Futboll Kategoria Superiore Sport

MUNGOI NË SFIDËN NDAJ TIRANËS/ Plasin gjobat e kritikat te Laçi, një tjetër titullar mund të ketë fatin e Malotës

Pas mbrojtësit lezhjan, Renato Malota, të njëjtin fat te Laçi pritet të ketë edhe portieri Alen Sherri. “Panorama Sport” mëson se mungesa e shkodranit në ndeshjen ndaj Tiranës nuk ka qenë një zgjedhje teknike e trajnerit Dejan Vukiçeviç, pasi në këtë takim në fushë luajti Marjo Dajsinani.

Mësohet se klubi i Laçit ka marrë një masë penalizuese ndaj portierit dhe gjithçka ka lindur pas ndeshjes me Kukësin, ku presidenti Pashk Laska debatoi me Malotën, por kritikat nuk munguan as për Sherrin. Ky i fundit nuk ka pranuar të prononcohet, por burime pranë portierit tregojnë se mund të ketë një largim nga Laçi, ashtu siç ndodhi me Malotën. Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, por rikthimi i shkodranit në stërvitje për momentin duket i pamundur.

Kujtojmë që në ndeshjen e fundit me Tiranën, Sherri përfundoi në stol, ndërsa në pjesën e dytë edhe disa titullarë apo lojtarë që spikatën në sezonin e fundit u zëvendësuan. Pësimi i golave të shumtë në këtë fillim sezoni, 10 gola në 4 ndeshje është një sirenë alarmi te kurbinasit dhe mbase nga analizat e kryera nga klubi kanë nisur edhe debatet që kanë agravuar më tej me Malotën dhe Sherrin.

PRESIONI I FITORES – Laçi mbetet ende në kërkim të fitores së parë sezonale, pasi në katër ndeshje në kampionat dhe një në Kupë fitorja ka rezultuar “mollë e ndaluar”. Padyshim situata te kurbinasit nuk është e favorshme, gjë të cilën e pasqyrojnë më së miri problematikat e lindura me Malotën dhe Sherrin. Java e ardhshme mund të vendosë shumë për kurbinasit. Fillimisht duhet të kualifikohen në Kupë ndaj Butrintit, ku ndeshjen e parë në Sarandë e kanë mbyllur në barazim 1-1, ndërsa në kampionat luajnë ndaj Egnatias, ku veç trepikëshit nuk pranohet asnjë rezultat tjetër.

Në të dyja këto sfida skuadra e trajnerit Dejan Vukiçeviç është pritëse dhe në rast se nuk vijnë fitoret edhe në këto ndeshje, atëherë drejtuesit mund të marrin edhe masa ndaj ekipit dhe stafit. Java e ardhshme është mundësia më mirë që qetësia të kthehet te Laçi dhe ekipi të nisë kthesën e shumëpritur të rezultateve pozitive.

Related posts

FORMULA 1/ Botërori “2020” nis numërimin mbrapsh, zbulohet kalendari zyrtar (FOTO)

Delo.autor

LUKAKU I PËRULET KËTIJ YLLI/ Tregon ku ndryshon Serie A nga Premier League

Delo.autor

ZYRTARE/ Humbja në kampionat rezulton fatale, Ballkani shkarkon trajnerin Shkëmbi

Delo.autor

Leave a Comment