Futboll Kategoria Superiore Sport

ANALIZON “KORÇARËT” PAS 6 JAVËSH/ Lako: Ja çfarë i duhet Skënderbeut për të bërë ndryshimin

Skënderbeu mbyll tabelën e klasifikimit pas gjashtë javësh kampionat, duke mos përmbushur pritshmëritë e drejtuesve të klubit. Skuadra korçare nuk ka arritur ende fitoren e parë dhe kjo natyrisht që ka zhgënjyer jo vetëm pjesëtarët e ekipit, por edhe tifozët bardhekuq, të cilët e kanë mbështetur Skënderbeun.

Fitorja në javët e mbetura të fazës së parë është një detyrim për bardhekuqtë nëse kërkojnë që t’i ikin fundit. Ndaj Dinamos të shumtë kanë qenë ata që e kanë menduar ndryshe këtë takim, përfshi këtu edhe ish-kapitenin korçar në vitet 200, Stavrion Lako. Ish-mbrojtësi i Skënderbeut analizon situatën aspak të qetë që është duke kaluar ekipi i drejtuar nga Migen Memelli.

“Normalisht që në kushte të tilla, kur jemi në fund të tabelës, situata nuk mund të jetë e qetë për një ekip si Skënderbeu. Të them të drejtën, këtë sezon e kishim menduar ndryshe, duke qenë se lojtarët janë me më shumë eksperiencë dhe njihen mirë me njëri-tjetrin. Por, sezoni po tregon se ende ekipi nuk po merr ato rezultate që të gjithë do të prisnim. Ndaj Dinamos besoja te një fitore, e cila do ta ngjiste skuadrën në renditje, por nuk ndodhi kështu.

Ndoshta edhe Dinamo nga mënyra se si ishte paraqitur ndeshjet e fundit, do të kërkonte reagimin, pavarësisht se për mendimin tim nuk është një ekip me nivel të lartë. Duke ndjekur lojën minutë pas minute, kisha shpresë se do të merrnim një rezultat pozitiv, por nuk ndodhi kështu. Për shkak të një episodi që nuk ishte fort i kolauduar si grup, pësuam një gol që duhej shmangur. Besoj se në të tilla raste ekipi duhet të jetë më i përqendruar”, ka thënë fillimisht Lako në bisedën për gazetën.

ZGJIDHJA – Normalisht që pas fjalëve të mira të trajnerit Memelli kundrejt ekipit, Lako e sheh si një mënyrë për të mbajtur grupin të karikuar. Për ish-mbrojtësin, skuadra ka nevojë për ndërhyrje në merkato dhe lojtarë cilësorë dhe shumë eksperiencë. “Fjalët e mira në këto momente i takojnë trajnerit dhe Memelli ka bërë gjënë e duhur për të shkundur lojtarët dhe për t’iu dhënë atyre mesazhin se janë një grup i mirë.

Në fakt, Skënderbeu kur luan me topin poshtë, është më i saktë dhe cilësor. Nuk e kuptoj se pse e humbim topin me pasime të gjata që shpeshherë dalin bosh. Ekipi ka cilësi, por për mendimin tim merkatoja e janarit është shpëtim për këtë ekip. Duhen dy lojtarë me eksperiencë për të bërë ndryshimin dhe për të nxjerrë skuadrën nga momentet e vështira”, përfundoi ish-mbrojtësi Stavrion Lako.

Related posts

ZYRTARE/ U largua nga Partizani, mbrojtësi Bitri zgjedh ekipin e ri

Delo.autor

SOT ME BORUSSIAN, DIKUR ME BAYERN/ Mesfushori Emre Can: Ja cili më largoi nga bavarezët

Delo.autor

Barcelona rrezikon të humbasë mbrojtësin, Juve dhe United bëjnë presion

Sadik.Autor

Leave a Comment