Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

BOTËRORI 2022/ Kumbulla zbulon bisedën me sulmuesin e Anglisë: Më tha më lejo të bëj gol

Marash Kumbulla është kthyer në një pikë fikse në prapavijën e përfaqësueses shqiptare të futbollit. Futbollisti luan prej disa ndeshjesh si titullar dhe pritet që këtë gjë ta bëjë edhe në takimin e të premtes ndaj Anglisë.

Një sfidë ku do të përballet me disa sulmues shumë të njohur në arenën ndërkombëtare dhe me një emër si Tami Abraham, të cilin e ka shok skuadre te Roma. Në një intervistë për “SuperSport”, Kumbulla ka treguar pikërisht ngacmimin me sulmuesin e Anglisë.

Si është atmosfera në Kombëtare para këtyre dy ndeshjeve të fundit eliminatore?
Atmosfera është shumë e bukur, jemi të gjithë të kënaqur si grup. Dëshirojmë t’i fitojmë ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën. E dimë që me Anglinë është e vështirë, sepse është një ndër ekipet më të mira në botë. Në futboll nuk i duhet kurrë dhe ne do të shpresojmë për një rezultat pozitiv.

Sa beson se mund të bëjmë një mrekulli me Anglinë?
Siç e thashë më parë, në futboll nuk i duhet kurrë, ne duhet të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen. Të shpresojmë që ne të fitojmë me Anglinë dhe Polonia të mos fitojë me Hungarinë. Të shohim se çfarë do të ndodhë.

Anglia ka një sulm që do të trembte çdo mbrojtës. A ndjeni vështirësi që do të luani përballë Herri Kejn me shokë?
Nuk kemi frikë. Kemi luajtur edhe me Poloninë dhe Hungarinë, edhe këto skuadra kishin sulmues të fortë. Anglia e ka sulmin edhe më të fortë, por ne do të futemi në fushë pa frikë, do luajmë të gjithë bashkë, do të na ndihmojë edhe mesfusha dhe sulmi.

Te Roma ke shok skuadre Abraham, a jeni ngacmuar për këtë ndeshje?
Kemi folur pak për ndeshjen. Ai më tha: “nëse do të luaj, më lejo të bëj gol”. Unë iu përgjigja se nuk ka mundësi të ndodhë kjo. Jemi shumë shokë, Tami është një djalë shumë i mirë. Shpresoj të bëjë mirë në kombëtare, por jo kundër nesh.

Ke luajtur kundër emrave të mëdhenj në Serinë A dhe nuk u frikësohesh atyre me shumë peshë. Mendon që me këtë mentalitet mund ta ndihmosh Shqipërinë?
Të gjithë lojtarët që janë këtu e kanë mentalitetin e duhur. Unë do të jap kontributin tim, do jap maksimumin për ekipin kombëtar.

Jeni disa lojtarë të rinj shumë premtues dhe që në moshë të re në ekipe të mëdha. Si e sheh këtë grup?
Besoj se ky grup është ndër më të mirët që ka pasur Kombëtarja. Jemi një miks i lojtarëve të rinj me ata me më shumë eksperiencë. Besoj që në vitet që do të vijnë, do të përmirësohemi më shumë.

E shihni veten pas disa vitesh kapiten të Kombëtares?
Është dëshirë e të gjithë lojtarëve që vijnë në Kombëtare për të qenë kapiten. E di që jam ende i ri dhe besoj se ka lojtarë të tjerë që janë liderë. Nuk i dihet kurrë, ndoshta do të bëhem kapiten në të ardhmen, por nuk është diçka që e kërkoj me çdo kusht.

Pavarësisht luhatjeve që keni pasur në klub, te Kombëtarja keni dhënë më të mirën. Duket se ju jep besim Reja…
Trajneri na jep shumë besim, këtë e ndiejmë edhe në fushë, sepse luajmë gjithmonë me një atmosferë pozitive. Luajmë nga mbrapa, mbrojmë të gjithë bashkë, me mesfushorë dhe sulmues. Është gjë shumë pozitive, se na bën që të luajmë me besim në vetvete.

Related posts

E BUJSHME/ Gattuso flet pas humbjes ndaj Juventusit: Janë skuadër më e fortë se ne, ata…

Isa.Autor

“NUK E PRISJA TË QËNDROJA KAQ GJATË”/ Gjimshiti rrëfen mbi të ardhmen: E di që mund të jap më shumë

Delo.autor

“EJA NË SHTËPI”/ Pas Ronaldos, JUVENTUSI në janar ‘ÇMEND’ të gjithë me këtë transferim

Isa.Autor

Leave a Comment