Futboll Kategoria Superiore Sport

RRËFEN PËRPLASJEN ME TAIPIN DHE I BËN APEL DISIPLINËS/ Trajneri Daja: Më hiqni kartonin e kuq

Pas fitores spektakolare ndaj Kukësit, te Teuta kishin nisur pushimet. Stafi e ka lënë skuadrën të lirë dhe nga sot nisi nga puna në kuadër të javës së pestë të kampionatit ndaj Tiranës, që pritet të luhet më 16 tetor. Për përballjen me Tiranën mungesa e vetme është mesfushori Asion Daja, që u ndëshkua me të kuq ndaj Kukësit. Një episod ku arbitri i asaj ndeshjeje, Juxhin Xhaja, u nxitua me të kuqin e dhënë ndaj Dajës, pasi siç shihet, mesfushori durrsak s’ka bërë asnjë veprim për të merituar kartonin e kuq.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori shtatshkurtër komenton rastin në fundin e ndeshjes dhe ka një kërkesë për Disiplinën për ta rishikuar edhe një herë atë rast. Daja thekson se ndaj Kukësit, blutë treguan që ata janë kampionët.

Fituat një ndeshje me përmbysje, edhe pse kaluat të parët në avantazh. Si ju duk ndeshja me Kukësin?
Në ndeshjen me Kukësin treguam që jemi kampionët dhe arritëm të merrnim maksimumin. Gjithashtu, treguam karakterin tonë, pavarësisht se Kukësi ka bërë mirë në këto javë dhe është një ekip me një stil loje mjaft simpatik dhe t’i shënosh Teutës dy herë nuk ndodh shpesh.

Teuta e ka nisur më mirë këtë sezon dhe në aspektin e pikëve. Jeni një grup më i fortë apo mbetet për t’u parë?
Teuta e ka nisur mirë, por mund ta niste edhe më mirë, shkak mendoj kanë qenë edhe mungesat. Të them të drejtën, na mungojnë lojtarë si Bregu, Hoxha dhe Arapi nga vjet. Por, edhe lojtarët e rinj po përshtaten shumë shpejt dhe do të jemi akoma më të fortë me konsolidimin e grupit.

E mbyllët ndeshjen me karton të kuq. Çfarë ndodhi me Taipin dhe si jua justifikoi arbitri kartonin pasi siç e pamë nuk ishit ju ai që e nisët debatin?
Doja të ndalja tek episodi i arbitrit, sepse mori një vendim të nxituar pasi ishte minuta e 90-të dhe ishte një ndeshje “Fair Play”, me ritëm. Ishim dy lojtarë, njëri kapiten dhe njëri që ka 15 vite që luan në Kategorinë Superiore dhe përfaqëson ekipin kampion të Teutës, i respekton dhe është mirëkuptues gjithmonë me arbitrat. Përpos të gjithave, nuk kam pasur aspak kontakt me lojtarin kundërshtar siç shikoj. Do të kërkoja nga mbledhja e Komisionit të Disiplinës që të rishikohet episodi i kartonit të kuq, pasi në radhë të parë dëmtohet Teuta si imazh, duke ditur që jemi një ekip “Fair Play” dhe në ndeshjen e radhës do të mungoj dhe çdo ndeshje është e rëndësishme e duhet që ekipi të jetë i plotë.

Te Teuta jeni duke shfaqur një formë mjaft të mirë. Ka ndonjë sekret?
Siç është i ndërtuar ekipi i Teutës, ia bën të lehtë çdo lojtari që të shfaqë më të mirën e tij si në aspektin e stërvitjes që janë kushtet optimale. Aspekt tjetër në ekipin e Teutës është që nuk ka pasur asnjëherë probleme ekonomike dhe më e rëndësishmja, qetësia që presidenti i përçon ekipit. Këto mendoj kanë bërë që edhe performanca ime dhe e ekipit të jetë e mirë. Pa harruar edhe trajnerin Martini që është gjithë kohës me ekipin.

Sa do të ndikojë fakti që do të luani jashtë Durrësit këtë periudhë?
Ndikon te një ekip që kërkon të dalë kampion, por ne kemi treguar edhe vjet që dhe ndeshjet jashtë fushe i kemi fituar, pasi edhe fushat janë shumë të mira. Po presim me padurim rikonstruksionin e stadiumit tonë.

Cilët mendoni se janë rivalët më të fortë për Teutën në garën për titull deri në fund, si mendoni?
Është akoma herët për të folur pasi ekipet janë akoma në fazën e njohjes së kundërshtarëve, të mënyrave se si luajnë. Teuta ka rival vetëm veten e saj, pasi ne duhet të shohim rrugën tonë dhe, pse jo, të shkëputemi nga rivalët, pasi i kemi mundësitë.

Related posts

AS MURINJO, AS ANÇELOTI/ Brazili tani mendon të ulë në stol rekordmenin e Ligës së Kampionëve

F.autor

I MAGJEPSUR NGA BLERJA E RE/ Trajneri Pioli: Është një lojtar shumë cilësor, do të na japë një ndihmë të madhe

Delo.autor

Ylli i Gjermanisë kaloi vizitat mjekësore te Barça, e ktheu mbrapsht Luis Enrique

Sadik.Autor

Leave a Comment