këtë rast ndryshe nga ai i Inzagit, efekti është vetëm në letër: ish-lojtari i PSV-së ka treguar pak, për të mos thënë asgjë nga kapaciteti i tij.

Sidoqoftë, Kampionati Evropian dha përshtypjen se 25-vjeçari është gati, madje edhe për të marrë përsipër përgjegjësinë e zëvendësimit të Hakimit, që tek Interi ka qenë një lojtar kyç, një armë për të hapur çdo dry të mbrojtjeve kundërshtare. Mbrojtësi i djathtë është një rol shumë i rëndësishëm edhe për Inzagin, që ka të njëjtën skemë dhe ide edhe për atë pozicion. Dumfrisit, deri më tani, më së shumti i ka munguar koha. Inzagi zgjodhi të bënte më të sigurtën në dy javët e para të kampionatit dhe ia besoi rolin Darmianit që ka dhënë sinjale pozitive dhe ka treguar se mund të jetë zgjedhja e duhur në atë krah. Fasha e djathtë është tashmë e siguruar, ashtu si një vit më parë, ndërsa ngelet të përcaktohet titullari. Dumfrisi, pas pauzës së kombëtareve, duhet të tregojë se është pjesa e duhur për të plotësuar “puzzle”- in e Inzagit.

ZËVENDËSIMI I ERIKSENIT – Pas frikës për dramën e Kristian Eriksenit, tek Interi ishte akoma më e vështirë situata sepse duhej gjetur edhe zëvendësuesi i danezit. Drejtuesit zikaltër u treguan mjaft të zotë dhe arritën të gjejnë pasardhësin e tij në më pak se 48 orë, kur firmosën me Hakan Çalhanoglunë që nuk rinovoi me Milanin. Zikaltrit kërkonin një futbollist me cilësitë e Luis Albertos, por arritën të gjenin një hibrid perfekt: pak Eriksen në cilësitë e kontrollit të lojës dhe pak Luis Alberto në aftësinë për vertikalizime. Ka qenë pikërisht Inzagi që e ka kërkuar me ngulm pasi është përballur me të në ndeshjet e kampionatit, siç ka konfirmuar vetë trajneri në konferenca dhe turku i dha të drejtë. Me zbritjen në fushë, Çalha dhuroi një asist dhe shënoi një gol në ndeshjen e parë kundër Xhenoas duke u bërë protagonist dhe duke fituar zemrat e tifozëve zikaltër, por në ndeshjen e dytë tregoi atë anën e errët për të cilën ishte kritikuar kur luante me kuqezinjtë. Por Inzagi beson shumë te turku dhe po kërkon ta shndërrojë në lider.

REPARTI OFENSIV – Romelu Lukaku ishte një makth për kundërshtarët dhe shënoi 47 gola në dy sezonet e tij në Itali me Interin. Ishte fytyra e zikaltërve dhe rrëzonte çdo rival me golat e tij, por së fundmi rrezikoi të rrëzonte Interin me lamtumirën e tij. Kampionët, përveç golave, duhet të zëvendësonin edhe liderin e tyre, frikën që ngjallnin me praninë e belgut dhe një rrugë drejt titujve që sapo kishte nisur. Drejtuesit u detyruan të zgjidhnin një rrugë tjetër dhe nuk kërkuan më një futbollist që mund të zëvendësonte Lukakun, por dy lojtarë që mund t’u jepnin sa më shumë alternativa të besueshme. Xheko është qendërsulmuesi që bën çdo gjë dhe kompletohet perfekt me Lautaron. Pastaj është edhe Korrea për çdo rast, që ia vështirëson punën Inzagit për të vendosur dyshen titullare. Pas dy vitesh LuLa, ky sezon do të jetë ndryshe dhe më i sigurt, me më shumë alternativa në sulm, të cilave u shtohet edhe Sançez. Interi nis kampionatin i sigurt, me shtatë gola të shënuar nga mbrojtësit te sulmuesit dhe duke parë drejt të ardhmes me optimizëm. Zikaltrit po tregojnë se ka jetë edhe jashtë “planetit Lukaku”.

Related posts

Lewandowski në radarin e skuadrës nga Premier League

Sadik.Autor

NA HABITI TË GJITËVE/ Ibra tregon moshën se kur do të dalë në pension

Delo.autor

FINALJA E COPA AMERICA/ Brazil shihet si favorit, ndërsa Peru vjen “surprizë” (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Leave a Comment