Futboll Seria A Sport

“KËTU TEK JUVENTUS LUFTOHET DHE FITOHEN TITUJ”/ Bonucci: Juve, tani të tregojmë “sytë e tigrit”

Leonardo Bonucci dhe Juventusi janë gati që të rikthehen në ato shina që u takojnë. Mbrojtësi veteran është i sigurt se fitorja me Specian do të jetë një dozë e rëndësishme adrenaline, pasi në karrierën e tij dhe në historinë e këtij klubi, ka pasur edhe momente të vështira, por rikthimi në normalitet nuk ka munguar asnjëherë.

Leo, vuajtët sërish, por Alegri tha më mirë kështu…

Ishte një fitore karakteri, ndonëse ajo që na shërbente në këtë moment ishin vetëm tri pikët, sido që të vinin ato. Gjithsesi, kur merr tri pikët, aq më shumë të parat, heq disa kilogramë presion nga shpatullat dhe jam i sigurt se në vazhdim do të luajmë më mirë.

Jeni organizatori i prapavijës. Sa i rëndësishëm jeni për ekipin?

Sidomos në pjesën e parë, ata na bënë shumë presion në pjesën e fortë të gjysmëfushës sonë, prandaj topat e mi të gjatë ishin një mënyrë për të mbajtur sa më larg presionin ndaj zonës sonë, ndaj ne të gjithëve. E vërteta është që krijuam sërish shumë, por më pas falë edhe dy devijimeve erdhën edhe dy golat e tyre që na përmbysën avantazhin. Gjithsesi, pasi rrezikuam edhe 3-1 ishim shumë të zotët që të risillnim në shina ndeshjen në favorin tonë. Në këtë fitore mendoj se meritën më të madhe e ka Lokateli, i cili spastroi atë top në vijën fatale dhe më pas të gjithë gjetëm kurajën që të reagonim siç duhet.

Mendoni se pas 2-1 doli më në fund ajo forca e madhe që Juventusi nuk e ka shprehur në katër ndeshjet e mëparshme në kampionat?

Mentaliteti duhet të ekzistojë gjithmonë, sepse dëshira për të marrë në shtëpi tri pikët nuk është diçka që ne e ëndërrojnë, përkundrazi e kemi detyrim. Jemi Juventusi dhe jemi të dënuar që jo vetëm të mos na shtypë kundërshtari, por as presioni i situatave të vështira. Forca e Juves ka qenë gjithmonë ajo, për të luftuar deri në fund dhe ne do të dalim nga ky moment.

Çfarë i mungon skuadrës për momentin?

Mendoj se “sytë e tigrit”, ata që na kanë shoqëruar për 9 sezone me radhë, por edhe në pjesën më të madhe të historisë së këtij klubi. Ne duhet të kuptojmë se të veshësh këtë bluzë është çështje përgjegjësie, sakrifice dhe trofesh. Këtu nuk luftohet për asgjë tjetër, përveçse për të fituar në fund të sezonit, për veten dhe mbi të gjitha për popullin bardhezi.

Me prezencën ndaj Specias kaluat Kauzion dhe tashmë jeni në 10-shen më të mirë të historisë bardhezi, për numër prezencash. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Juventusi është familja ime e dytë. Pas tre fëmijëve dhe bashkëshortes sime, kjo është gjëja më e shtrenjtë në jetën time, prandaj unë jam këtu për të luftuar dhe dua ta bëj derisa gjunjët të më mbajnë. E bëra një gabim pak vite më parë, duke u shkëputur për një sezon te Milani. Por menjëherë e kuptova se më mungonte gjysma ime dhe u riktheva. Juventusi është gjithçka për mua dhe tani është momenti që unë, ashtu sikurse të gjithë shokët e mi që jam i bindur se e ndiejnë peshën e kësaj fanelle, të luftojmë dhe t’i rikthejmë Juves atë që i takon.

Related posts

West Ham ofron 38 milionë euro për brazilianin e Serie A

Sadik.Autor

“MOMENTI I MAKTHIT”/ Guardiola: Gruaja më telefonoi e terrorizuar, pastaj…

Isa.Autor

TRANSFERIMET NË SUPERIORE/ Dinamo “mbretëresha” e merkatos, Kastrioti skuadra më pak aktive. Ja të gjitha lëvizjet…

Delo.autor

Leave a Comment