Futboll Kategoria Superiore Sport

PARTIZANI-VLLAZNIA/ Marku: Është një ndeshje e veçantë për mua, do të jetë një duel shumë i fortë

Një deklaratë e Tomas Brdariçit pak ditë më parë, i cili u shpreh se Herald Marku i dukej i mërzitur që ka ikur nga Vllaznia, ka ndezur sfidën mes Partizanit dhe shkodranëve. Mesfushori i “demave” u transferua këtë verë në kryeqytet, pasi mbylli një sezon të suksesshëm me Vllazninë.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Herald Marku nuk ngurron të përgjigjet, duke thënë se është shumë i lumtur te Partizani dhe se për sfidën e nesërme përballë Vllaznisë nuk mendohet asgjë tjetër përveç fitores. Takimi do të luhet në “Elbasan Arena” dhe Herald Marku uron që Partizani të dalë me tri pikë të plota pas 90 minutave.

Herald, jeni një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Partizanit. E mendonit se do të ishit menjëherë lojtar kyç?

Nuk e mendoja se do të përshtatesha kaq shpejt, por dua të vazhdoj ta ndihmoj ekipin dhe të jem pjese e rëndësishme e Partizanit.

Skuadra nuk ka pasur një nisje të mirë të sezonit, me 1 pikë pas 2 javëve. Çfarë nuk ka shkuar mirë, sipas jush?

Kemi zhvilluar lojëra të mirë, por momente të caktuara mund të kemi humbur vëmendjen, që na ka kushtuar më pas, duke lënë pikë.

Keni provuar thuajse çdo pozicion në fushë, duket se trajneri Daja ka shumë besim te ju…

Pozicioni im tashmë dihet, jam një mesfushor qendror, por në rast nevoje të ekipit, do të jem gjithmonë i gatshëm të sakrifikoj për skuadrën.

Sfida e radhës, përballë Vllaznisë. Si e prisni këtë duel?

Është një ndeshje e veçantë për mua personalisht, si dhe do të jetë një duel shumë i fortë.

Me çfarë synimi futet Partizani në fushë për këtë ndeshje?

Pa dyshim, Partizani futet në fushë vetëm për fitore.

Do të ishte skenari perfekt nëse do të shënonit golin e parë me Partizanin kundër ish-ekipit tuaj?

Skenari perfekt do të ishte fitorja e ekipit. Më shumë rëndësi kanë tri pikët në këto momente.

Mund të na tregoni diferencën mes Dajës dhe Brdariçit, pikat e tyre më të forta?

Ajo që mund të them, është se janë të dy trajnerë shumë profesionistë.

Brdariç u shpreh se Heraldi duket i mërzitur te Partizani, keni ndonjë koment?

Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Partizanit.

Tirana apo Shkodra, cilin qytet do të zgjidhnit për të jetuar?

Shkodra është vendi i origjinës, por do të zgjidhja Tiranën, sepse këtu jam rritur.

Edhe ndaj Tërbunit luajtët si ish. Duket se kjo është java e ish-ekipeve për ju…

Me Tërbunin u kalua me sukses. Uroj që edhe nesër të përsëritet e njëjta gjë.

A mund t’i fitojë Partizani të dy trofetë këtë sezon?

Do të jetë një garë e fortë dhe do të jemi në luftë deri në fund për të dy trofetë. E dimë vështirësinë, por siç e thashë, do të luftojmë deri në fund.

Nga 1-10, çfarë note do t’u vendosnit paraqitjeve tuaja deri më tani?

Mendoj se kanë qenë paraqitje pozitive, por duhet akoma më shumë punë, sepse pretendimet janë më të larta.

Keni ndonjë mesazh për tifozët e Partizanit para ndeshjes? Po për ata të Vllaznisë?

Tifozët janë mbështetja jonë më e madhe dhe uroj të jenë të shumtë në numër për të na përkrahur. Tifozëve të Vllaznisë u uroj vetëm të mira, sepse më kanë respektuar gjatë periudhës sime atje.

Related posts

Shkodran Mustafi me falënderim të veçantë për Arsene Wengerin

Sadik.Autor

E BUJSHME/ MILANI hidhet në sulm për mesfushorin KROAT të REALIT (FOTO)

Isa.Autor

LIVERPOOL SHËNON SËRISH/ VAR tërbon Kloppin, “Djajtë e Kuq” shpëtojnë për milimetra (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment