Futboll Seria A Sport

GATI PËR TË MBYLLUR KARRIERËN TEK “KUQEZINJTË”/ Sulmuesi Giroud: Kur mbërrin në një klub si Milani, e ndien…

Olivie Zhiru është dashuruar me Milanin, e jo sepse dikur ishte një tifoz i çmendur i Andrij Shevçenkos me fanellën kuqezi. Francezi është gati të mbyllë karrierën europiane te “Djalli”, ndërkohë që në të ardhmen mendon të jetë menaxher ose drejtor sportiv. Të paktën kështu ka deklaruar në intervistën e fundit për “Daily Mail”.

Çfarë mund të thoni për karrierën tuaj?

Tejkalimi i vështirësive dhe i dyshimeve ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Gjithmonë e marr veten sepse jam i tillë. Miqtë e mi dhe vëllai im thoshin se unë jap gjithmonë më të mirën time kur vendosem në vështirësi. Nëse kur isha 20 vjeç, do të më thoshin se do të fitoja kaq shumë trofe dhe do të përjetoja kaq shumë gjëra të mahnitshme, nuk do ta besoja kurrë. Ndihem shumë me fat.

Thuhet se në janar të vitit të kaluar ishit shumë pranë Totenhemit…

Epo, kishte një shans shumë të vogël. I thashë Frenkut (Lampardit) se isha aq i vendosur të largohesha dhe të luaja. I thashë se kisha oferta nga Lacio, Interi dhe Totenhemi gjithashtu. Për të qenë i sinqertë, nuk do të kishte qenë ide e mirë sepse kam luajtur tek Arsenali për pesë vjet e gjysmë. Do të zhgënjeja shumë njerëz. E gjithë kjo është pjesë e asaj që lojtarët duhet të përballen.

Si është të jesh futbollist në vitet 2000?

Njerëzit shohin vetëm aspektet pozitive të saj, por ju duhet të bëni sakrifica dhe të merreni me ato aspekte që nuk ecin në rrugën e duhur. Duhet që gjithmonë të luftosh dhe dialogu është shumë i rëndësishëm. Lampardit i kam shpjeguar se doja të isha përsëri i lumtur. I kërkova që të më jepte atë mundësi në një ekip tjetër. Doja që ai të më kuptonte. I thashë se nuk mund të luante me karrierën e një futbollisti si unë. Ai i kuptoi emocionet e mia dhe unë i jam mirënjohës që qëndrova dhe gjërat shkuan mirë më pas. Në fund më dha shansin për të bërë gjëra të mëdha përsëri me Çelsin. Unë luajta përsëri, shënova gola dhe ndihmova të kualifikohemi Ligën e Kampionëve.

Mund ta përshkruani kalimin te Milani?

Gjithmonë e kam admiruar këtë klub dhe këtë fanellë fantastike, kështu që ky mund të jetë një përfundim fantastik për karrierën time në Europë. Kur mbërrin në një klub si Milani, e ndien peshën e historisë. E kam takuar idhullin tim Shevçenko shumë herë, madje i thashë se ishte heroi im. Ai qeshi, por unë e detyrova të nënshkruante një fanellë dhe isha shumë i lumtur.

Keni menduar se çfarë mund të bëni në të ardhmen?

Puna e trajnerit më duket shumë stresuese. Preferoj të bëj diçka me të rinjtë ose të jem drejtor sportiv. Kam folur me dikë për të gjitha këto. Të ndihmoj të rinjtë ose të ndihmoj një akademi për të gjetur lojtarë të mirë. Sot lojtarët e rinj duhet të përballen me një atmosferë të ndryshme rreth futbollit. Duhet të jesh mjaft i zgjuar për të mbrojtur veten nga kritikat dhe problemet e shkaktuara nga rrjetet sociale. Imazhi është bërë i rëndësishëm. Duhet të jeni të kujdesshëm me atë që thoni dhe të tregoni përulësi. Këto janë arsye përse gjetja e kampionëve është bërë gjithmonë e më e vështirë.

Cili ka qenë misioni juaj në futboll?

Është e rëndësishme të lihet një shenjë të mirë në fushë, por edhe jashtë saj. Kur takoj njerëz në rrugë, ata kujtojnë atë që kam bërë për Arsenalin dhe Çelsin e kjo më prek. Ky është momenti kur e kupton atë që ke bërë dhe ke marrë në jetë.

Related posts

ARSENAL I PAPËRMBAJTSHËM/ Pas një aksioni perfekt, Aubameyang ndëshkon Fulham me një “MAGJI” (VIDEO)

Delo.autor

PEZULLIMI I KAMPIONATIT PAS DHUNËS/ Gazmend Demi: Policia duhet të jetë në stadiume, nuk jemi…

Delo.autor

Liverpool shfaq interes për portierin e Barcelonës

Sadik.Autor

Leave a Comment