Futboll Seria A Sport

NGA PANKINA NË SULM/ Krespo analizon “Kuqezinjtë”: Liverpool plagë e hapur, Milani të marr hak për…

Hernan Krespo nuk kënaqet kurrë. Ai e di se sukseset janë pjellë e ambicies, e kërkimit të durueshëm dhe të vazhdueshëm të lavdisë dhe të asaj pak paturpësie që nevojitet për të arritur çdo synim. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Milani duket se është gjithmonë në mendimet e tij.

A janë kuqezinjtë gati për titull?

Më shumë se gati, edhe pse jo si favoritë. Merkatoja kuqezi ka qenë inteligjente, fundja e tillë duhet të ishte duke qenë se miku im Maldini merr vesh shumë nga futbolli. Shikoni çfarë grupi ka ndërtuar e do të më jepni të drejtë.

Si duhet të luajë mesfusha e Milanit?

Pioli ka bërë një punë të jashtëzakonshme me gjithë skuadrën. Në mesfushë, titullarët janë Kesi dhe Benaseri, por ndaj Kaljarit fituan falë Tonalit e Kruniçit. Kuqezinjtë bëjnë presion, e spostojnë lojën në zonën rivale dhe ofrojë një futboll modern.

Cilët janë elementët më interesantë sipas mendimit tuaj?

Diaz më pëlqen shumë sepse ka driblime dhe ide. Nuk duhet të mendojë se është bërë fenomen. Ky është një rrezik që i kanoset çdo të riu. Leao është një tjetër talent që duhet të fokusohet gjithmonë. Më intrigon edhe Mesias që nuk ka qenë në klube të mëdha, megjithatë e di që kur një lojtar është i aftë, atëherë është i tillë kudo që shkon.

Menja mund ta zëvendësojë Donarumën?

Donaruma është shumë i zoti, por Menja nuk do të lejojë që tifozëve t’u mungojë Xhixho. Francezi ka fizik, kurajë dhe personalitet.

Po Zhiru e Ibrahimoviç e përballojnë dot një sezon të plotë?

Janë dy sulmues fantastike që kanë përvojë. Do të dinë të udhëheqin ekipin në çdo mënyrë. Zhiru është gjahtar zone, ndërsa Ibra nuk ka nevojë për prezantim. Dyshimi i vetëm është në aspektin fizik, por nëse janë mirë, Milani nuk do të ketë probleme. Personalisht i shoh të aftë për të luajtur së bashku, por alternimi i tyre do të ishte më logjik.

Si do ta përkufizonit momentin e Milanit?

Nga pikëpamja e lojës, janë në një nivel të mirë. Në nivelin mendor, do të ketë më shumë stres sepse ekziston edhe Liga e Kampioneve. Ndeshjet europiane janë sfilitëse në aspektin nervor, e them këtë nga përvoja. Pioli, sipas mendimit tim, ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe duhet të konsiderohet më shumë nga kritikët. Do të ketë për detyrë të menaxhojë forcat dhe të mendojë për një qarkullim të mençur të futbollistëve.

Pas dhjetë ditësh kuqezinjtë sfidojnë Liverpulin. Keni ndonjë koment?

Për mua hapet një plagë… E keni parë kalendarin. Ndeshja e parë: Liverpul-Milan. A e dini se çfarë më kujton? Finalen e mallkuar të vitit 2005 në Stamboll. Unë shënoj një gol, në fund të pjesës së parë fitojmë 3-0 dhe më pas pësojmë një përmbysje absurde dhe humbasim në penallti. Atë natë nuk e kam harruar kurrë. Kështu që, unë i bëj një thirrje djemve të Piolit: Më jepni një hakmarrje, mundeni Liverpulin në “Anfield”, tregojini se kush është Milani. E di që në vitin 2007 kuqezinjtë e konsumuan hakmarrjen e tyre duke marrë Ligën e Kampioneve kundër të kuqve, por theksimi i epërsisë nuk është kurrë i dëmshëm.

Related posts

Para Shqipërisë, Bale ka një hall të madh për të zgjidhur

Sadik.Autor

BAYERN KA ZHDUKUR ÇDO EMOCION/ Në Bundesliga duan ndryshim radikal për t’i dhënë fund “tiranisë”

Delo.autor

ANDREA BOCELLI TIFOZ INTERIST/ Koncert privat për mbrojtësin “Zikaltër”

Delo.autor

Leave a Comment